Sot do jetë ditë e vështirë për kryeministrin Rama
Në orën 19:00 të ditës së sotme Fronti Opozitar do të zhvillojë protestën më të madhe kombëtare kundër kryeministrit Edi Rama. Protesta kombëtare para Kryeministrisë zhvillohet në kulmin e krizës politike pas djegies së mandateve dhe në momentin kur qeveria është përfshirë në skandalet më të mëdha të viteve të fundit. Pjesëmarrja pritet të jetë më masivja e gjithë protestave opozitare, pasi qytetarët janë njohur me përgjimet skandaloze të bandës së Shijakut, të cilët blejnë vota dhe caktojnë deputëtët, sipas BILD, për PS-në dhe kryeministrin Rama.
Tashmë nuk mban më durimi popullor, ndaj sot Basha ia ka lenë popullit të vendosë me vepra.
Nga përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bid”, rezulton se grupet kriminale, jo vetëm kanë në dorë gjithë strukturat e shtetit, por kanë ndikim dhe në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë të PS. Më flagrante në të gjithë historinë e përgjimeve është se konfirmohen qëndrimet e opozitës se zgjedhjet e vitit 2017 u blenë nga PS në bashkëpunim me bandat e drogës. Legjitimiteti i qeverisë dhe Parlamentit pas fakteve të reja ka rënë dhe kjo është një arsye më shumë që qytetarët të marrin pjesë në mënyrë masive në protestë, duke kërkuar largimin e kryeministrit. Por veç lidhjeve të faktuara mes krimit dhe qeverisë, dje shqiptarët morën përgjigjen përfundimtare se negociatat nuk do të hapen. Kancelarja gjermane Angela Merkel, fjala e së cilës ka peshën kryesore në politikën e BE deklaroi dje se Shqipëria nuk do të marrë çeljen e negociatave në muajin qershor. Në këtë mënyrë, qeveria “Rama” ka marrë shuplakën më të fortë nga ndërkombëtarët duke rrëzuar procesin e integrimit dhe për pasojë gjithë ato që Edi Rama quan reforma. Refuzimi gjerman kundër negociatave është dhe një përgjigje diplomatike për krizën në të cilën ndodhet Shqipëria, si dhe një sinjal që konfirmon se përgjimet e publikuara nga “Bild”, ku qeveria del e lidhur me krimin, janë një shqetësim real i Berlinit për atë që po ndodh në Tiranë. Një qeveri e huaj, qoftë edhe e BE, nuk mund të flasë më qartë se kaq për atë që po ndodh në Shqipëri. Një qeveri e huaj, nuk mund të kërkojë largimin e qeverisë së një vendi tjetër edhe nëse është në dijeni të krimeve. Mënyra sesi Gjermania, Holanda, Franca e të tjerë vende kanë zgjedhur të godasin qeverinë “Rama” është ajo që pamë dje për negociatat ku kancelarja gjermane Angela Merkel refuzoi të hapen negociatat me Shqipërinë. Dhe praktikisht këtë javë kancelaritë kryesore të BE-së e kanë rrëzuar Edi Ramën. Duke bllokuar negociatat, kanë reaguar edhe për krimin, drogën, korrupsionin, madje dhe për përgjimet e Shijakut dhe Durrësit dhe çdo gjë tjetër që ka denoncuar opozita. BE e dha notën negative për qeverinë Rama. Mos prisni që ndonjë ambasador të dalë dhe të thotë se kryeministri duhet të ikë. Në vende të diplomatëve të nivelit të ulët në Tiranë, këtë javë kulmore për krizën folën vetë drejtuesit e shteteve kryesore të BE, Gjermania, Franca dhe Holanda. Pjesa tjetër e procesit të largimit i takon opozitës dhe qytetarëve.
Ndaj, opozita e sheh mitingun e sotëm si sfidën kryesore të largimit të kryeministrit Edi Rama. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, u shpreh në një takim me strukturat e partisë se beteja e opozitës nuk është me socialistët, por me krimin që ka kapur pushtetin dhe shtetin në Shqipëri. Duke bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më masive, kryetarja e LSI u shpreh se tubimi i sotëm është i qytetarëve që kërkojnë një Shqipëri më të mirë dhe një qeveri që është në shërbim të gjithë njerëzve dhe jo oligarkëve. “Sot ndahet çështja. Ky moment këtu është vijë ndarëse, ose me ata, ose me ne. Kush jemi ne? Ne jemi ata që duam shtet, duam që në zyrat e qeverisë dhe të shtetit të qeverisin ligjet e shtetit, jo ta qeverisin horrat e të gjithë llojeve nga më të fëlliqurit dhe më të ndyrit. E patë përfundimisht. E gjithë Europa është në këmbë dhe është me ne. Dhe e keni parë që të gjithë mediat më të mëdha të botës, që do kishte ëndërr dikush që të dilte në pah, kanë dalë dhe ngritur një shqetësim mbarëbotëror. Edi Rama duhet të ikë,- tha Monika Kryemadhi. Me tone të ashpra, Kryemadhi u shpreh se largimi i Edi Ramës dhe njerëzve të inkriminuar afër tij është çështje nderi dhe ndërgjegjeje kombëtare. Ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në apelin që bëri dje për qytetarët theksoi se beteja e sotme është vendimtare jo thjesht për opozitën, por për gjithë qytetarët. Duke bërë thirrje që Edi Ramën ta dërgojnë sot në shtëpi, Basha u shpreh se sa më shpejt të largohet Edi Rama aq më mirë do të jetë për vendin. “Koha është tani për Shqipërinë e gjithë shqiptarëve! Sa më parë të largohet Edi Rama aq më më pak kosto e aq më mirë do jetë për të ardhmen e vendit. Ndaj ju ftoj sonte të dashur bashkëqytetarë, të bashkohemi si asnjëherë me njëri-tjetrin nesër (SOT) në orën 19:00 në protestën kombëtare”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Kreu i PD-së la të kuptohet se protesta do të jetë e ashpër dhe reagimi qytetar do të jetë i fortë. Sipas tij, nuk mund të dialogosh dhe të sillesh me standarde perënedimore me njerëz që janë faktuar si pjesë e bandave.
“Me kriminelët dhe të fortët nuk mund të përdorësh standarde perëndimore. Me të fortët dhe kriminelët nuk konkurrohet në zgjedhje. Ne nuk mund të konkurrojmë politikisht me Avdylajt në Durrës, me Habilajt në Vlorë, me Shullazët në Tiranë, me Rrajat dhe Bushët në Krujë…”- tha Basha duke nënkuptuar se e vetmja zgjidhje është largimi i Edi Ramës me çdo mjet.
Sot do jetë ditë e vështirë për Kombin pas orës 19:00.
Qamil Xhani