SPAK godet një rrjet kriminal shqiptar që trafikoi mbi 6 ton kokainë drejt BE dhe Britanisë, me vlerë 411 milionë euro
Një nga operacionet më të mëdha të vitit u zhvillua nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila goditi një rrjet të fuqishëm kriminal me përmasa ndërkombëtare. Sipas njoftimit zyrtar, rrjeti shqiptar kishte trafikuar mbi 6 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, me një vlerë tregu prej mbi 411 milionë eurosh.
SPAK firmosi urdhër-arreste për shtatë persona, të dyshuar si pjesë e këtij grupi kriminal, përfshirë vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndreajn, një biznesmen me aktivitete në Shqipëri, dhe Ilir Lloshin. Ndërkohë, Plarent Dervishaj – i njohur për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja – dhe Erion Alibej, i dyshuar për vrasje mafioze, ndodhen aktualisht në paraburgim dhe janë njoftuar për akuzat. Një tjetër i dyshuar ndodhet jashtë Shqipërisë dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Rrjeti kriminal me bazë në disa kontinente
Nga hetimet e SPAK dhe partnerëve ndërkombëtarë rezulton se kokaina vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) dhe Ekuadori, përmes kontejnerëve detarë drejt porteve të Antwerp (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), si dhe në disa raste edhe në Spanjë dhe Itali. Më pas, droga transportohej me rrugë tokësore përmes Francës dhe kalonte në Britaninë e Madhe përmes Kanalit të La Manshit.
Droga ishte e maskuar mjeshtërisht si mallra tregtare: në paleta me dru, kuti me banane, apo thasë me kokrra kakaoje, për të shmangur detektimin nga autoritetet doganore.
Kapjet e drogës në 2020-2021
Sipas SPAK, sekuestrimet e kryera gjatë hetimeve përfshijnë:
- 400 kg kokainë në Spanjë (shkurt 2020)
- 989 kg kokainë në Belgjikë (prill 2020)
- 250 kg në Francë me destinacion Britaninë (prill 2020)
- Mbi 2 ton në Holandë (qershor 2020) me vlerë 151 milionë euro
- 1484 kg kokainë në Holandë (tetor 2020)
Grupi trafikonte gjithashtu edhe sasi të konsiderueshme hashashi.
Financim përmes sistemit “Hawala” dhe lidhje në porte
Hetimet kanë zbuluar se pagesat për ngarkesat e drogës kryheshin përmes sistemit informal të pagesës “Hawala”, i cili përdoret zakonisht për të shmangur sistemin bankar tradicional. Anëtarët e grupit kishin lidhje me struktura doganore, punonjës portesh dhe agjenci kontrolli në disa vende të Bashkimit Evropian, që lehtësonin qarkullimin e paligjshëm të ngarkesave.
Shumica e drejtuesve dhe financuesve të këtij grupi kriminal jetonin mes vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sekuestro masive gjatë operacionit
Gjatë operacionit të zhvilluar të premten, autoritetet sekuestruan:
- Armë zjarri
- Automjete luksoze
- Ora të shtrenjta
- 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express) në emër të të hetuarve
- Dokumente financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama
Komunikimet në “Sky ECC” zbërthejnë rrjetin
Sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi, hetimi u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë dhe u bazua në zbërthimin e qindra komunikimeve të koduara në aplikacionin Sky ECC, i përdorur zakonisht nga kriminelët për të shmangur përgjimet.
“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare dhe fuqinë e tyre në tregjet kriminale ndërkombëtare,” – deklaruan prokurorët Dumani dhe Xholi.
SPAK pritet të zgjerojë më tej hetimet në bashkëpunim me Europol, Interpol dhe prokuroritë e vendeve ku janë kapur sasi të kokaine.

Në bazë të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka miratuar me vendimin nr. 77, datë 25.07.2025, masën e sigurimit “arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, duke u përmbyllur me arrestimin e menjëhershëm të 6 prej personave në hetim:
- A. H.
- K. H.
- E. N.
- E. A.
- P. D.
- I. Ll.
Gjatë zbatimit të masave të sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat ai u arrestua në flagrancë.
Ndërkohë, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.) është shpallur në kërkim, dhe autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Kontrolle, sekuestrime dhe gjurmë të pasurisë së dyshimtë
Me autorizim të Gjykatës së Posaçme, janë kryer kontrolle në banesa, automjete dhe persona, duke rezultuar në sekuestrimin e një sërë pasurish e provash materiale, si më poshtë:
Shuma të sekuestruara në para cash:
- 43,470 euro
- 5,000 franga zvicerane
Automjete:
- 1 Mercedes Benz AMG G63
- 1 Volkswagen Golf 7a
- 1 Volkswagen Sharan
Mjet lundrues:
- 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.
Armë zjarri:
- 3 pistoleta me krehër dhe fishekë.
Ora të luksit:
- 1 Rolex, model 126613LN
- 1 Richard Mille, model McLaren RM50-03/68
Telefona celularë:
- 16 telefona, kryesisht iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.
Karta bankare dhe dokumente financiare:
- 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express) në emër të personave të hetuar.
- Dokumente të transaksioneve financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Itali dhe Panama.
Pajisje elektronike të sekuestruara:
- 1 dron DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.
- 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.
- 1 NVR Hikvision për sistemet e survejimit.
- 2 radio komunikimi të llojit Baofeng.
Dokumentacion dhe prova të tjera:
- Kartë identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet shqiptare, gjermane, italiane dhe britanike.
- Dokumente pronësie, kontrata shit-blerjeje, certifikata noteriale dhe deklarime pasurie.
SPAK ka njoftuar se hetimet vazhdojnë në mënyrë intensive, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese shqiptare dhe ndërkombëtare, për të zbardhur plotësisht veprimtarinë kriminale dhe pasuritë e përfituara nga aktiviteti i dyshuar kriminal.
KOHA JONË SONDAZH

