Sonte duam fitore ndaj Rumanisë!
Sot jemi të gjithë me sytë drejt Francës. Në stadiumin e qytetit të Lionit do të luhet sfida Rumani- Shqipëri. Kjo është ndeshja e tretë e kombëtares sonë në pjesëmarrjen e saj për herë të parë në një Kampionat Europian. Pas dy sidave me Zvicrën dhe Francë, kuqezinjtë do të kenë ndeshjen më të rëndësishme të këtij kampionati.
Prej rezultatit të sotëm varet qëndrimi ose jo i ekipi tonë në garën e mëtejshme të evropianit. Një humbje përballë Rumanisë do të thotë dhe fundi i ëndrrës për të ecur më tej në këtë aktivitetin më të rëndësishëm të futbollit të kontinentit. Në këtë kuptim, ndeshja e sotme në orën 21 në “Stad de Lyon” i ka të gjitha elementët e një finaleje për ekipi kuqezi. Është nga ato raste kur humbja i jep fund ëndrrës. Nuk janë vetëm pritshmëritë e skuadrës tonë ato që e bëjnë këtë ndeshje të jetë një “finale” e egër. Mediat e Rumanisë i kanë kushtuar jo pak vëmendje përballjes së sotme. Në titujt e gazetave të Bukureshtit dje shkruhej; “Për jetë a vdekje me Shqipërinë”. Edhe në kampin tjetër fitorja do të kërkohet me çdo kusht, pasi edhe ata rrezikojnë largimin nga evropiani. Rumunët i kanë varur shpresën tek lodhja e lojtarëve shqiptare në ndeshjen me Francën dhe mungesa e përvojës në kampionate të tilla. Por veç kësaj beteja Rumani-Shqipëri do të jetë e ashpër edhe për disavantazhet që ka ekipi ynë. Rumania ka shënuar një gol në këtë kampionat. Ndërsa skuadra jonë deri më sot nuk ka provuar ende shijen e golit. Në këtë ndeshje, jo vetëm duhet të fitojmë, por të kemi bilanc më të mirë me gola. Barazimi nuk na vlen !
Por nuk jemi vetëm ne shqiptarët që e kemi “ndeshjen e jetës”.Edhe rumunët e shohim ketë ndeshje si një “derby” ballkanas dhe “finale”. Mediat në Britani të Madhe, SHBA, Itali, Francë e gjetkë i kanë kushtuar jo pak hapësirë përballjes së sotme. Vlen të theksohet se ekipi shqiptar shihet me pozitivet. Vlerësohet jo vetëm loja e mirë dhe grinta e ekipit, por edhe tifozeria shqiptare, si një surprizë e kulturës dhe qytetarisë. Kjo nuk është pak, përballë një imazhi negativ me krim dhe trafiqe që kemi shpërndarë në botë gjithë këto 25 vjet. Për të gjitha këto arsye media e njohur londineze “The Sun” shkruante dje: “Shqipëria meriton të qëndrojë në Europian”. Kjo është një kryevepër europiane e Shqipërisë, pasi me tifozët e saj manifestoi kulturë dhe një imazh tjetër, ashtu siç jemi me të vertetë; komb me histori kulture.
Por jashtë vlerësimeve që nuk kanë lidhje direkte me futbollin, ndeshja e sotme është ndeshja më e rëndësishme për ekipin tonë kombëtar. Pas dy përballjeve me ekipe shumë superiore, si Franca dhe Zvicra, ku humbja është deri diku e justifikueshme, sot përballë Rumanisë duhet të tregojnë epërsinë e futbollit tonë. Nëse me dy ekipet e para justifikimet ishin të pranueshme, ndërsa sot një dështim përballë Rumanisë do të jetë i vështirë të kapërdihet. Në kampin e kuqezinjve janë marrë masat për të dhënë spektakël dhe për të garantuar fitore. Këtë herë kapiteni Lorik Cana do të jetë në fushë. Ndërsa trajneri Xhani De Biasi pritet të hedh në lojë dhe të kombinojë elementët më të mirë të skuadrës. Pjesëmarrja e tifozëve do të jetë madhështore ashtu si dhe herën e kaluara. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armandao Duka premtoi se do të kishte bonus financiar për djemtë e ekipit në rast fitoreje. Të gjitha elementët e një ndeshje të tillë flasin për sukses. Mbetet që vetëm djemtë në fushë të realizojnë mrekullinë që presin gjithë shqiptarët. Duam fitore!
Po nëse nuk fitojnë? Edhe nëse kjo ka gjasa të ndodhë. Por prapë Shqipëria e ka “fituar” Europianin e saj. Morëm pjesë për herë të parë në një Kampionat Europian. Deri në kualifikim kaluam nëpër rrugën e “ferrit” në stadiumin e Beogradit. Në ndeshjet me Zvicrën dhe Francën treguam se kemi një futboll që mund të garojë denjësisht më skuadra të nivelit botëror. Frenuam Francën, ku një lojtar i saj vlen në tregun e futbollit 3 herë më shumë se gjithë ekipi ynë kombëtar. Luajtëm më Zvicrën që ka gjysmën e ekipit me shqiptarë dhe u treguam se këtë skuadër e mbajnë në këmbë jo kontrata miliona euro, po shpirti kuq e zi. Natyrisht profesionalizmi gjithnjë në rritje.
Mbi të gjitha, kampionatin e fituan tifozët tanë. Imazhi i tyre pushtoi mediat në gjithë botën dhe për herë të parë nuk ishim shqiptarët hajdutë dhe vrasës, por qytetarët që francezët e britanikët i merrnin si shembull. Së fundi, kjo skuadër mund të mos fitojë një ndeshje, por bashkoi 10 milionë shqiptarë, nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Diaspora. Bëri atë që as politika dhe askush tjetër se ka realizuar deri më tani. I dha identitetin e munguar kombit dhe kjo vlen më shumë se çdo fitore tjetër.
Ndaj, sido që të përfundojë ndeshja me Rumaninë, përsëri kemi fituar. Kemi fituar respektin e europianëve për tifozërinë shqiptare.
Por fitorja na duhet sonte me Rumaninë!