Socialistët me letra të hapura: Refuzoni votimet pa zgjedhje!

Nga Irena Beqiraj*

Letër e hapur popullit tim!

I nderuar Shqiptar që po lexon këto rreshta,

Vendosa të shkruaj pikërisht sot kur për vitin e dytë radhazi Komisioni Europian jep rekomandim pa kushte për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, ndërkohë që Holanda i kërkon po Komisionit kthimin e vizave për Shqiptarët.

Pikërisht sot kur kreditimi në ekonomi ka rënë sërish për muajin Prill, por qeveria është besim plotë, që një kompani e mesme për nga madhësia, mund të marrë borxh 70 milionë euro.

Sot që rritja e investimeve të huaja është e dukshme në 1 miliard lek por që fatkeqësisht akoma këto investime, shkojnë vetëm në shfrytëzimin e pasurive natyrore që kemi.

Vendosa të shkruaj sot sepse partia ime ku unë aderoj hap fushatën e zgjedhjeve vendore, ku do të valviten flamujt e fitores, ndërsa opozita nesër proteston që nuk do të këtë zgjedhje dhe do të çirret në zemërim.

E mbase vendosa te shkruaj sot, sepse është periudhë ku letrat janë marrëzisht në modë. Por fatkeqësisht deri tani, jo si një mënyrë reflektimi edhe përmbajtje për të mos in thënë fjalët nxitimthi, por vijnë si justifikim i pastër i pavlerë si kofini pas të vjelit.

Natyra na ka bekuar me pasuri me ujë e me Diell. Kemi gjithçka që kemi nevojë! Vendet e zhvilluara do të donin të kishim shumë më pak nga ato që kemi dhe i harrojnë. Të pasur, por ne ende jetojmë në zemërim, urrejtje dhe varfëri. Hipokrizia ushqen makinat e liderëve tanë; propaganda dhe gënjeshtra, formojnë mendimet tona. Lakmia, zilia dhe urrejtja i kanë skllavëruar mendjet tona. Ne mendojmë se e njohim armikun e vërtetë, ndërsa armiku i vërtetë është “injoranca” që është ulur këmbëkryq në partitë tona, në institucionet tona, në ekranet tona.

Ju mendoni se kemi udhëheqës? Ne nuk kemi udhëheqës. E druaj se kurrë nuk kemi pasur. Ne kemi dështuar të kuptojmë se çfarë e karakterizon një udhëheqës.

Një udhëheqës nuk është ai që është zgjedhur nga partia, për të udhëhequr partinë, nuk është ai që është zgjedhur për të të drejtuar qeverinë. Udhëheqës është ai që është i kujdesshëm me çdo fjalë që nxjerr nga goja, me çdo vendim që merr për vendin e tij. Udhëheqës është ai që për të mbajtur popullin të bashkuar është i gatshëm të shpërfillë propagandën, dhe të arrijë kompromise pa kushte.

Udhëheqës është ai që nuk ka nevojë të kërkojë të vërtetat në raportet e ndërkombëtareve, duke pritur dëshpërimisht një fjalë të mirë për punën e tij duke thënë “ E shikoni kemi punuar!”

Udhëheqës e burrë shteti është ai që ndahet nga pushteti “me një ndarje për të qenë” edhe pse siç thotë Kadare për të ndërtuar një ndarje për të qenë është më vështirë se të ngresh një piramidë”.

Populli im, uroj me gjithë shpirt që Europa të hapë negociatat për të prurë sadopak shpresë ndër nesh, për të na ndihmuar të gjejmë rrugën e humbur, edhe pse në ato negociata nuk do të ulemi ballëlartë e si palë e barabartë me anën tjetër të tavolinës, pasi do të na duhen 4 dekada (sipas Bankës Botërore) për të arritur standardin e tyre ekonomik e shoqëror. Dua pafund që ajo derë të hapet, megjithëse e di që nën udhëheqjen e politikës së sotme Europa nuk do të jetë shumë afër për ne.

Nëse Liderët e arsyes së humbur, nuk gjejnë dot më arsyen për tu ulur në tavolinën e kompromisit pa kushte duke na shpjeguar njëri përse zgjedhjet nuk shtyhen e tjetri përse nuk do të këtë zgjedhje, ne duhet t’i refuzojmë.

Populli im, duhet ta refuzojmë me qytetari këtë politikë. Duhet të refuzojmë hedhjen e bombave moltov, duhet të refuzojmë djegien qoftë edhe të një fije bari e cila sërish do të zëvendësohet me paratë tona, si kurse duhet të refuzojmë pa hezitim votimet pa zgjedhje.

*Ish-zëvendësministre e Financave në qeverinë “Rama”.

SHKARKO APP