Sot në mesditë deputetët do të djegin mandatet para popullit protestues

Deputetët e Opozitës së Bashkuar firmosën dje deklaratat për lënien e mandatit si ligjvënës të parlamentit shqiptar. Sapo Këshilli Kombëtar i PD-së votoi në mënyrë unanime djegien e mandateve, të parët ishin deputetët e PD që firmosën deklaratën individuale në dokumentin që zyrtarizon procesin e dorëzimit në KQZ. Pas PD-së, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe deputetët e tjerë të kësaj partie njoftuan firëmosjen e dokumentit. Ky hap i Opozitës së Bashkuar, që vjen pas vendimit politik të dy ditëve më pare, është shenja më e fortë në aksionin e opozitës. Fillimisht Edi Rama dhe të tjerë në PS bën humor me qëndrimin e opozitës, duke deklaruar se po luajnë bllofin dhe nuk do të shkojnë deri në dorëzimin e mandateve. Më pas nisin seritë e joshjeve të emrave të veçantë brenda opozitës me qëllim krijimin e një fraksioni që do të minonte aksionin e partive opozitare. Në këtë skemë të PS, me apo pa vetëdije, u përfshinë dhe ndërkombëtarët që dënuan në mënyrë të pa precedentë aktin e lënies së mandateve dhe inkurajonin deputetët që të mos u binden urdhrit të forumeve të partive. Megjithë shpresën e Edi Ramës për bllof dhe qëndrimet e kuptueshme të ndërkombëtarëve, dje partitë e opozitës dëshmuan se nuk ka më kthim pas. Përveç ndonjë emri deputeti nuk ka firmosur, pjesa tjetër tashmë e kanë marrë vendimin. Cilido dhe sado të jetë numri i renegatëve ata mund të etiketohen në shumë mënyra politike, por deputetë të opozitës dhe përfaqësues të qytetarëve opozitarë nuk mund të jenë më në Kuvend.

Dokumentet e firmosur nga deputetët e PD dhe LSI janë prova më e qartë se edhe ata që kishin dyshime për seriozitetin apo bllofin opozitarë, tashmë gjenden para faktit të kryer. Parlamenti shqiptar nuk ka më opozitë zyrtare dhe që nga rënia e komunizmit, kjo është e hera e parë që do të kemi Qeveri dhe Kuvend vetëm në dorën e një partie, si në kohën e diktatorit komunist. Ngërçi nuk është vetëm politik, por edhe institucional dhe kushtetues. Arsyet se përse situata erdhi deri këtu më shumë se në zyrat e partive opozitare duhen kërkuar në zyrën e kryeministrit dhe modelit qeverisës që u instalua në këto gjashtë vite. Zgjidhja e krizës tashmë nuk vjen më nga institucionet, por nga vullneti politik i kryeministrit Edi Rama, i cili këto ditë ndodhet në momentet më kritike të karrierës së tij politike. Rama ka prekur fundin e humnerës që prej 20 vitëve në pushtet.

Ndërkohë pas vendimit për mandatet, opozita ka paralajmëruar sot protestën e radhës para parlamentit. E njoftuar që më datën 16 shkurt, tubimi i sotëm pritet të jetë edhe më i madh. Për shkak të situatës së pa qartë dhe incidenteve që mund të ndodhin në protestë, kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi mori vendimin për të mos zhvilluar seancën. Pavarësisht nëse ishte kërkesë e ndërkombëtarëve, apo një reflektim i mazhorancës, kreu i Kuvendit argumentoi dje se me një miting opozitar jashtë sallës së Kuvendit dhe deputetë të PS që edhe mund të mbanin fjalime provokuese, situata mund të shpërthente në dhunë. Ndërkohë dje në mbrëmje kryeministria njoftoi se kreu i qeverisë do të ishte në një vizitë në jug të vendit. Është nga ato axhendat e sforcuara që ka qëllimin e vetëm largimin nga skena ku zhvillohen ngjarjet. Kështu bëri edhe me 16 shkurt ditën e protestës e cila kulmoi me incidente të dhunshme dhe hedhje gazi lotsjellës që thuhet se kishte doza helmuese.

Për protestën e sotme të opozitës ka pasur shumë paralajmërime dhe frikë për dhunë. Në fakt, dhuna nuk i intereson opozitës. Pas vendimit për djegien e mandateve, protestat e opozitës kanë nevojë për masivitet dhe mbështetje popullore. Protesta e sotme nuk ka skenar dhune nga opozita, por vetëm akte forme të djegies së mandateve para popullit. Vendimi ekstrem i daljes nga Kuvendi do të thotë se opozita tashmë është në krahun e qytetarëve që duan ndryshim dhe zgjedhje. Dhuna vetëm sa dëmton qëndrimin e Opozitës, nëse do vijë prej. Por Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë shprehur se duam manifestim të madh paqesor dhe kurrsesi asnjë shenjë dhune. Qeveria ka rënë tashmë, ndaj nuk ka pse lejohet dhunë apo forma sporadike dhune.

Opozita dyshon se dhuna do bëhet ngë njerëz të futur brenda popullit prej segmentëve kriminale të kryeministrit, që më pas t’ua lerë fajin liderëve të opozitës. Prandaj sot duan manifestim krejtësisht paqësor dhe të ruhen nga provokimet.

 

SHKARKO APP