Sot dita më e ftohtë në minus 4 në Tiranë . Minus 15 në zonat malore
E marta do të jetë dita më e ftohtë e kësaj jave. Alarmi është dhënë nga meterologët, të cilët parashikojnë një ulje të temperaturave në zonat malore deri në -15 gradë, ndërsa në Tiranë deri në -4 gradë. I pyetur nga Ora News për situatën e ditëve në vijim, metereologu pranë Institutt të Gjeoshkencës Metodi Marku shikon me shqetësim situatën e ngricave të cilat do të jenë të pranishme gjatë gjithë javës.
Vendi ynë prej ditësh është përfshirë nga temperaturat e ulëta, megjithatë duket se më e keqja nuk ka ardhur ende, pasi e marta e kësaj jave pritet të shënojë minimumin prej – 15 gradësh.
Në një intervistë për Ora News, Metodi Marku, metereolog pranë Institutit të Gjeoshkencës shprehet se data 19 janar do të jetë më e ftohta deri më tani.
Marku:Ditën e martë në zonat malore në lindje dhe në veri temperaturat minimale, pra temperaturat e mëngjesit, mund të shkojnë deri në -15 gradë Celsius, ndërkohë që sot në qytetin e Kukësit u regjistrua temperatura minimale e mëngjesit -9 gradë.Nesër do të jetë minimumi më i ulët i kësaj jave.
Temperaturat deri në -4 gradë nuk do të kursejnë as kryeqytetin.
Marku:Dita e nesërme për kryeqytetin ashtu si për të gjithë territorin pritet një rënie prej 4 gradësh, pritet një mëngjes që do të jetë diku -3,-4 gradë Celsius.
Marku vëren me shqetësim forcimin e ngricave në një pjesë të mirë të vendit si pasojë e temperaturave të ulëta, ndaj dhe sugjeron shmangien e udhëtimeve në zonat malore.
Marku: Duke parë nivelet e ulëta të temperaturave, sidomos në pjesën lindore dhe veriore këshillohet që drejtuesit e automjeteve të kufizojnë sa të jetë e mundur lëvizjet e tyre dhe në rast se është e pamundur, atëherë të jenë të kujdesshëm në përdorimin e zinxhirëve.
Sipas parashikimeve, gjatë kësaj jave nuk do të ketë reshje shiu, ndërkohë që në datat 20 dhe 21 janar priten rritje graduale të temperaturave.