Sot femrat do provojnë të rrethojnë Edi Ramën në godinën e Kryeministrisë
Partia Demokratike ka planifikuar të zhvillojë sot një protestë të veçantë. Ndryshe nga herët e tjera, ku protestat u janë besuar militantëve të zjarrtë, këtë herë protesta do të zhvillohet nga Lidhja Demokrate e Gruas (LDG). Në orën 12:00 gratë demokrate do të tubohen para selisë së Kryeministrisë dhe për herë të parë nuk mblidhen për taksat, premtimet, abuzimet e pretenduara apo vendimet e diskutueshme të qeverisë, por për fjalorin e kreut të kabinetit qeveritar. Shkak është bërë seanca e së enjtes së kaluar, kur protesta e deputetëve të Partisë Demokratike përfundoi me vezë dhe me peceta të lagura në drejtim të kryeministrit.Sipas demokratëve shkak për hedhjen e vezëve u bë fjalori i kreut të qeverisë, konkretisht fyerja ndaj deputeteve Albina Deda dhe Abjola Halimi. Edhe pse fjalët, sipas tyre, i tha Rama vezët i “hëngri” ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj. Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan edhe përjashtimin e Kryeministrit nga punimet e Kuvendit për 10 ditë, për shkak të fjalorit të përdorur. Kërkesa e tyre nuk u mor parasysh nga Byroja e Kuvendit , ndaj ky vendim solli dhe acarimin e mëtejshëm të burrave dhe grave demokrate.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama ka një tjetër variant për akuzën që i bëhet nga Partia Demokratike. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë fyerje ndaj grave deputete të selisë blu. Madje, në vend të fjalëve ofenduese “mostër”, Rama deklaroi se e ka quajtur deputeten e djathtë “motër”. Por pavarësisht sqarimit të kreut të qeverisë qëndrimi i Partisë Demokratike nuk ka ndryshuar. Madje tonet janë rritur gjatë ditëve të fundit.
Kryetarja e Lidhjes së Gruas Demokrate, Albana Vokshi u bëri thirrje gjithë grave të djathta që sot të mblidhen para Kryeministrisë. Sipas saj, sot nuk protestohet vetëm për fyerjen ndaj deputeteve Deda dhe Halimi, por për të gjitha gratë që sipas saj ndjehen të dhunuara nga Kryeministri. Kreu i PD-së, Lulzim Basha shkoi edhe më tej dje, duke ju drejtuar demokratëve me një gjuhë berishiane se “Koalicioni opozitar ka marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë në një ’97 pa plumba, në një Shqipëri të zotëruar nga krimi jashtë dhe brenda Parlamentit”,- tha dje Basha pas takimit me aleatët e opozitës. Megjithëse është e paqartë se çfarë domethënie ka 1997-tën për Bashën dhe cila është lidhja me situatën aktuale, prapë duket se mesazhi jep për të kuptuar se po shkojmë drejt një destabiliteti politik. Për Bashën dhe PD-në situata duhet të trajtohet si në një gjendje lufte. Retorika e ditëve të fundit të paktën këtë gjë po synon. Prej gati një jave deputetët e Partisë Demokratike kanë bojkotuar komisionet parlamentare. E enjtja e kësaj jave pritet të mos ndryshojë shumë nga ajo e javës së kaluar, me vezë dhe peceta të laguar. Bile thonë në selinë blu se këtë rradhë e pret një “surprizë” më e kendshme kryeministrin në sallë, gjithnjë nëse guxon të shkojë në parlament.
Protesta e sotme pritet të jetë një nxemje për përballjet e radhës së opozitës. Në krye të protestës do të jenë deputetet e PD-së që kanë pasur replika të ashpra me Kryeministrin. Ndërsa nuk do të mungojnë dhe përfaqësueset e shoqatës së të larguarve nga puna, të cilat në rastet e mëparshme kanë qenë në krye të protestave të PD-së. Ata ishin edhe në protestën kur u thyen xhamat e kryeministrisë dhe pati përplasje me policinë.
Gratë e PD-së kryeministri Rama ka vendosur ti shikojë nga dritarja e zyrës së tij dhe sipas një burimi brenda stafit kryeministror ka mundësi që Edi Rama t’i përshendesë nga zyra e tij. Por duket paksa ironike kjo, nëse ndodh, pasi militantët kanë edhe vezë dhe disa materiale lufte nëpër xhepa.
Mbetet të shikohet nëse kryeministri do të tentojë të tregojë dashurinë e tij për gratë demokrate, siç edhe thotë se i respektoj me dashuri të pashoqe.