SPAK mund të ndryshojë masën e arrestit për Berishën pas daljes së tij duke mbajtur fjalim simpatizantëve
Nga Daniel Muçaku-
Berisha ndodhet në arrest shtëpie. Leja nga parlamenti për SPAK ishte arrest shtëpie ose arrest me burg.
Me sa duket SPAK ka parashikuar se Berisha nuk do ta respektojë vendimin e gjykatës. Edhe herën e parë kur ishte me detyrim paraqitje ai nuk e zbatoi gjykatën ndaj SPAK dhe Gjykata e Posaçme vendosi arrest shtëpie.
Por arresti i shtëpisë kishte disa kushte që sipas burimeve nga drejtësia e re, Berisha nuk po i zbaton.
Me sa duket lidhet me fjalimin e Berishës këtë pasdite te “rruga e Salës”. Por edhe mundësia që Berisha ta përdorë arrestin shtëpiak si mjet politik, ndonëse atij i lejohet vetëm të komunikojë me pjestarë të familjes.
Burimet jo zyrtare nga ky institucion flasin nën zë se po shikohet mundësia që SPAK ti kërkojë Gjykatës së Posaçme ti ndryshohet masa e arrestit, nga arrest në shtëpi në arrest me burg.
Por nëse ndodh kjo gjë nuk do të ishte normale, aq me tepër se ai është 80 vjeç dhe se mbetet lider opozite.
Nuk mund e nuk duhet që lideri i opozitës të arrestohet me burg, sepse përsëritet historia pas 31 viteve, si dikur Fatos Nano të cilin e arrestoi presidenti Berisha, natyrisht me lejen e amerikanëve. Ndonëse para pak ditësh Berisha e mohoi krahasimin me Nanon, sepse e quajti Nanon si hajdut të akuzuar për shuma të mëdha ndihmash në vitin e vështirë 1991.
Sidoqoftë SPAK nuk duhet ta bëjë këtë gabim për ta kaluar Berishën në arrest me burg./Daniel Muçaku/
Pjesë nga fjala e Berishës nga dritarja e shtëpisë së tij:
Nuk kam komunikuar për shkak të gjendjes gripale, nuk do bëj më vaksinën e imponuar nga pushteti! Kjo është betejë hyjnore
Të dashur demokrate dhe demokratë.
Vëllezër dhe motra.
Një përshëndetje të zjarrtë ju këtu qeë keni ardhur këtu në këtë protestë, por përshëndetje demokrateve dhe demokratëve kudo që janë sot.
Përshëndetje popullit opozitar nga zemra uroj sukses në betejën tonë pa kthim, në betejën tonë të fitores.
O sot o kurrë!
Në këmbë shqiptarë.
Miqtë e mi, këto ditë nuk kemi pasur një komunikim zanor me ju.
Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj.
Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë.
Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do e bëj ndonjëherë.
Miqtë e mi, Edi Rama në traditën e tij më të shëmtuar, në traditën e të atit të tij xhelat, i cili si zëdhënës i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, firmoste varjen në litar të fjalës së lirë të poetit të pavdekshëm Havzi Nela, urdhëroi mercenarët e tij t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju.
Por unë do u rrëfej ju një gjë.
Unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy Kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë.
Ajo është hyjnorë, është tokësore. Ne i bindemi asaj, njëlloj si Zotit dhe ndaj u garantoj ju se Sali Berisha do pranojë dhe do bëjë vetëm atë që është në interesin tuaj, në interesin e demokratëve, në interesin e pluralizmit, në interesin e Shqipërisë.
Përveç kësaj, vendi, kombi ka një Kushtetutë të miratuar. Një Kushtetutë që përdhoset, shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama dhe mercenarët e tij në Skap dhe në drejtësi.
Për Edi Ramën, Kushtetuta e vendit nuk ekziston.
Kushtetuta ka një nen të saj, ka nenin 17, në të cilin përcakton se nuk ka kryeministër, nuk ka gjykatës, nuk ka prokuror që mund të mohojë lirinë e shprehjes. Ajo ndodh vetëm me ligj, por horat ligj nuk kanë, horat moral nuk kanë.
Ndaj dhe ne respektojmë Kushtetutën supreme, por respektojmë edhe Kushtetutën që qëndron në themel të shtetit ligjor.
Miqtë e mi, kjo është një betejë që ka një mision të shenjtë hyjnor, rikthimin e pluralizmit pas zhdukjes së tij 33 vjet pas themelimit të PD”- theksoi Berisha nga dritaj e shtëpisë së tij.