Sot artistët para SPAK-ut: Ose hetoni, arrestoni e vendosni drejtësi ose do ta vendosim vetë me popullin!

Për të “zgjuar” institucionet e drejtësisë ose për tu treguar, nëse ende nuk e kanë marrë vesh se Teatri Kombëtar u shemb, aktivistë të Aleancës për Teatrin dhe qytetarë do të protestojnë sot në orën 11: 30 para zyrave të SPAK. Është një protestë që zhvillohet nga artistët, por qytetarë dinjitozë që kërkojnë nga institucionet të bëjnë punën e tyre. Nuk është presion ndaj drejtësisë, por një kujtesë se sot Teatri Kombëtar është një vend krimi, korrupsioni dhe abuzimi që duhet hetuar.

Ka katër ditë që në mënyrë të jashtëligjshme dhe me dhunë barbare ndaj artistëve është shembur Teatrit Kombëtar. Institucione dhe politikanë ndërkombëtarë janë shokuar nga shembja e godinës dhe nga rrahja e qytetarëve. Nuk ka mbetur media në botë pa shkruar dhe pa denoncuar një krim kulturor dhe krimin kundër artistëve. Të vetmit që duket se ende nuk e dinë çfarë ka ndodhur janë institucionet e drejtësisë në Shqipëri. Prokuroria e Tiranës, SPAK dhe një sërë mekanizmash të drejtësisë që janë zgjedhur dhe paguhen për të zbatuar ligjin, këto ditë kanë marrë rolin e spektatorit. Prokurorët specialë që kanë hapësira ligjore të ndalojnë çdo zyrtarë të lartë, ende nuk kanë marrë mundimin të bëjnë një verifikim të thjeshtë kush ja dha urdhrin policisë dhe fadromistit të shembnin Teatrin Kombëtar? Kush urdhëroi që policia të hynte në një aksion me armë dhe mbi të gjitha të maskuar dhe pa numra identifikimi? Mbi çfarë baze ligjore një objekt me rëndësi kombëtare hiqet nga fondi i pronave të qeverisë, i kalon bashkisë dhe kjo e fundit për 24 orë vendos shembjen? Pse pa u zbardhur vendimi i këshillit të bashkisë u firmos shembja në kundërshtim të hapur me ligjin?
Këto janë vetëm disa nga çështjet, që një prokuror special, vetëm duke parë dhunën dhe gjakosjen e njerëzve mund të niste hetimet, kryesisht, pa pasur nevojë për padi. Mirëpo fakti është se për Teatrin Kombëtar ka padi nga Presidenti i Republikës në Gjykatën Kushtetuese dhe disa padi nga Aleanca për Mbrojtën e Teatrit. Të gjitha këto padi që janë në proces e vënë prokurorinë para një fakti të kryer dhe i jepte asaj të drejtën që të ndalonte shembjen në orën 04:00 të mëngjesit. Në momentin që ka padi në gjykata për një çështje, njëra palë, pra qeveria dhe bashkia nuk mund të kryenin asnjë akt mbi Teatrin Kombëtar. Fakti është se pa marrë parasysh asnjë nga bazat ligjore, qeveria e shembi godinën dhe kaq do të mjaftonte ndaj atyre që kanë firmosur të ishin bërë gati fletë arrestet. Moria e shkeljeve ligjore është aq e madhe se gjithë Këshilli Bashkiak i Tiranës mbledhjen e radhës duhet ta kishte zhvilluar brenda në sallën e gjyqit. Pa folur më pas për një pjesë të drejtuesve të policisë dhe Inspektoratit të Ndërtimit që shkelën ligjin aq rëndë duke zbatuar urdhrat politikë. Sigurisht, nëse prokuroria do të bënte detyrën seriozisht dhe do të zbërthente skemën e atentatit ndaj trashëgimisë kulturore, urdhrat politikë për arresimin e artistëve dhe politikanëve do ta çonin deri në zyrën e Edi Ramës. Në atë zyrë ku u gatua dhe operacioni më i errët kundër kulturës kombëtare dhe dhunimi ndaj artistëve dhe përfaqësuesve të opozitës.
Deri më sot SPAK dhe prokuroria nuk ka bërë asgjë nga këto. Vonesa në nisjen e procedimeve penale është shenja më e keqe që reforma në drejtësi po jep të shqiptarët. Nëse kjo prokurori nuk heton një krim në mes të Tiranës, të ndodhur brenda pak orëve, çfarë garancie kanë qytetarët se kjo reformë do të bëjë namin dhe do të pastrojnë vendin nga korrupsioni dhe krimi. Është mesazhi më i keq që po u jepet qytetarëve dhe është një sinjal dëshpërues për pavarësinë e kësaj drejtësie. Ata prokurorë që u përzgjodhën si më të pastrit dhe u betuan se do zbatojnë vetëm Kushtetutën dhe ligjit, me heshtjen që kanë mbajtur këto ditë, po na tregojnë se nuk kanë kurajë profesionale të hetojnë një akt kaq të dukshëm anti ligjor. E kanë detyrim ligjor që të hetojnë shkeljet e kujto qoftë në këtë krim që i është bërë vendit, por edhe si qytetar të këtij shteti duhet të flasin hapur nëse dikush po i pengojnë të dënojnë një krim të kryer hapur.
Për të “zgjuar” sot institucionet e drejtësisë ose për tu treguar, nëse ende nuk e kanë marrë vesh se Teatri Kombëtar u shemb, aktivistë të Aleancës për Teatrin dhe qytetarë do të protestojnë, në orën 11: 30 para zyrave të SPAK. Është një protestë që zhvillohet nga njerëz të zemëruar, por qytetarë dinjitozë që kërkojnë nga institucionet të bëjnë punën e tyre. Nuk është presion ndaj drejtësisë, por një kujtesë se sot Teatri Kombëtar është një vend krimi, korrupsioni dhe abuzimi që duhet hetuar. Drejtësia e re, ndryshe nga sa mendonte një pjesë e shoqërisë, nuk e shpëtoi Teatrin Kombëtar, madje e la të shembej në një aferë që vjen era korrupsion dhe abuzim. Është koha që kjo drejtësi të shpëtojë dhe fytyrën e saj, ndryshe reforma në drejtësi qenka jetë varrosur në gërmadhat e aferës që shembi Teatrin Kombëtar.
Mili Xhani

SHKARKO APP