Sot në GJKKO mbahet seanca paraprake për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj
Sot, më 12 nëntor 2025, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillohet seanca paraprake për dosjen penale ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në të cilën do të vendoset nëse çështja do të kalojë apo jo për gjykim.
Në këtë dosje, përveç Veliajt, janë të përfshirë 28 persona dhe subjekte juridike, mes tyre bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Hetimet për këtë çështje u mbyllën nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) më 10 shtator 2025, ndërsa dosja iu dërgua GJKKO-s për shqyrtim. Sipas SPAK, akuzat ndaj të pandehurve lidhen me korrupsion pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe fshehje të pasurisë.
Në seancën e sotme, trupa gjykuese e GJKKO-s do të shqyrtojë kërkesat e palëve dhe do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim të plotë, apo nëse do të ketë ndonjë vendim për rikthim të çështjes në SPAK.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi rikthimin në detyrë të Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke rrëzuar vendimin për shkarkimin e tij dhe, rrjedhimisht, anulimin e zgjedhjeve të parakohshme për kryebashkiakun e kryeqytetit.
Seanca e sotme në GJKKO pritet të përcaktojë fatin gjyqësor të çështjes ndaj Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, e cila konsiderohet një nga dosjet më të bujshme të muajve të fundit.
KOHA JONË SONDAZH

