SPAK-ista, bëhuni trima, “vetoni” politikën!
Nga Flamur Vezaj
Në kohën kur po punohej për reformën në drejtësi, politikanët, e në veçanti Kryeministri ishte kundër ngritjes së një komisioni për të bërë “vetingun” e politikës!
Ai dhe të tjerë në mbështetje të tij, mes tjerash thoshin që “të bëjmë vetingun në drejtësi dhe institucionet e reja të Drejtësisë, si SPAK-u t’i bëjë vetingun politikës”!
Sa bukur tingëllon! Por në realitet çfarë po ndodh, edhe pasi kanë kaluar mbi 13 muaj nga ngritja e SPAK-ut, asgjë në këtë drejtim!
Për analogji, në Kroaci u hetua dhe dënua ish-kryeministri vendit, pasi u konstatua një orë e shtrenjtë që mbante në dorë!
Mjaftoi kjo si indicie për të nisur hetimet dhe më pas ai u dënua edhe për gjëra të tjera!
Po në Shqipëri, çfarë po bëhet, çfarë presin këta “superprokurorët” me imunitete e të mirë-paguar?!
Një mik i mirë thotë që: “Presin të mbarojnë zgjedhjet se e kanë më lehtë të merren me opozitën”!
Nuk dua ta besoj, por sa më shumë që kalon koha po filloj të bindem që kjo është e vërtetë: Se SPAK-u vazhdon të ketë frikë nga politikanët që janë në pushtet!
Do Zoti nuk është e vërtetë se do zhgënjehen edhe ata pak skeptikë që vazhdojnë të besojnë te kjo strukturë!
Në fakt, unë nuk po kërkoj që “super-prokurorët” të vëzhgojnë duart, kostumet, apo edhe makinat që lëvizin këta politikanë, në veçanti ministrat dhe ish-ministrat e Rilindjes këto 8 vite, por të verifikojnë deklaratat e pasurisë të deklaruara nga vetë ata!
Nuk po kërkoj të thellohen që të verifikojnë atë pasurinë që kanë në emër të të tjerëve, apo të pa deklaruar si “Vilën” e Spiropalit, apo e Ruçit në Farkë (komshinj me B.Haxhiun), se duhet punë dhe investigim disa mujor! Por ato që kanë deklaruar!
Pasi nga një analizë artimetike të kryer nga BIRN e të botuar vetëm pak ditë më parë rezulton se 2/3 e ministrave kanë probleme me pasurinë!
Pra, “super-prokurorët” nuk i pengon askush të nisin një hetim kryesisht për këto fakte, pasi procedurialisht ligji ia lejon të nisin hetimet edhe bazuar në shkrimet e mediave!
Kjo i rrëzon edhe justifikimin se nuk ka kallëzim për këta individë dhe nuk ka indicie! Gjithashtu, nuk mund të justifikohen si në rastin e përgjimeve të “Ndraghetës” (edhe pse nuk qëndron) që duhet të dërgojmë letër-porosi e të vijnë materialet e të nisin hetime!
Pra, ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore për të nisur një hetim ndaj këtyre fakteve, e jo vetëm, mjafton vullneti dhe plotësimi i kushtit të vetëm për të cilën edhe u përzgjodhët, të bëheni trima!
Hetoni pasurinë e politikanëve!