Skandali i Vettingut. Shkarkon prokurorin Trenova që vendosi përgjimin e kupolës së PS
Pas publikimit të përgjimeve të manipulimit masiv të votave në Dib2r nga gazeta gjermane Bild, Kryeministri Rama sulmoi personat që ai mendon se i kanë nxjerrë ato. Në një mesazh në Tëitter, Rama shkroi: “Ky është i gjithi një skandal i turpshëm,i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori+një birbo tjetër që doli cullak nga Vetingu, të cilët jo vetëm kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur përgjimet për shantazhe e lojë politike, po s’kanë hetuar asgjë.
Sulmi u përforcua nga numri dy i PS Taulant Balla, një ditë më pas, i cili në emisionin ‘Opinion’ u shpreh se përgjimet kanë dalë nga një prokuror “i fshirë nga vetingu”.
Duket se prokurori të cilit i referohen Rama dhe Balla është Gentian Trenova.
Trenova u caktua prokurori i hetimit të manipulimit të zgjedhjeve vendore në Dibër, njohur më pas si dosja 184, pas kallëzimit të Partisë Demokratike në fillim të shtatorit 2016.
Si pjesë e hetimit, Trenova vuri në përgjim një mori zyrtarësh të pushtetit vendor dhe të Partisë Socialiste të Dibrës, tre ditë para votimeve të 11 shtatorit.
Në një intervistë për BIRN, Trenova pohoi se menjeherë pas kallëzimit u vendosën nën përgjim rreth 20 numra telefoni.
“Përgjatë ditëve 8, 9 dhe 10 shtator 2016 u përgjuan me dhjetra telefonata, ku ndër të tjera flitej për blerje e votash,” tha Trenova, i cili shtoi se mes bisedave të përgjuara ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.
Duket se përgjimet e publikuara nga Bild janë pjesë e hetimit të nisur nga Trenova.
Ai qendroi vetëm dy muaj me këtë dosje, sepse në nëntor 2016 ai u transferuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Apelit Tiranë.
Rreth dy vjet më pas, në qershor të 2018, Trenova u shkarkua nga KPK, për parregullsi të vogla në blerjen e një apartamenti, pavarësisht se e gjithë pasuria e tij u gjet e justifikuar nga burime të ligjshme financiare.
Shkarkimi i tij është një ndër vendimet më të debatuara të vetingut, për një nga të pakët prokurorët që gëzon emrin e profesionistit të ndershëm.
Sulmet e fundit politike ndaj tij ngrenë dyshime se Trenova mund të jetë shkarkuar nën ndikimin politik të qeverisë, pas guximit të tij për të përgjuar funkionarët e lartë socialistë.
Reagimet e hapura publike me gjuhë përbuzëse dhe fyese të Kryeministrit Rama ndaj Trenovës dëshmojnë urrjetje dhe ndjenjë hakmarrjeje, që përforcon idenë se Kryeministri Rama nuk e pranon dot ende faktin se dikush guxoi të përgjojë bashkëpunëtorët e tij të përfshirë në aktivitete kriminale.
Pas botimit të bisedave skandaloze të Bild, Kryeministri nuk ka dënuar, nuk ka kritikuar dhe nuk është distancuar nga asnjë nga zyrtarëve të tij të kapur duke bashkëpunuar me kriminelë dhe me persona të tjerë për të vjedhur vota, as në rastin e Durrësit dhe as në atë të Dibrës. Madje me sjelljen dhe veprimet e tij, Kryeministri i ka mbrojtur haptazi ata. Ai ka zgjedhur të sulmojë prokurorët që hetuan dosjen.
Donika Prela ka urdhëruar fillimin e dy hetimeve paralele për nxjerrjen e sekretit hetimor. Pohimet e Ramës dhe të Ballës janë një mesazh i qartë se kë duhet të nxjerrë ajo fajtor nga këto hetime.
Sulmi i Kryeministrit ndaj Trenovës është ilustrim i dështimit të reformës në drejtësi. Qëllimi i reformës ishte që prokurorët të nxirrnin përpara drejtësisë politikanët e korruptuar dhe kriminelët, por reforma ka përfunduar në një mjet sulmi që përdoret nga politikanët e korruptuar dhe kriminelët kundrejt prokurorëve. Ndaj, Kryeministri mburret publikisht me krenari për prokurorë që ka hequr reforma në drejtësi.
Marrë me shkurtime nga exit.al