Skandal në këshillin bashkiak të Tiranës. Fallsifikojnë listën e LSI në KQZ
Kryesore E Shtunë, 10 Korrik 2021 19:41
Çështja e miratimit të çmimit të ujit të pishëm nga këshilli bashkiak i Tiranës, para dy ditëve, jo vetëm që shkatërroi marrëdhëniet e mira mes kryetarit të bashkisë Erion Veliaj me LSI-në, por edhe ka nxjerrë një skandal të madh, ku janë përzier bashkia, KQZ dhe PS.
Duke nxituar që mbledhin vota kudo e sido, kryetari i këshillit bashkiak të Tiranës (përfaqësues i PS) ka krijuar një precedent të rrezikshëm. Pasi LSI nuk mori pjesë në votim dhe pasi PD-ja krijoi kuorumin, por më pas iku, dikush ka nxituar që të nis në KQZ zëvëndësimin e listës së LSI, ku në të vertetë i takonte Lindita Veliasit, por kanë dërguar emrin e Genta Mezinit, me të cilën siç duket kanë rënë dakort se e miratojnë me shpejtësi si këshilltare, por me kushtin që të tradhtojë LSI e të kalojë me PS. Kjo është bërë nga kryetari i këshillit bashkiak Aldrin Dalipi, i cili pas këtij veprimi rrezikon jo vetëm padinë në prokurori, por ka informacione se do të kërkohet shkarkimi i tij nga kryetar.
Prokuroria do të hap hetim për autorin e dërgimit të listës së falsifikuar në KQZ për “shpërdorim detyre” dhe “fallsifikim të dokumentave zyrtare”. Po kështu edhe nga administrata e KQZ ka shpërdorim detyre, pasi një kopje të listës së depozituar nga LSI ( dhe çdo parti politike) e ka në dosjet e saj, sepse e detyron ligji.
Pra nga nxitimi apo dëshira për të bërë numrin 31 këshilltarë, që mbetet shumica në këshillin bashkiak, kanë spostuar emrin në listën e këshilltarëve të bashkisë të LSI. Në vend të Lindita Veliasit kanë çuar emrin pas Linditës, duke kapërcyer radhën kushtetuese, pra Genta Mezinit. Genta rezultoi se votoi pro PS dhe Erion Veliajt.
Përveç kësaj shkelje ligjore e kushtetuese, për spostimin e emrit në listë, ndërkohë që Lindita Veliasi nuk ka asnjë kërkesë për dorëheqje nga lista, drejtuesit e këshillit bashkiak kanë bërë edhe një shkelje tjetër ligjore. Genta Mezini, e cila është miratuar me shpejtësi si anëtare e re e këshillit bashkiak, ka hyrë me vonesë në mbledhje dhe ka votuar për rritjen e çmimit të ujit, pa bërë betimin. Si rregull deputet apo anëtar këshilli duhet të bësh betimin së pari në parlament apo në këshill dhe më pas voton sipas dëshires tënde, edhe kundër partisë që të ka propozuar.
Eshtë njëlloj sikur Ilir Meta të hynte në presidencë pa bërë betimin!
Ndaj e gjithë kjo lojë e bashkisë për të bërë kuorimin me 31 këshilltarë, edhe me nxitim e shkelje ligjore, do të sjellë një skandal politik. Por jo vetëm. SPAKU mezi po pret arrestime!
Sot anëtarja e listës së radhës ligjore Lindita Veliasi ka bërë ankimim në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor që ti rikthehet e drejta kushtetuese që të jetë ajo anëtare e këshillit bashkiak siç mbetet në fuqi lista e LSI dorëzuar në KQZ dhe të hiqet emri i Genta Mezinit.
Nisur nga këto shkelje ligjore dhe falsifikime të dokumentave zyrtarë, edhe votimi në këshillin bashkiak të Tiranës për çmimin e ujit rezulton i paligjshëm, që do të thotë se është miratuar me një votë antikushtetuese.
Pas këtyre falsfikimeve zyrtare priten zhvillime të rëndësishme në këshillin bashkiak!
ANKIM
ANKUES:Lindita Veliasi, e bija e Xhelil dhe e Nurije, lindur në Librazhd më datë 01.05.1972, anëtare e Listës Shumëemërore për Këshilltare në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, si përfaqësues e subjektit politik partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, banuese në adresën: Njësia Bashkiake nr.3, Rruga “Sadik Petrela” Tiranë.
PERSON I
INTERESUAR: Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, me adresë Rruga “Sami
Frashëri” Nr.20/10, Tiranë.
Këshilli Bashkiak i Bashkisë Tiranë
OBJEKTI:Kundërshtimin e Vendimit nr.557, datë 26.07.2017 të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve “Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatëve nga listat shumemërore për këshillat bashkiak, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.
Ndryshimin e Vendimit nr.557, datë 26.07.2017 të KQZ dhe konkretisht Lidhjen bashkëlidhur këtij vendimi, duke përcaktuar/përfshirë në këtë listë me numrin rendor 4, si Kandidate për Anëtare në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë ankuesen Lindita Veliasi, e bija e Xhelil dhe e Nurije, lindur në Kuturman-Librazhd më datë 01.05.1972, dhe duke hequr nga kjo listë Genta Mezini (Dedej) e bija e Petritit dhe e e Zylihasë.
Vijimin e procedurave verifikuese e shqyrtuese nga KQZ e më pas nga Këshilli Bashkiak Tiranë për dhënien e mandatit të anëtares së Këshillit Bashkiak Tiranë për ankuesen Lindita Veliasi.
Baza ligjore:Nenet 67, 72, 73, 124 e vijues, 164 të Ligjit nr.10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar; Ligjit nr.44/2015 “Kodi Procedurave Administrative”, neni 45 e në vijim të ligjit nr.139/2015 “Për qeverisjen vendore”.
Drejtuar:Komisionit Qendror tw Zgjedhjeve Tiranë
T I R A N Ë
Të nderuar anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,
Unë ankuesja Lindita Veliasi, jam kandidate për anëtare në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, dhe interesat e mia të drejtëpërdrejta janë prekur nga Vendimi nr.557, datë 26.07.2017 i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe për këtë arësye paraqes këtë ankim përpara jush, për shqyrtim.
Konkretish, parashtroj se :
Në vitin 2015 në Republikën e Shqipërisë u zhvulluan zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. Në këtë poroces zgjedhor ka marrë pjesë edhe subjekti zgjedhor Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila me vendimin e KQZ-së nr.106, datë 13.04.2015, është regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2015. Me vendimin e KQZ-së nr.177, datë 27.04.2015, është regjistruar koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” , pjesë e të cilit është dhe Partia Lëvizja Socialiste Për Integrim.
Referuar kërkesave të nenit 67, dhe nenit 72, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, LSI ka depozituar në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për anëtar edhe në Këshillin e Bashkisë Tiranë, ku unë me vullnetin tim të lirë jam bërë pjesë e kësaj liste.
KQZ në respektim të kërkesave të ligjit me Vendimin nr.389, datë 13.5.2015, ka vendosur :
“1.Miratimin e listave shumëmërore tё kandidatёve pёr anëtarë të Këshillit të Bashkive Durrës, Elbasan, Lushnje, Fier, Korçë, Lezhë, Shkodër, Tiranë, Kamëz, Vlorë, të Partise Lëvizja Socialiste Për Integrim, pjesëtare të Koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2015, sipas lidhjes nr. 1, bashkёlidhur këtij vendimi”.
Në lidhjen nr.1 bashkëlidhur këtij vendim, emri im është i renditur në rendin shifror me numër 17 (shtatëmbëdhjetë), në listën shumë emërore për Këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, Qarku Tiranë.
Si rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe rezultateve paraprake të shpalluara nga KQZ, disa anëtare të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, përfaqësues të partisë politike Lëvizja Socialiste për integrim, dhe konkretisht Sezai Rokaj, Endrit Braimllari, Floida Kërpaci, kanë paraqitur dorëheqjen e tyre pranë Këshillit Bashkiak Tiranë, institucion ky që sipas gjasave duhet të ketë paraqitur kërkesën pranë KQZ-së për vijimin e procedurave të plotësimit të vakancave sipas Listës Shumëemërore të Kandidatëve për anëtarë të Këshillit Bashkiak nga e njëjta listë e Lëvizjes Socialiste për Integrim e miratuar me Vendimin e KQZ nr. 389, dt 13.05.2015.
Jam vënë në dijeni së fundmi se KQZ, pasi ka kryer shqyrtimin me Vendimin nr.557, datë 26.07.2017, (objekt i këtij ankimi), ka vendosur :
“Njoftimin e Këshillit Bashkiak për vazhdimin e procedurave për dhënien e mandatit kandidatëve të listave shumemërore, për plotësimin e vendeve vakantë në këshillat bashkiak, sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi”.
Lista bashkëlidhur këtij vendimi përmban emrat e kanidatëve për anëtarë të Këshillit Bashkiak të LSI-së dhe konkretisht
Emër Atësi Mbiemër
Renditur ne listen shumëemerore miratuar me Vendimin nr.389 dt 13.05.2015 në këto numra
ERMIR ADRIATIK BEGO
14 ( I katërmbëdhjeti)
NAIM LUTFI HALILI
16 ( I gjashtëmbëdhjeti)
GENTA PETRIT MEZINI
19 ( E nëntëmbëdhjeta)
Gabuar
Pra është lehtësisht e konstatueshme që unë kandidatja Lindita Xhelil Veliasi, e renditur në Listën Shumëemërore për Këshilltare në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë miratuar nga KQZ me Vendim nr.389, dt 13.05.2015, në rendin shifror e 17 (shtatëmbëdhjeta) jam anashkaluar dhe në mënyrë haptazi të kundraligjshme nga KQZ në listën që i bashkëlidhet Vendimit nr.557, datë 26.07.2017, është përcaktuar nga KQZ e ndoshta edhe nga Këshilli Bashkiak që mandati do të duhet t’i jepet zj.Genta Petrit Mezini, e cila si candidate është e renditur po në këtë listë me numrin rendor 19 (nëntëmbëdhjetë), pra 2 (dy) numra rendor më poshtë emrit të personit tim.
Kësaj zgjedhje të KQZ-së nuk arrij t’i japë shpjegim dhe besoj dhe KQZ, do të duhet të reflektojë shpejt për këtë cështje.
KQZ, me marrjen e kërkesës së Këshillit Bashkiak Tiranë, për plotësimin e vakancës së krijuar do të duhej të verifikonte e plotësonte dy kushte dhe ti jepete përgjigje ligjore dy cështjeve, përpara se të kalonte në vendimarrje :
1. Së pari, KQZ do të duhej të verifikonte se referuar listes shumëemërore të miratuar po nga ana KQZ me Vendimin nr. 389/2015, kujt personi i takon përfitimi i mandatit të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, referuar kërkesave të nenit 164 të Kodit Zgjedhor ?
2. Së dyti, pasi të kishte evidentuar personat që i takonte mandati i anëtarit të Këshillit Bashkiak, referuar listës shumëemërore të secilës forcë politike, do të duhej që në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016, do të krynte njoftimet përkatëse tek personat kandidatë/përfitues për plotësimin e formularit të vetdeklarimit, dhe do të plotësonte e verifikonte kërkesat që parashikohen nga ligji nr.138/2015 dhe pas kësaj do të duhet ta kalonte cështjen për vendimarrje.
Por KQZ sic ka dëshmuar, nuk e ka kryer këtë proces saktë dhe as është kujdesur të verifikojë plotësisht përmbushjen e kërkesave të ligjit, por apriori me procedurë shumë të përshpejtuar ka kaluar në vendimarrje duke përcaktuar në mënyrë aspak korrekte se kush ishin personat që Këshilli Bashkiak Tiranë, do të duhet të vazhdojë për dhënien e mandatit.
Në përfundim të kësaj kërkese ankimore, bazuar në argumentet e paraqitura më sipër, në mbështetje të bazës ligjore të sipërcituar i kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shqyrtojë këtë kërkesë ankimore në rrugë administrative dhe të shprehet në themel mbi ankimin e paraqitur duke vendosur pranimin e ankimit sipas objektit.
Provat paraprake që paraqes, janë:
– Vendimi nr.389, datë 13.05.2015 I KQZ, (nxjerrë nga faq web e KQZ-sw) dhe Lidhja Bashkëlidhur.
– Vendimi nr.557, datë 26.07.2017 I KQZ-së, (nxjerrë nga faqa web) dhe lidhja bashkelidhur.
– Kopje të kartës së Identitetit;
Aktet e tjera, posedohen nga ju, referuar kërkesave të Kodit Zgjedhor.
Sinqerisht,
ANKUESE
LINDITA VELISASI