Sonte Hëna e Përgjakur!
Ngjarja e parë e madhe astronomike e vitit po afron: një eklips total hënor, i njohur ndryshe si “Hëna e Përgjakshme”. Më 3 mars, sateliti natyror i Tokës do të marrë një nuancë të kuqërremtë në kafe, duke krijuar një nga spektaklet më të bukura qiellore. Megjithatë, fenomeni nuk do të jetë i dukshëm nga Shqipëria.
Eklipsi nuk do të shihet as në pjesën më të madhe të Evropës dhe Afrikës. Ai do të jetë plotësisht i dukshëm vetëm në Amerikën e Veriut dhe Amerikën Qendrore, ndërsa në Amerikën e Jugut dhe në disa zona të Azisë Qendrore do të vërehet pjesërisht. Për publikun shqiptar, mënyra e vetme për ta ndjekur mbetet transmetimi i drejtpërdrejtë në platformat online.
Fenomeni do të nisë gjatë natës së 2 marsit dhe do të përfundojë pak para agimit të 3 marsit. Në momentin kulmor, Hëna e plotë do të marrë ngjyrën e saj karakteristike të kuqe për rreth 12 minuta, duke krijuar efektin që i ka dhënë edhe nofkën dramatike.
Gjatë një eklipsi total hënor, Dielli, Toka dhe Hëna rreshtohen pothuajse në mënyrë të përsosur. Toka bllokon dritën direkte të Diellit, por një pjesë e rrezeve kalon përmes atmosferës sonë. Atmosfera shpërndan dritën blu dhe lejon kalimin e dritës së kuqe, e cila projektohet mbi sipërfaqen hënore. Është sikur të gjitha lindjet dhe perëndimet e diellit të Tokës reflektohen njëkohësisht mbi Hënë, duke i dhënë asaj ngjyrën e errët, të kuqërremtë-kafe.
Eklipset totale hënore ndodhin pak më rrallë se ato diellore. Sipas të dhënave të NASA-s, një “Hënë e Përgjakshme” shfaqet mesatarisht çdo 2.5 vjet, ndërsa një eklips total diellor ndodh rreth çdo 18 muaj. Edhe pse këtë herë nuk do ta shohim nga Shqipëria, fenomeni mbetet një kujtesë e bukur e mekanikës së përkryer qiellore që zhvillohet mbi ne.
Eklipsi total hënor ndodh kur Dielli, Toka dhe Hëna rreshtohen në një vijë pothuajse të drejtë, me Tokën në mes. Në këtë moment, hija e Tokës bie mbi Hënë dhe bllokon dritën e drejtpërdrejtë të Diellit.
Por Hëna nuk zhduket plotësisht. Arsyeja pse ajo bëhet e kuqe lidhet me atmosferën e Tokës. Kur rrezet e Diellit kalojnë nëpër atmosferë, ato shpërndahen. Drita blu shpërndahet më shumë (njësoj siç ndodh kur qielli duket blu), ndërsa drita e kuqe kalon më lehtë dhe përthyhet drejt hijes së Tokës, duke ndriçuar sipërfaqen hënore me një nuancë të kuqërremtë.
Me fjalë të thjeshta, gjatë eklipsit total hënor, Hëna ndriçohet vetëm nga drita e kuqe e filtruar nga atmosfera jonë. Është sikur të gjitha lindjet dhe perëndimet e diellit në Tokë projektohen njëkohësisht mbi Hënë.
Ky fenomen ndodh vetëm gjatë fazës së Hënës së plotë, por jo çdo muaj, sepse orbita e Hënës është e pjerrët rreth 5 gradë ndaj orbitës së Tokës. Vetëm kur rreshtimi është perfekt dhe Hëna kalon brenda hijes së plotë të Tokës (umbra), ndodh një eklips total hënor.
KOHA JONË SONDAZH

