SOT, ora 10.00, populli proteston para parlamentit. Betohen deputetët e blerë
-Policia merr urdhër të mos qëllojë asnjë protestues, edhe nëse ata sulen për të hyrë në sallën e parlamentit.
-Shqipëria, fatkeqsisht, po shkon në përplasje të madhe civile për fajin e kryeministrit. Mazhoranca po blen deputetë “opozitarë” deri në 300 mijë euro cash, çka është një korrupsion i pastër.
Opozita do të zhvillojë sot në orën 10:00 protestën e radhës para parlamentit kundër qeverisë “Rama”. Protesta vjen gati dy javë pasi deputetët e partive opozitare dogjën mandatet, si formë reagimi për të detyruar kryeministrin Edi Rama që të krijojë një qeveri tranzitore dhe t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Që nga data 21 shkurt kur Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe gjithë deputetët opozitarë dorëzuan mandatet kanë ndodhur shumë zhvillime. Në vend të uljes në gjetjen e zgjidhjes politike duke dhënë dorëheqjen që vendi të mos destabilizohet, Rama po përdor arrogancën dhe mospërfilljen.
Në mënyrë të paprecedentë, Partia Socialiste dhe qeveria e PS ka lejuar nisjen e procedurave për zëvendësimin e deputetëve të opozitës, duke e provokuar me keq përplasjen fizike mes palëve. Dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me shumicën e votave të PS, votoi emërimin e disa deputetëve që vijnë nga listat e partive opozitare të vitit 2017. Emrat që janë përzgjedhur, vetëm formalisht tashmë janë të opozitës, pasi që nga viti 2017 shumica e tyre ose nuk kanë më lidhje me partitë e opozitës, ose janë nëpunës të administratës shtetërore. Më emblematiku është emri i Lefter Maliqi, i cili aktualisht paguhet nga qeveria si nëndrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Me vendimin unanim të PS, tashmë drejtori i Rilindjes në Parlament do të bëjë pas punës dhe deputetin opozitar. Lista vijon me emra të tjerë anonim dhe pa asnjë kontribut politik që u votuan dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përveç se kemi të bëjmë me njerëz që s’kanë më lidhje me PD apo LSI, emrat që kanë pranuar mandatin lënë dyshime të forta për pazare dhe oferta që përfaqësues të mazhorancës u kanë bërë për t’i futur në Kuvend. Përveçse emërime të tilla të opozitës janë të pamoralshme, këto lëvizje janë dhe të rrezikshme. Me këtë skemë që ka vënë në zbatim Partia Socialiste, po krijon precedentin e klonimit të opozitës duke e kthyer vendin në një shtet hibrid dhe duke paralajmëruar kaos. Deri më sot janë gati 10 emra kandidatësh anonimë që kanë “marrë” përsipër të zëvendësojë opozitën zyrtare. Duke përdorur blerjet deri në 300 mijë euro cash, mazhoranca me këtë ritëm mund të kapë dhe shumicën kushtetuese për të ndryshuar Kushtetutën. Por kjo do fus flakën vendit. Këta deputetë “opozitarë” që s’e kanë për gjë të thonë se do zëvendësojnë Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin në Kuvend, nesër mund të kenë dhe pafytyrësinë të votojnë ndryshimin e Kushtetutës, apo dhe të zhbëjnë gjithë ligjet e vendit sipas kërkesave që ka Rilindja. Ndaj projekti me deputetë anonimë të blerë është jo vetëm skandal moral për një shtet, por edhe rreziku i ri me të cilin Rilindja po kërcënon gjithë rendin kushtetues të vendin.
Djegia e mandateve ishte një masë ekstreme që duhet të kthente në shinat qeverisjen, por mbështetja e dyshimtë që Edi Rama mori nga një pjesë e ndërkombëtarëve, po i jep qeverisë guximin të shkojë përtej çdo imagjinate duke tentuar të kap çdo qelizë të shtetit. Për këtë dhe arsye të tjera, tashmë opozita ka më shumë motiv për të vijuar protestat masive kundër qeverisë “Rama”. Në seancën e ditës së sotme, një pjesë e deputetëve që morën mandatin në KQZ do të bëjnë betimin. Ndaj protesta e sotme pritet të mos jetë e qetë. Acarimit të situatës nuk i shërbyen vetëm deputetët e blerë, por edhe masat ekstreme të policisë dhe Gardës së Republikës. Të vetëdijshëm për krizën ku e kanë futur vendin, Edi Rama dhe ministrat e tij dje kanë dhënë porosi që parlamenti të blindohet. Garda ka marrë urdhër të përdor me shumicë gaz lotsjellës, si dhe mijëra forca policore do të jenë përballë qytetarëve për t’i ndaluar. Ndërkohë nga PS nuk mungojnë dhe provokimet, pasi edhe pse po qeverisin me tela me gjemba dhe kundragaz thonë se vendi nuk ka krizë dhe deputetët e rinj do jenë opozita reale. Këto qëndrime që nxisin konflikt vetëm sa paralajmërojnë sot përplasje të fortë.
Shqipëria, fatkeqsisht, po shkon në përplasje civile./Qamil Xhani/