Skandali/Anëtari i Vettingut fshehu shkarkimin nga detyra
Juristi Luan Daci, anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) institucion që sot vendos për fatin e gjyqtarëve e prokurorëve, rezulton se ka fshehur shkarkimin e tij nga detyra në vitin 1997. Një dokument i publikuar në media nga Antoneta Sevdari, prokurorja e cila u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Apelimit, hedh dyshime serioze se njeriu që po kalon në kontroll gjithë trupën gjykuese në vend, ka probleme me zbatimin e ligjit.
Sipas dokumentit të publikuar në Shqiptarja.com dhe Balkanweb, “gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, në vitin 1997 është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”. Vendimi është marrë më 24 dhjetor të vitit 1997, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion tashmë i shkrirë nga reforma në drejtësi, në krye të të cilit në atë kohë, ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani.
Dokumenti i mbledhjes së ish-KLD-së më 1997 konfirmon se Luan Daci, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, është shkarkuar dhe nuk ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i tij. Ndërkohë kur Luan Daci u pyet në Mbledhjen e Komisionit të Ligjeve në vitin 2016, si kandidat i KPA, tha se se nga detyra në vitin 1997 ka dhënë dorëheqje, duke mohuar që është shkarkuar.
Luan Daci ka qenë gjyqtar dhe zv.kryetar gjykate në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës deri në vitin 1997, ndërsa në vitet e mëvonshme ka punuar si avokat, deri sa është zgjedhur në postin e anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Në CV-në e tij, thuhet se Luan Daci ka qene edhe sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tepelenë për periudhën 1991-1993. Si pjesë në karrierën e tij në drejtësi, ai ka bërë Kursin e “Plepave” në “Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Rendit Publik”, Durrës.
Një dokument i tillë i publikuar në media vë në pikëpyetje jo pak vendime që gjyqtari Daci ka dhënë për kolegët e tij. Edhe pse kjo nuk është hera e parë që ndaj Dacit publikohen fakte që vënë në dyshim profilin e tij si gjyqtar, nga institucionet që monitorojnë reformën në drejtësi nuk ka pasur asnjë reagim.
Deklaratat e Luan Dacit në Komisionin e Ligjeve në vitin 2016, ku bëhej seancë dëgjimore si kandidat për KPA:
Luan Daci: Unë kam ikur me dorëheqje pasi nuk na lejuan të regjistroheshim.
Vasilika Hysi: Nga vitit 1997-2000 me cfarë jeni marrë?
Luan Daci: Më ndonjë pune çfarë të kisha mundësi
Vasilika Hysi: Dakord.
Luan Daci: Pastaj ju futa avokatisë, sepse duhet të angazhohesha
Vasilika Hysi: Dakord, sepse në CV kishte një vakum
Luan Daci: Doja tu angazhohesha në administratë ose me ndonjë rrugë jashtë shtetit. Jashtë shtetit nuk kisha mundësi të shkoja, dhe në vitin 2000 kam marrë licencën e avokativë të cilën ma ka dhënë direkt ministri duke më vlerësuar.