Sot para kryeministrisë, protesta më e madhe në historinë e opozitave

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë bërë thirrje që populli sot të jetë para kryeministrisë dhe në Bulevardin kryesor të Tiranës për të detyruar përfundimisht Edi Ramën të dorëhiqet duke i hapur udhën një qeverie të re zgjedhore, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Tashmë ndërkombëtarët janë bindur se duhen shtyrë zgjedhjet vendore si dhe kryeministri të shikojë dorëheqjen si një zgjidhje për të mos krijuar përplasje popullore.

Opozita ka thirrur shqiptarëtsot në shesh për të protestuar për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kjo është protesta e gjashtë kombëtare që Fronti Opozitar zhvillon në pak javë me një axhendë të qartë për zgjidhjen e krizës politike dhe sociale në vend. Por tubimi i radhës pritet të mos jetë si të tjerët. Ajo çfarë bën të ndryshme ditën e sotme që do të nis në orën 19:00 në bulevardin Dëshmorët e Kombit, para Kryeministrisë është pjesëmarrja masive, ku parashikohet të jetë më e madhja e këtyre 28 viteve. Informacionet që vijnë nga kampi i opozitës flasin për një pjesëmarrje që do të kalojë çdo tubim të zhvilluar deri më sot. Me mijëra qytetarë kanë konfirmuar pjesëmarrje që nga Saranda, Konispoli dhe deri në Shkodër, Malsi të Madhe, Devolli e Kukësi.

Ndryshe nga protestat e tjera, këtë herë pritet të ketë dhe një numër të madh emigrantësh shqiptarë që vijnë nga vendet fqinj, por edhe nga shtete më të largëta enkas për të marrë pjesë në tubim. Burime nga opozita bën me dijë se kanë konfirmuar pjesëmarrjen shqiptarë që jetojnë në Britani të Madhe, Gjermani dhe Francë. Të organizuar në mënyrë vullnetare, një pjesë e tyre kanë zgjedhur të vijnë në Tiranë për të dhënë mesazhin se shqiptarët nuk pranojnë një qeveri si kjo e Edi Ramës. Veç mesazhit të pjesëmarrjes, që pritet të jetë masive, protesta e sotme është vendimtare për shkak të situatës në të cilën ndodhet vendi. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi tubimin e sotëm, si ditën kur do të vendoset “fati i 10 viteve të ardhshme të Shqipërisë”. Ndërsa Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se protesta e sotme e shqiptarëve është beteja qytetare për të shpëtuar shqiptarët dhe kombin nga qeveria më e paaftë dhe me e rrezikshme që ka pasur. Opozita e cilëson tubimin e sotëm jo thjesht si protestën e radhës, por një përballje qytetarie me qeverinë “Rama”, për t’i treguar se shumica e shqiptarëve nuk e mbështet dhe realisht vendi po qeveriset nga pakica.

Protesta e sotme do të jetë vendimtare për aksionin e opozitës edhe për faktin se në gati pesë muaj protesta janë konsumuar të gjitha mënyrat normale për ta detyruar qeverinë të reflektojë. Qeverisë dhe kryeministrit janë dhënë të gjitha mundësitë që krizën më të madhe politike në vend ta zgjidhte me zgjedhje të parakohshme dhe me lejimin e drejtësisë të hetojë dhe të ndëshkojë gjithë skandalet qeveritare. Në vend të kësaj zgjidhje normale, kryeministri ka zgjedhur jo vetëm të sfidojë opozitën, por gjithë shoqërinë shqiptare. Me një akt të paprecedentë kryeministri ka zgjedhur të përshkallëzojë krizën politike duke hyrë në zgjedhje vendore pa asnjë kundërshtar politik dhe duke deklaruar hapur se qëllimi i tij është të eliminojë opozitën reale të vendit. Protesta e sotme nuk është një apel për opozitën, por një thirrje për fatin e shoqërisë shqiptare. Zgjedhjet në të cilat Edi Rama po shkon i vetëm nuk do të sjellin asgjë të mirë për PS-në, për qeverinë dhe as për vendin. 30 qershori tashmë nuk është data e zgjedhjeve që cilësohen si festë e demokracisë, por si data që mund t’a kthejë vendin në një tjetër ’97 dhe përplasje civile. Ish-kryeministri Berisha tha për “Opinion” se data 30 qershor do jetë ditë e përplasjes pasi për fajin e kryeministrit, ai don të shuajë pluralizmin dhe opozitën.

Ndaj sot është dita jo thjesht për të ndalur Ramën, por dita për të ndalur skenarin më të keq që kërcënon gjithë investimin gati 30-vjeçar që është bërë në Shqipëri, pluralizmin dhe demokracinë. /Qamil Xhani/

SHKARKO APP