Lista problematike e ministrit Ditmir Bushati. A ka spiun grek në delegacionin shqiptar?
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka konfirmuar sot se i është përgjigjur të gjitha kërkesave të Presidentit të Republikës, Ilir Meta sa i takon plotfuqishmërisë për çeljen e negociatave me Greqinë për çështjen detare. Pak dite me pare ne letren që Presidenti i dërgoi Bushatit kërkohej që të saktësohet objekti i qartë për autorizimin e plotfuqisë si dhe të plotësohen emrat, funksionet dhe profesionet e atyre që do të jetë pjesë e grupit negociator.
“Presidenti s’mund të anashkalojë asnjë moment. Nuk mund të bëhem pjesë e asnjë cenimi të Kushtetutës, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të asnjë bashkëfajësie, qoftë edhe padashje”, – deklaroi pak ditë më parë kreu i shtetit.
Presidenti Meta ka deklaruar para medias, disa ditë me parë, se nuk e jepte Autorizimin për Plotfuqishmëri për një çështje me rëndësi kombëtare pasi shkresa e paraqitur nga qeveria ishte me mangësi serioze. “ Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi – tha Meta pak ditë më parë. – Shkresa nr. 2428 prot, datë 13.02.2018, që në “Lëndë”, është e paqartë, pasi sipas saj objekti është “Përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën Greke” dhe ky përkufizim nuk parashikon, se cili është objekti konkret për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi dhe nuk reflekton detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 10.04.2010.
Së pari, duhet evidentuar se kjo kërkesë është e përbërë gjithsej nga një kërkesë e vetme (gjithsej 4 – fletë) dhe nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues bashkëlidhur. Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek.
Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës.
Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij”, – theksoi Meta.
Pas kesaj konference shtypi te Presidentit burime kryeministrore tregojne se kryeministri Rama donte ti pergjigjej ashper Presidentit, por stafi i tij dhe ministri Xhafaj e kane keshilluar se vetem humbiste pike ne opinion, pasi Ilir Meta kishte te drejte kushtetuese. Te ndodhur shat-mat qeveria ka vendosur te zbatoj normat kushtetuese. Ministri Bushati i eshte pergjigjur presidences sipas kerkeses se Kryetarit te Shtetit. Sipas këtyre burimeve letra e MEPJ e plotësuar ka mbërritur në zyrën e presidentit Meta. Por nga nxitimi apo nga keqdashja apo edhe nga mosdija ministri ka futur ne listen zyrtare dy emra te kontenstuar nga politike dhe media. Njeri ka mbaruar studimet per detin ne Greqi dhe tjetri, sipas PD, i akuzuar per nxjerrje sekreti.
Emrat e nisur nga ministri Bushati, janë: Bashkëkryetarë do të jenë Armand Skapi nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Gjeneral Major Ylber Dogjani, Komandant i Flotës Detare. Emrat e tjerë janë Artur Mecollari, i larguar nga ushtria ne vitin 2012, Arsen Mullai, Viktor Doda, zv/drejtoresha e Policisë Aida Hajna, drejtori i AKBN Ardjan Bylyku, Elira Koka, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Ferdi Hyraj nga Instituti i Gjeografisë, Luan Përzhita, Instituti i Arkeologjisë, Korenc Çela, Drejtor i Institutit të Gjeohapësirës dhe Qirjako Qirko, ambasador në Londër.
Në krye të ekipit negociator me Greqinë do të jetë Armand Skapi. Bashkë me Komandantin e Flotës Detare, Ylber Dogjanin, Skapi do të drejtojë ekipin negociator si përfaqësues i Ministrisë së Jashtme.
Në foto (majtas) Armand Skrapi dhe djathtas ministri grek Kotzias
Mes të dhënave ka një fakt sa të habitshëm për bashkëdrejtuesin shqiptar. Kursin për të drejtën e detit, Armand Skapi e ka bërë në Greqi, më saktë në Rodos. Pra kryenegociatorin shqiptar për kufirin detar e kanë mësuar grekët se si të llogarisë kufirin e Shqipërisë me Greqinë.
Nuk ka ndonjë problem se është specializuar në Greqi për detin, por dyshimet vijnë natyrshëm. Skrapi mund të jetë specialist profesionist, por jo i besuar në këtë rast, edhe për hir të specializimit të tij në Greqi, tamam për detin!
Ish-kreu i qeverisë, Sali Berisha ka qenë i pari që ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit që ndodhën sot për çështjen e negociatave Shqipëri-Greqi, ku u bënë publik edhe 12 emrat e grupit negociator.
Berisha veçoi njërin prej tyre Artur Mecolarrin, për të cilin tha se është përjashtuar nga detyra pasi është akuzuar për spiunim. “Dua të denoncoj vendosjen në krye të grupit të një ish spiuni të FA të ushtrisë i larguar pas dokumenteve të pakundërshtueshme të shërbimit informativ të ushtrisë dhe të dhënave të tjera. Ky spiun Artur Meçollari nuk i është drejtuar gjykatës sepse të dhënat kanë qenë fakte.”, tha ai nga ambinetet jashtë sallës së seancave plenare.
Kolonel Ylli Zyla, ish-drejtor i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, thotë se eksperti detar Artur Meçollari, pjesë e grupit negociator shqiptar për marrëveshjen e detit me Greqinë, cenon sigurinë kombëtare me praninë e tij në delegacion.
“Në cilësinë e ish-drejtorit të SHIU mund t’iu them se emri në fjalë është i papërshtatshëm në grupin e negociatorëve për marrëveshjen e detit me Greqinë. Etika profesionale nuk më lejon të them më tepër, por autoritetet dhe veçanërisht Presidenti i Republikës i ka të gjitha mundësitë të kuptojë papërshtatshmërinë e tij. Pjesëmarrja e tij në komision do të cenonte sigurinë kombëtare, pasi marrëveshje të tilla bëhen një herë në jetë dhe jo çdo ditë”, u shpreh kolonel Ylli Zyla. Papërshtatshmëria e ekspertit detar Artur Meçollari dyshohet se ka të bëjë afrimitetin e tij me palën greke. Top Channel kontaktoi institucionin e Presidentit të Republikës për këtë çështje.
Zëdhënësi Tedi Blushi i tha Top Channel se “presidenti Ilir Meta po shqyrton me vëmendje dhe kujdes të gjithë materialin që i ka dërguar Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme”.
Vetë Ministria e Jashtme i tha Top Channel se ushtaraku Artur Meçollari është rekomanduar si njohës shumë i mirë i çështjes, që ka kryer studime në fushën e të drejtës së detit dhe është i pajisur prej 10 vjetësh me certifikatë sigurie NATO Cosmic, që është niveli më i lartë.
Vetë zotin Meçollari ishte i padisponueshëm për komente të mëtejshme. Kurse nga Ministria e Mbrojtjes burimet bënë të ditur se lirimi i ushtarakut Meçollari në vitin 2012 është anuluar me vendim gjykate të formës së prerë dhe ai nuk ka asnjë pengesë për të qenë pjesë e grupit negociator.
Por pyetje lind: A ka ndonjë emër negociator që ka marrë pjesë në negociata dhe që rezulton spiun i kundërzbulimeve të huaja, penalizuar nga institucionet kushtetuese shqiptare? Nëse ka, a mund ti firmos Presidenti emrat problematik me ligjin?
Mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
Në foto: Ministrat Bushati dhe Kotzias në Korçë me stafin e negociatorëve