SPAK njofton…

SPAK njofton këtë të dielë se ka bërë kërkesë për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako për inceneratorin e Tiranës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur më 15 nëntor, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara dhe gjatë hetimeve të kryera për kontratën koncensionare të vitit 2017 për ”Ndërtimin e landfillimit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. janë konstatuar akte korruptive të të pandehurit Alqi Bllako, i cili në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt në dy raste; a. vlerën monetare prej 119.715 euro dhe b. vlerën monetare prej 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin.

I pandehuri Alqi Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës, përpara se të bëhej propozimi i pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit.

Për shërbimin e Vladimir Bezhanit, si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, shtetasi Alqi Bllako i ka kërkuar/propozuar shtetasit Klodian Zoto, aksioner i shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k, dhe aksioner i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, dhënien e përfitimit të parregullt për shtetasin Vladimir Bezhani, duke e punësuar fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe siguruar një përfitim të parregullt në vlerën 7,520,000 lekë.

Gjatë kohës që Vladimir Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton, sipas orientimit të të pandehurit, Alqi Bllako duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor, që i shërbyen shoqërisë propozuese të shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k. për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm për propozimin e pakërkuar.

Po ashtu, i pandehuri Alqi Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri (pronarët de facto të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.), vlerën monetare prej 119,755 Euro, si pagesë për blerjen e pajisjes “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, me adresë: “Ropi Stillo Gostivishti”, Ersekë.

Siç është mësuar edhe nga njoftimet e mëparshme, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 31 korrik 2024, ka paraqitur kërkesën për dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.255/1 të vitit 2020 (ndarë nga procedimi penal nr.255 të vitit 2020), në ngarkim të të pandehurve; Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, Silena Tola, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme po kryen hetime të tjera në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për të gjithë subjektet e regjistruar në kuadër të këtij hetimi (individë dhe persona juridik), për të evidentuar çdo fakt penal tjetër, veprimet e personave përgjegjës të institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë si para dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe gjatë zbatimit të kontratës koncesionare.

Shënime për gazetarët:

Procedimit penal nr.255/2 i vitit 2020 në ngarkim të të pandehurit Alqi Bllako – i ndarë nga procedimi penal nr.255/2020.

Kontrata konçesionare me numër protokolli 6597, datë 31.08.2017 “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes autoritetit kontraktor; Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. kishte një kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria konçesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milionë e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH.

SHKARKO APP