Skandalet e 30 qershorit. U votua me fletë votimi false

Partia Demokrati ka denoncuar manipulimet e votimeve monopartiake të Edi Ramës në 30 qershor. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka denoncuar sot faktin se në Bashkinë e Vaut të Dejës është votuar me fletë votime të falsifikuara.

Duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulime, Bardhi renditi tre skandale të KQZ-së me procesin e 30 qershorit.

“1. Falsifikoi dhe manipuloi pjesëmarrjen në votime për llogari të propagandës së Edi Ramës.

2.Falsifikoi rezultatin e votimeve në Bashkinë Elbasan sipas urdhrave te Taulant Balles per te fshehur se për Elbasanin kishte më shume vota për kandidatin sesa fletë votimi në kuti.

3. Ka lejuar që ne Vaun e Dejes te kryhet votim me flete te falsifikuara dhe që nuk i dihet origjina e tyre. Ky i treti është një skandal i ri, për të cilin kemi në dorë disa dokumente që e provojnë atë”,- tha Gazmend Bardhi.

Bardhi deklaroi se gjithë procesi në këtë bashki është një mashtrim dhe shkelje ligjore e paprecedentë nga KQZ. “Duke qenë se materialet zgjedhore u dogjën, KQZ vendosi ne 28 qershor nxjerrjen jashtë përdorimit të të gjitha fletëve të votimit, rreth 40 mijë të tilla, të të gjitha materialeve të tjera zgjedhore, përfshirë lista, vula etj. Në orën 07:00 te 30 qershorit, u deklarua se edhe me angazhimin personal te deputetit Tom Doshi, person në listën e zezë të SHBA, gjithçka ishte në rregull, fletët kishin ardhur, materialet zgjedhore gjithashtu, dhe kishte nisur procesi i votimit në të gjitha QV e Bashkisë së Vaut të Dejës. E gjitha është një gënjeshtër. Është mashtrim publik me pasoja të rënda i KQZ. Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se Fletët e Votimit në orën 07.58 min të datës 30 Qershor kanë qenë ende në Doganën e Hanit të Hotit”,- deklaroi Gazmend Bardhi.

Një tjetër skandal i denoncuar nga PD në Vaun e Dejës është pjesë e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve ka një kandidate për Këshillin Bashkiak dhe punonjëse në biznesin privat të kandidatit të PS.

“Shkelje flagrante e ligjit është vetë përbërja e KZAZ. Sipas të dhënave zyrtare anëtare e KZAZ ka qenë edhe znj. Listinë Ndoja, e cila rezulton të jetë e punësuar si arkëtare zyre pranë shoqërisë “MARE ADRIATIK” shpk, që ka si ortak të vetëm, kandidatin e PS Mark Babani. Kjo bie ndesh me nenin 32 të Kodit Zgjedhor, që për të shmangur konfliktin e interesit nuk lejon që një anëtar i KZAZ të jetë në marrëdhënie pune me ndonjë nga kandidatët. Por akoma më shumë vetë kjo anëtare ka qenë edhe kandidatë për anëtare të Këshillit Bashkiak. Pra çdo vendim i KZAZ i marrë me votën e kësaj anëtarje është absolutisht i pavlefshëm dhe krejtësisht i paligjshëm”,- deklaroi Gazmend Bardhi.

SHKARKO APP