Spastrimet politike në administratë. LSI padit 3 ministra dhe zv/kryeministren
Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur me padi penale abuzimeve që kanë kryer ministrat teknikë dhe ata të PS gjatë ditëve të fundit me largimet në administratë.
LSI ka bërë kallëzim penal për ‘shpërdorim detyre’ për 3 ministra dhe zëvendëskryeministren, pas vendimeve për pezullim nga detyra të punonjësve të administratës, por dhe për disa drejtorë.
Në një dalje para mediave, deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj bëri të ditur për publikun se LSI ka kallëzuar ministren Milva Ekonomi, ministrin teknik të Drejtësisë, Gazmend Bardhi, ministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhuljeta Kertusha dhe zv.Kryeministren Ledia Mandija.
Të tre këta zyrtarë të lartë të qeverisë kanë shpërdoruar ligjin duke urdhëruar shkarkime në administratë, pa asnjë motivacion dhe në shumë raste në shkelje flagrante të ligjeve.
Mehmetaj sulmoi ashpër qeverinë ‘Rama’ si dhe marrëveshjen e arritur me PD-së, të cilët e cilësoi ‘marrëveshje errësire’. “Task Forca e drejtuar nga zv.kryeministrja Leidia Mandija po bën shkelje flagrante të ligjit dhe në mënyrë arbitrare ka nisur një hakmarrje dhe shantazhe ndaj punonjësve të administratës. Nga radhët e LSI nuk është përfshirë asnjë ministër dhe punonjës në fushatë. Është një skenar i errët prej marrëveshjes së errësirës. Ne denoncojmë publikisht fushatën e hakmarrjes ndaj njerëzve të fushatës elektorale”, tha ligjvënësja e LSI-së.
Me padinë e bërë sot ndaj Ministrave, LSI ka vendosur që “spastrimeve politike” në administratë tu përgjigjet në rrugë ligjore, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë. Realisht, baza ligjore që është përdorur për largimet nga puna është e paqartë. Edhe më të paqarta janë provat mbi të cilat janë mbështetur motivacionet. Në njoftimet e shpërndara nga PD për largimet nga puna ngrihen vetëm pretendime për shkelje të ligjit për pjesëmarrje në fushatë, por nuk jepet asnjë provë e saktë. Largimi nga puna vetëm mbi dyshimet është gjithashtu një vepër penale, për të cilën ministrat e rinj dhe ndonjë ministër i PS do të mbajë përgjegjësi. Sepse gjatë ditëve të fundit ka pasur largime nga puna me urdhër politik nga zyrat e PD dhe me SMS nga ministrat. Kjo jo vetëm është e pamoralshme, por edhe e dënueshme ligjërish.