Spahiu për KJ: Qeveria me çarter mes reve, Rama si sulltan po ndan tokat. Fitorja e LSI në Tiranë do jetë…
Drejtuesi politik i LSI në Tiranë, Përparim Spahiu: Shpopullimi është një strategji elektorale e Rilindjes. LSI-ja parti e të rinjve, rinovimi dhe rivitalizimi është proces jetësor për zgjerimin dhe suksesin
Intervistoi: Redjon Shtylla
“Vizita dy ditore e kryeministrit Edi Rama në Ankara, ajo që bëri lajm ishte protokolli i pritjes, tregon se më e pakta kjo vizitë ishte joproduktive dhe pa asnjë rezultat konkret. Përsa i përket qëndrimit të tij në Greqi, çështja bëhet edhe më serioze, përsa kohë kryeministri ka vendosur të negociojë “me kokë të tij” sovranitetin territorial të Shqipërisë”. Drejtuesi politik i LSI-së për Tiranën, Përparim Spahiu, në një intervistë për “Koha Jonë”, thotë se Edi Rama po sillet si një sulltan, dhe për për ty teatër absurd, ndodh kur gjysma e vendit gjendet nën ujë. “Kryeministri në vend që të ishte në krye të detyrës dhe të punëve të shtëpisë, fluturon me çarter me kokën mes reve për të vendosur paqen historike mes dy vendeve anëtare të NATO-s”. Duke u ndaluar tek 25 prilli, ish-deputeti nënvizon se shpopullimi i vendit është e vetmja alternativë që kjo qeverisje ofron. Një nga premtimet e LSI-së, është edhe taksa e sheshtë. “Opozita ka rënë dakord të përqafojë propozimin e ekspertëve për një taksë të sheshtë 9 për qind, e cila do t’i japë frymë ekonomisë shqiptare. Kjo do të shoqërohet me një politikë agresive kundër monopoleve dhe atyre koncesioneve të padrejta që e mbajnë peng ekonominë tonë”,-thotë më tej Spahiu.
Kuajt me flamurin shqiptar, limuzina, sallonet sulltanore, premtimet për investime, fjalimet nga Erdogan dhe Rama, si edhe dreka private e kryeministrit në Greqi, si i keni lexuar këto takime? Pse vjen pikërisht kjo trajektore, dhe a lidhet me zgjedhjet e 25 prillit, pasi Turqia ka premtuar mbështetje për zonat e prekura nga tërmeti dhe Greqia kërkon zgjerim? A ishin përgatitur me një regji të hollë për të dhënë mesazhin që ta paraqesin kryeministrin shqiptar si të vetmen shpresë për shqiptarët dhe ardhmërinë e vendit tonë?
Në rradhë të parë, dua të them se Turqia ka qenë gjithnjë një vend partner i Shqipërisë, ndaj marrëdhëniet me të kanë qenë konstante si atëherë kur vendin tonë e qeveriste një kryeministër i PD-së, edhe më herët kur e drejtonte një kryeministër i PS-së. Ndaj, kjo përpjekje e Rilindjes që vihet re për personalizimin e marrëdhënies mes dy vendeve, është jo vetëm qesharake, por edhe propagandë e një kohe të harruar. Fakti që nga vizita dy ditore e kryeministrit në Ankara, ajo që bëri lajm për ju ishte protokolli i pritjes, tregon se më e pakta kjo vizitë ishte joproduktive dhe pa asnjë rezultat konkret.
Përsa i përket qëndrimit të tij në Greqi, çështja bëhet edhe më serioze, përsa kohë kryeministri ka vendosur të negociojë “me kokë të tij” sovranitetin territorial të Shqipërisë. Ka një mungesë totale transparence për të dy vizitat në Turqi dhe Greqi. Kujtoj që nga pikëpamja kushtetuese, kryeministri quhet kryetar i Këshillit të Ministrave. Pra, vendimet e tij sidomos për çështje të sovranitetit nuk mund të jenë kurrë personale dhe në varësi të humorit të ditës. Problemet me interes kombëtar, jo thjesht duhet të jenë pjesë e diskutimeve dhe vendimmarrjes në Këshillin e Ministrave, por ato doemos duhet të përfshijnë institucione të tjera të shtetit, si presidenti i Republikës, Kuvendi apo Gjykata Kushtetuese.
Kryetari i këshillit tek ne vepron me kokë të tij duke u sjellë si një Sulltan apo një Car i shekujve të shkuar. Vë re një përpjekje qesharake për ta shitur kryeministrin në ikje si Lider Global që do të zgjidhë hallet e botës. I gjithë ky teatër absurd ndodh kur gjysma e vendit gjendet nën ujë dhe kryeministri në vend që të ishte në krye të detyrës dhe të punëve të shtëpisë, fluturon me çarter me kokën mes reve për të vendosur paqen historike mes dy vendeve anëtare të NATO-s. Ky kryeministër ka qenë me kokë mes reve gjatë 8 viteve të fundit, por jam i bindur që me 25 prill, do apo s’do ai, populli do ta ulë me këmbë në tokë.
Tre muaj nga 25 prilli, ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, zgjodhi ditën e Ujit të Bekuar në Berat për ta njoftuar bashkimin me PS. Ndikon tek LSI-ja ky largim? Asnjë individ nuk është i përjetshëm në politikë, por edhe kaq të përkohshëm nuk janë, pasi bëhen deputetë, rrinë sa të bëhen ministra dhe pastaj të ikin, duam apo s’duam elektorati sigurisht ka pikëpyetje.
Nasip Naço ka qenë përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në nivele të larta përfaqësimi, si ministër dhe nënkryetar i Kuvendit. Por, partitë janë organizata politike, ku njerëzit hyjnë, qëndrojnë dhe dalin me dëshirën e tyre. Nuk dua të komentoj zgjedhjen personale të z.Naço. Ajo që mund të them është se LSI-ja njihet si parti e të rinjve, ndaj rinovimi dhe rivitalizimi i saj është proces jetësor për rritjen, zgjerimin dhe suksesin e LSI.
Ende opozita nuk është e qartë sesi do të dalë në zgjedhjet e 2021, ku siç flitet PD-ja dhe aletatët e sajë do të jenë në një listë dhe LSI-ja do të dalë e vetme. Cili skenar është më i duhuri për ty? Nga ana tjetër, a është një skenar i mundshëm, që në disa prej zona zgjedhore me numër të ulët deputetësh, PD-ja e LSI-ja të bashkojnë forcat dhe të dalin me një listë unike kandidatësh?
Opozita është më e qartë se kurrë sesi do të dalë në zgjedhjet e 25 prillit. Aleati kryesor yni ka qenë, është dhe do të jetë qytetari. Aleati ynë më i mirë është ai njeri që beson se Shqipëria bëhet. Unë besoj se ka një Shqipëri të mirë që jeton dhe punon me ndershmëri, që rënkon kur sheh se shpopullimi i vendit është e vetmja alternativë që kjo qeverisje ofron. Përsa i përket taktikave zgjedhore, asgjë nuk përjashtohet, por kjo do të jetë pjesë e diskutimeve të tryezës së koalicionit, por dhe forumeve partiake. Po shqyrtohen me kujdes opsionet që maksimalizojnë votën e saj. Të jeni të bindur se në secilin variant, opozita e bashkuar është fituese dhe Rilindja e ka prerë biletën e disfatës elektorale më 25 prill.
Taksim i sheshtë apo progresiv. Ky pritet të jetë një nga debatet e nxehta të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Në terma të thjeshtë edhe për qytetarët, çfarë premton LSI-ja për këtë pjesë të rëndësishme të ekonomisë, ku pandemia e Covid-19 ka tronditur thellë xhepat e çdo qytetari?
Kur erdhi në pushtet, kryeministri fliste shpesh për taksimin e ndershëm. Jo vetëm që s’pati ndershmëri, por e kundërta është e vërtetë. Sistemi aktuali i taksimit penalizon shtresën e mesme duke e mbajtur në një presion dhe tranzicion permanent ekonominë shqiptare. Sot në Shqipëri taksohet puna dhe të ardhurat bruto deri në 23 përqind, ndërkohë që tatimi për korporatat është 15 përqind. Këtu bie teoria e ndershmërisë së pagesës së tatimit. Opozita ka rënë dakord të përqafojë propozimin e ekspertëve për një taksë të sheshtë 9 për qind, e cila do t’i japë frymë ekonomisë shqiptare. Kjo do të shoqërohet me një politikë agresive kundër monopoleve dhe atyre koncesioneve të padrejta që e mbajnë peng ekonominë tonë. Thelbi është që buxheti i shtetit të mos jetë më lodër në duart e oligarkëve, por t’i kthehet qytetarit dhe nevojave të tij.
Si drejtues politik i LSI-së për Tiranën, gara do të jetë e fortë pasi janë 36 mandate. Deri më tani, çfarë keni konstatuar tek pakënaqësitë e qytetarëve që më 25 prill do të votojnë LSI-në? Çfarë do të jetë prioritare për ju në këtë fushatë si drejtuesi i qarkut më të madh në vend, pasi keni një peshë të rëndë? Çfarë strategjish dhe mekanizmash po përdorni?
Fitorja e LSI-ja do të jetë spektakolare në Tiranë. Përditë shtrëngoj duart me dhjetëra e qindra qytetarë të pakënaqur me mënyrën se si po sundohemi. E them këtë fjalë, sepse realisht unë besoj se ne nuk po qeverisemi, por po sundohemi. Mungesa e punësimit, shkatërrimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor, mungesa e sigurisë për jetën, janë vetëm disa nga problemet që shqetësojnë qytetarët e Tiranës. Të gjitha këto elementë, e kanë bërë shqiptarin e thjeshtë të jetojë me valixhe në dorë, në kërkim të mundësive të reja jashtë vendit. Në Shqipëri është bërë shumë e vështirë për të jetuar me dinjitet, pa qenë i detyruar t’i shtrish dorën Rilindjes. Kjo situatë nuk vjen nga padija. Shpopullimi është një strategji elektorale, antikombëtare që ka ndjekur me përpikmëri Rilindja gjatë viteve të fundit. Premtimi ynë është për t’i kthyer qytetarëve dinjitetin. Solidaritet me njëri-tjetrin në të mirë e në të keq, kjo është motoja e punës sonë të përditshme. Shqipëria është shtëpia jonë dhe ne do të punojmë të gjithë, në krah të njëri-tjetrit që këtë shtëpi ta bëjmë të jetueshme, ta zhvillojmë që në të ardhmen, fëmijët tanë të jenë krenarë për atë që do t’u lëmë pas.