“Panama Papers”.Policia zviceriane bastis zyrën e Presidentit të FIFA
Aludimet për një përfshirje të mundshme në Panama Papers të Presidentit të ri të FIFA-s Gianni Infantino, u raportuan dje nga media botërore. Këtë të mërkurë Infantino ka reaguar duke hedhur poshtë aludimet. Po ndërkohë policia sviceriane ka shkuar në zyrat qendrore të UEFA-s dhe ka kontrolluar për dokumentat e firmosura nga Infantino.
“Siç e thashë, vijon më tej Infantino në një komunikatë të publikuar nga FIFA, personalisht nuk kam pasur të bëj asnjëherë me “Corce Trading” dhe me pronarët e tyre. Dua të shtoj se as un e as UEFA nuk jemi kontaktuar kurrë nga asnjë autoritet në lidhje me këto kontrata. Ndër të tjera, ashtu si dhe mediat kanë raportuar, nuk ka asnjë provë parregullsie nga ana e Uefa-s dhe nga ana ime”, u shpreh Infantino.
Sipas letrave të Panamasë, Infantino, në atë kohë drejtori i shërbimeve legale në UEFA, ka firmosur një të drejtë televizive në 2006, me dy biznesmenë, që janë kapur nga drejtësia nën akuzën e korrupsionit.
Dokumentat e dalë nga Mossack Fonseca tregojnë për një kontratë të 2006, për të shitur të drejtat televizive të Ekuadorit për Champions League, Uefa Cup dhe Super Cup.
Marëveshja ishte bërë mes dy personave, Hugo Jinkis dhe Mariano Jinkis (i biri i Hugo).
Kompania e tyre ishte regjistruar në Niue, një vend me parajsë fiskale në Jug të Pacifikut. Ata i blenë të drejtat televizive për 111 mijë dollarë dhe menjëherë shitën ato tek televizioni i Ekuadorit Teleamazonas për 311, 170 dollarë, pra rreth 3 fish më shumë.
(Burimi “The Guardian”)