Skema e grabitjes dhe e tjetërsimit të 342 ha tokë në bregdetin e Vlorës

Nga Lindita Çela

BIRN

Prokuroria e Vlorës dërgon për gjykim pesë të pandehur për falsifikimin e tokave me vlerë mbi 210 milionë euro, ndërsa rrëzon akuzat për Pullumb Petritajn dhe noteren. Biznesmenët që harxhuan vlera të konsiderueshme parash për blerjen e tokave të lakmuara paralajmërojnë padi të reja.

Një vit pas zbulimit të skemës së grabitjes së 342 hektarëve tokë në zonat turistike të Karaburunit, Zvërnecit dhe Palasës në Vlorë, Prokuroria u ka dhënë fund hetimeve me konkluzionin se pronat me vlerë tregu mbi 210 milionë euro u përfituan mbi bazën e vendimeve gjyqësore të falsifikuara dhe më pas u shitën apo u falën tek një rreth i gjerë njerëzish.

Në kërkesën për gjykim të dorëzuar në Gjykatën e Vlorës më 21 korrik 2017, një kopje të cilës disponohet nga BIRN, Prokuroria ngarkon me përgjegjësi penale pesë persona dhe kërkon shpalljen e tyre fajtorë për veprat e “falsifikimit të dokumenteve”, “pastrimit të produkteve penale…” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Dy prokurorët e çështjes, Albert Kuliçi dhe Urim Buci argumentojnë se autorë të falsifikimeve janë ish-varrmihësi nga Vlora, Raimond Mëzi dhe avokati i tij, Enkes Hysendhima,  Lefter Gjergji, ish-arkivistja e Gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj dhe Blerina Dhrami, punonjëse e hipotekës së Vlorës.

Ndryshe nga hetimet fillestare, Prokuroria ka rrudhur numrin e personave të implikuar në kërkesën për gjykim, duke përjashtuar nga akuzat biznesmenin Pullumb Petritaj, njëherazi ish-kryetar i Partisë Republikane të Vlorës dhe noteren Belona Seraj.

Petritaj u shpall në kërkim në qershor të vitit 2016 nga Prokuroria, pasi u akuzua si pjesë e grupit që ishte përfshirë në skemën e falsifikimit të tokave në Karaburun, Zvërnec dhe Palasë.  Prokuroria e Vlorës nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi statusin aktual të Petritajt apo për arsyet që çuan në rrëzimin e akuzave kundër tij dhe noteres Seraj.

Hetimi i Prokurorisë mbi njërin prej falsifikimeve më të mëdha të pronave në Shqipëri nisi në shkurt të vitit 2016, pas kallëzimit penal të njërit prej pretenduesve të tokës, Malo Bado.

74-vjeçari iu drejtua Prokurorisë pasi kishte dështuar për 1 dekadë të fitonte të drejtën e pronës në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun-tokë që sipas tij iu grabit nga “mafia e pronave të Vlorës”.

Hetimi është i ndarë  në tre episode të ndryshme dhe ndjek gjurmët e tjetërsimit të 220 hektarëve tokë në gadishullin e Karaburunit, 89 hektarëve në Zvërnec dhe 33 hektarëve të tjerë në bregdetin e lakmuar të Palasës.

Tjetërsimi i secilës prej pronave, sipas hetimit të Prokurorisë u ngrit mbi krijimin dhe futjen në arkivën e Gjykatës së Rrethit Vlorë të dosjeve gjyqësore të sajuara dhe vendimeve fiktive të tre gjyqtarëve, firmat e së cilëve rezultuan gjithashtu të falsifikuara.

Vendimet e falsifikuara gjyqësore u përdorën më pas në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku u certifikua tjetërsimi i pronësisë së tre sipërfaqeve të mëdha të tokës.

Prokuroria deklaron se Raimond Mëzi u regjistrua si pronar i 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve në Zvërnec, ndonëse nuk kishte aplikuar asnjëherë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive, ZVRPP. Njësoj si Mëzi, edhe Filip Gjergji u bë pronar i 33 hektarëve tokë në Palasë përmes një skeme të ngjashme.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pas regjistrimit në hipotekë, pronat i janë nënshtruar ndarjes në parcela më të vogla dhe tjetërsimit përmes kontratave multimilionëshe të shitjes apo të shkëmbimit me persona të tretë përgjatë viteve 2012-2016.

Kalimi i pronësisë nga njëra dorë në tjetrën tregon se pjesa e luanit të 342 hektarëve tokë u tjetërsua përmes kontratave të shkëmbimit të pasurisë. Ndërkohë, sipërfaqe të konsiderueshme iu shitën biznesmenëve të ndryshëm për vlera të konsiderueshme parash, investime të djegura pas vendimit të Prokurorisë dhe Gjykatës së Vlorës për sekuestrimin e tokave të grabitura.

Hetimi i Prokurorisë së Vlorës dhe procesi i pritshëm gjyqësor ndaj pesë të pandehurve duket se nuk do të jetë konflikti i vetëm mbi skemën e falsifikimit të 342 hektarëve tokë.

Në reagimet për BIRN, përfaqësuesit e disa bizneseve që humbën shuma të mëdha parash në blerjen e pronave paralajmëruan padi të reja ndaj personave që i mashtruan, duke e quajtur veten viktima të kësaj skeme falsifikimi.

Pronar me firmë në të bardhë

Shtëpia e Raimond Mëzit në lagjen “Partizani” të Vlorës. Foto:Lindita Çela

Raimond Mëzi, një 55 vjeçar nga Vlora që ka punuar për vite të tëra në varrezat e qytetit dhe që jeton në një shtëpi të varfër në lagjen “Partizani” është sipas hetimit 1-vjeçar të Prokurorisë, përfituesi kryesor i tokës së tjetërsuar në bregdet.

Mëzi akuzohet si autor i falsifikimit të dy dosjeve gjyqësore dhe dokumenteve shoqëruese me qëllim përfitimin e 309 hektarëve tokë-vepër të cilën sipas Prokurorisë e ka kryer në bashkëpunim me avokatin e tij, Enkes Hysendhima, arkivisten e Gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj dhe punonjësen e hipotekës, Blerina Dhrami.

Ai është regjistruar si pronar i 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në vendin e quajtur Shën Velash në Zvërnec-prona që sipas Prokurorisë kanë një vlerë tregu prej 210 milionë eurosh. Në zemër të falsifikimit të pronësisë qëndrojnë dy procese të pandodhura gjyqësore.

Vendimi i parë gjyqësor që njeh Mëzin si pronar të tokës në Karaburun mban datën 29 dhjetor 2000, i nënshkruar nga gjyqtari Thoma Nika. Ndërsa vendimi i dytë gjyqësor që i njeh atij pronësinë e 89 hektarëve në Zvërnec mban datën 29 dhjetor 2003 dhe firmën e gjyqtarit Skerdilajd Konomi-i vrarë në një atentat me tritol në vitin 2011.

Pas dhjetra ekspertimeve grafike dhe dëshmive përkatëse, Prokuroria e Vlorës ka arritur në përfundimin se proceset gjyqësore nuk kanë ndodhur asnjëherë, firmat e gjyqtarëve janë falsifikuar dhe se dosjet përkatëse janë krijuar me dokumente të falsifikuara dhe janë futur në arkivën e Gjykatës së Vlorës nga personi përgjegjës i arkivës, Donika Besimaj.

“Nga hetimi është provuar se e gjithë dosja gjyqësore dhe aktet që ndodhen në të janë tërësisht të falsifikuara dhe janë futur në kundërshtim me ligjin në arkivën e Gjykatës,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Prokuroria ka hetuar gjithashtu regjistrimin e dy pronave në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku rezulton se është përdorur aplikimi i një personi tjetër për të krijuar dokumente të reja të falsifikuara-përgjëgjësi që i ngarkohet të pandehurës Blerina Dhrami.

Zanafilla e falsifikimeve të njëpasnjëshme ngrihet mbi një vendim të vitit 1996 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit në Vlorë, sipas së cilës Jakup Mëzit-baba i Raimond Mëzit i njihet një sipërfaqe prej 6600 metrash katrorë tokë. Mbi këtë dokument është prodhuar një tjetër i falsifikuar, që presupozon se familja Mëzi zotëron 220 hektarë.

Në dëshminë e tij për Prokurorinë, Raimond Mëzi hedh poshtë akuzën se ai është përfituesi i 309 hektarëve tokë në Karaburun dhe Zvërnec.

Mëzi ka deklaruar në Prokurori se nuk kishte dijeni për vendimin e falsifikuar të KKKP Vlorë që e bën atë pronar të 220 hektarëve tokë, ndërsa mohon të ketë ngritur padi në Gjykatën e Vlorës apo të ketë bërë aplikim për regjistrimin e tokës në hipotekë.

“Sipas tij, aplikimi mund të jetë bërë nga avokati i tij, Enkes Hysendhima, pasi ky i fundit duke vepruar në emrin e tij, ka shitur disa prona në Karaburun dhe i ka dhënë shumën prej 4 milionë lekësh me këste, si çmim për shitjen e kësaj prone,” citohet të ketë dëshmuar Mëzi në kërkesën për gjykim.

Mëzi ka pranuar në Prokurori se ka nënshkruar kontratat që mbajnë firmën e tij, por ai ka shtuar se nuk ka asnjë dijeni mbi përmbajtjen e tyre pasi ka nënshkruar në fletë të bardhë.

“Ky shtetas ka deklaruar se është paraqitur tre herë pranë zyrës së noteres [Belona Seraj] dhe ka nënshkruar në të tre rastet fletë të bardha bosh. Pranë zyrës së noteres ai është dërguar nga i pandehuri Enkes Hysendhima, i cili i ka telefonuar në të tre rastet që të paraqitej para noteres për të nënshkruar,” thuhet në kërkesën për gjykim.

Dëshmia e Mëzit mbi firmosjen në fletë të bardha gjen mbështetje edhe në një kontroll që prokurorët e çështjes kanë ushtruar në zyrën e noteres Belona Seraj. Gjatë kontrollit u sekuestruan dhjetra fletë të nënshkruara në të bardhë, një praktikë që duket se ndiqej rëndom nga noterja.

Tjetërsimi i pronës

Të dhënat e siguruara nga BIRN në kërkesën për gjykim të Prokurorisë dhe kontratat e shitjes tregojnë se Mëzi u regjistrua si pronar në fund të vitit 2012-edhe pse nuk aplikoi asnjëherë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Menjëherë pas këtij akti, pronat u ndanë në sipërfaqe më të vogla dhe u shkëmbyen apo u shitën me pjesë.

Në 2 tetor 2014, në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë pasuria prej 220 hektarësh është ndarë në dy sipërfaqe-njëra 90 hektarë dhe tjetra 130 hektarë.

Një javë më pas- më 10 tetor 2014, përfaqësuesi me prokurë i Raimond Mëzit, avokati Enkes Hysendhima ka firmosur kontratën e shitjes së 90 hektarëve tokë në Karaburun me kompanitë “House of Arts” dhe “Digitalnetworks”-kontratë me vlerë 180 000 euro.

“House of Arts” është një kompani organizimi eventesh e deputetit socialist, Fidel Ylli, por që administrohet nga personi i besuar, Elida Heba. Ndërsa “Digitalnetworks” zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi konsull nderi i El Salvadorit në Shqipëri.

Pas shitjes së 90 hektarëve për 180 mijë euro, pjesa e mbetur prej 130 hektarësh në Karaburun i kalon përmes një kontrate shkëmbimi Artur Shehut- një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kompania Petritaj & Hysendhima

Në vjeshtën e vitit 2014, kur kulmuan transaksionet mbi 220 hektarët në Karaburun, Pullumb Petritaj dhe Enkes Hysendhima janë bërë ortakë në një shoqëri aksionere për ndërmjetësime dhe transaksione të pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, kompania “Land and Property Development” u themelua më 27 tetor 2014 me një kapital fillestar prej 3.5 milionë lekësh. Kompania me administrator Pullumb Petritaj rezulton të jetë ende aktive. Petritaj dhe Hysendhima zotërojnë nga 33 % të aksioneve, ndërsa 34 për qind e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Gent Prizreni.

Transaksioni është kryer më 4 dhjetor 2014, ndërsa kontrata e shkëmbimit mban firmat e Enkes Hysendhimës-përfaqësues me prokurë i Raimond Mëzit dhe Pullumb Petritajt, përfaqësues i Artur Shehut në të gjitha veprimet ligjore.

Sipas Prokurorisë, përmes kontratës me nr: 1081 rep dhe nr: 613/1 kol Mëzi shkëmbeu 130 hektarë tokë në Karaburun me një sipërfaqe prej 19.9 hektarësh në pronësi të Artur Shehut.

Pasi u bë pronar i 130 hektarëve në Karaburun, Artur Shehu përmes përfaqësuesit të tij me prokurë, Petritaj e ka ndarë pronën në 4 pjesë përgjatë periudhës mars-tetor 2015.

Në mars të vitit 2015, pesë hektarë i janë shitur biznesmenit Arian Laçi me një vlerë prej 9 milionë e 850 mijë lekësh. Ndërsa në janar 2016, Pullumb Petritaj ka firmosur gjithashtu shitjen e 20 hektarëve tokë te biznesmeni vlonjat Thodhori Gjiknuri për 39 milionë e 600 mijë lekësh.

Përveç 130 hektarëve në Karaburun, Artur Shehu rezulton të jetë përfituesi kryesor edhe i sipërfaqes prej 89 hektarësh në Zvërnec-të cilën e ka përfituar gjithashtu përmes kontratës së shkëmbimit. Të gjitha kontratat për tokën në Zvërnec janë firmosur sërish nga përfaqësuesi Petritaj.

Humbja e shumave të mëdha të parave për blerjen e tokave në bregdet ka zemëruar përfaqësuesit e kompanisë “House of Arts” dhe biznesmenin Thodhori Gjiknuri. Të kontaktuar nga BIRN, ata thanë se janë viktima të falsifikimeve dhe kanë paralajmëruar veprime të tjera ligjore kundër personave që u shitën pasuritë.

“Në këto transaksione kemi humbur shuma të konsiderueshme parash, ndaj sigurisht që do ta ndjekim çështjen ligjërisht, pasi jemi viktima të kësaj skeme falsifikimi,” tha Elida Heba për BIRN.

Njësoj si Heba, edhe ndërtuesi Gjiknuri është duke pritur përfundimin e hetimeve për të ngritur padinë e tij.

“Unë do të padis ata që më shitën këtë pronë. Por sigurisht që përgjegjësi duhet të mbajnë dhe ata përfaqësues së institucioneve shtetërore, të cilët certifikojnë dokumentet zyrtare,” tha Gjiknuri.

BIRN e pati të pamundur të kontaktojë Artur Shehun, Arian Laçin dhe Gerian Kukën, të cilët rezultojnë të jenë përfshirë në transaksionet me pronën. Edhe biznesmeni Pullumb Petritaj ishte i pamundur të kontaktohej.

Falsifikimi i 33 ha në Palasë

Prokuroria e Vlorës akuzon Lefter Gjergjin për përfitimin e 33 hektarëve tokë në bregdetin e Palasës përmes falsifikimit të dokumenteve, vepër penale kjo e kryer në bashkëpunim me të pandehurat Blerina Dhrami dhe Donika Besimaj.

“Nga viti 2012 e në vijim, pjesa më e madhe e kësaj toke është shitur apo dhuruar tek personat e tjerë, me qëllim mbulimin e origjinës së saj të paligjshme,” thuhet në kërkesën për gjykim.

Një kopje e kërkesës për gjykim, dorëzuar nga Prokuroria në Gjykatën e Vlorës.

Hetimi i Prokurorisë ka zbuluar se ndryshe nga dy episodet e mësipërme ku janë krijuar procese gjyqësore që nuk janë zhvilluar kurrë, në rastin e Gjergjit është manipuluar një proces për njohje fakti përmes falsifikimit të akteve të dosjes dhe vendimit të gjyqtarit.

Pas falsifikimeve të kryera në arkivën e gjykatës, Gjergji, i cili pretendonte pronësinë për 5 hektarë tokë është bërë pronar i 33 hektarëve.  Vendimi i falsifikuar gjyqësor i datës 2 tetor 2003 është përdorur për regjistrimin e pronës në hipotekë nga e pandehura Blerina Dhrami dhe më pas, toka i është nënshtruar tjetërsimeve të mëtejshme.

Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë thuhet se përfitues të kësaj pasurie janë bërë tetë persona, mes të cilëve Renald Kobure, një ish-punonjës i ZVRPP Vlorë dhe Ervin Dalipaj, ish-oficeri i policisë së vrarë në prill 2017 dhe disa sipërmarrës.

Në qershor 2016, Prokuroria akuzonte edhe Pullumb Petritajn si pjesë të bashkëpunëtorëve të Lefter Gjergjit për falsifikimin e pronësisë së 33 hektarëve në Palasë. Të dhënat e siguruara nga BIRN në vendimin e gjykatës së 2016-s mbi masat e arrestit tregojnë se Petritaj kishte “rol në menaxhimin e shitjeve të pronës”.

Në kërkesën e dorëzuar në Gjykatë, Prokuroria e Vlorës e ka përjashtuar përfshirjen e biznesmenit-ndonëse nuk i ka dhënë përgjigje pikëpyetjeve se pse një sipërfaqe e tokës së Gjergjit është dhuruar për të shlyer një borxh të mëparshëm të Petritajt.

Sipërfaqja prej 5 mijë metrash katrorë i është dhuruar një shtetasi të quajtur Lulzim Shusha. I pyetur nga Prokuroria, Shusha ka mohuar të ketë njohje apo miqësi me dhuruesin e tokës, Lefter Gjergji, por ai ka përmendur emrin e Petritajt si shkakun e këtij transaksioni.

“Lulzim Shusha ka deklaruar se me Lefter Gjergjin nuk kishte njohje apo ndonjë marrëdhënie miqësie. Kjo pasuri i është dhuruar prej tij për të shlyer një borxh që i kishte shtetasi Pellumb Petritaj,” thuhet në kërkesën për gjykim të Prokurorisë.

Gjithashtu, bashkëshortja e Petritajt bleu 5 mijë metra katrorë tokë në Palasë  për 1 635 000 lekë. Më pas, ajo shiti gjysmën e kësaj sipërfaqeje për 500 mijë lekë.

(BIRN)

SHKARKO APP