Speciale/ Ilir Meta flet për Ramën, Kryemadhin, Ajazin, Tahirin, etj
Intervista e Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhënë për emisionin Fakt të gazetarit Çim Peka në “SYRI.net”.
Po e filloj më zhvillimin kryesor të ditës së djeshme, shefi i SHISH, Visho Ajazi Lika ka dhënë dorëheqjen. A ka dekretuar presidenti Meta dorëheqjen e tij?
Për të shuar kuriozitetin tuaj para se të nisesha për në studion tuaj kam firmosur dekretin për lirimin nga detyra të Drejtorit të SHISH-it, z. Visho Ajazi pas dorëheqjes së tij.
Po dekretin e emërimit në detyrë të njeriut të propozuar nga Kryeministri Rama a e keni firmosur?
Nuk ka asnjë emergjencë për arsye të faktit që Zv.Drejtori i SHISH-it vazhdon detyrën.
Kur jeni njohur realisht me dorëheqjen e shefit të Shërbimit Informativ dhe a ka pasur ai garancinë tuaj se, në rast se Kryeministri Rama i bën presion për të dhënë dorëheqjen ju do ta mbronit?
Së pari, unë në natyrën time gjithmonë në krye të institucioneve kam respektuar parimin e vazhdimësisë dhe në rastin konkret, aq më tepër që bëhet fjalë për një institucion të një rëndësie të veçantë dhe për sigurinë kombëtare, kam qenë i bindur që vazhdimësia gjithmonë është pozitive, është e rëndësishme në këto lloj institucionesh.
Për pyetjen tuaj më konkrete, mund t’ju them që vetëm një javë më parë e kam siguruar z. Ajazi që ai do të kishte përkrahjen time të plotë si President i Republikës për të vazhduar detyrën e tij, gjithmonë duke u përqendruar me përkushtim në luftën kundër terrorizmit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe natyrisht në përmbushje të detyrave të tjera që ka Shërbimi Informativ. Dhe ai më ka falënderuar për besimin. Kjo ka qenë thjesht për të konfirmuar një vazhdimësi, duke pasur në konsideratë edhe komentet e ndryshme mediatike që janë të zakonshme.
Ju po thoni se z. Ajazi para një jave ka marrë garancinë tuaj se do të vazhdojë në krye të SHISH-it…..?
Jo vetëm kaq, por edhe i kam konfirmuar që publikisht kur ta kisha një mundësi për t’u shprehur do të bëja qëndrimin tim publik në këtë drejtim, jo thjesht për z. Ajazi, pasi këtë garanci, mbështetje e ka pasur, por më shumë sa i takon efektivit të shërbimit informativ në terren në mënyrë që ata të vazhdonin detyrat e tyre sipas ligjit.
Të jemi më konkret, ju po thoni se ishit i gatshëm të firmosnit dekretin e dorëheqjes, por jo të shkarkimit të tij? A do të firmosnit një shkarkim në rast se do t’ua kërkonte z. Rama dhe nuk do të kishte një dorëheqje?
Së pari, dua t’u them se z. Rama nuk ma ka kërkuar një gjë të tillë. Për herë të parë i vetmi kontakt me z. Rama për këtë çështje ka qenë dje, kur ai më ka sjellë dorëheqjen e z. Ajazi bashkë me kërkesën e tij për lirimin e z. Ajazi.
Dorëheqjen e ka sjellë z. Rama te ju apo e ka sjellë z. Ajazi në Presidencë? Me sa di unë sipas Kushtetutës, shefi i SHISH-it dorëheqjen e paraqet fillimisht te Presidenti i Republikës…
Nuk dëshiroj të hyj në këto lloj modalitetesh, por nuk ka më asnjë rëndësi të harxhojmë edhe një minutë të vetme për këtë çështje, pasi është dekretuar tashmë lirimi i z. Ajazi nga kjo detyrë dhe ky ka qenë vullneti i tij. Nuk mund të mbahet askush në detyrë edhe një sekondë të vetme përtej vullnetit të tij.
Gjithsesi, mediat kanë aluduar se edhe në kohën kur z. Ajazi drejtonte SHISH-in ju jeni përgjuar z. Meta. Nuk i keni besuar aludimeve të mediave apo pavarësisht kësaj ju ishit i gatshëm ta mbronit z. Ajazi?
Së pari, unë nuk nisem në përmbushjen e detyrave të mia, aq më tepër të kësaj detyre kaq të lartë kushtetuese nga histori mediatike, nga të vërteta, nga të pavërteta dhe nga raporte personale të së kaluarës. Unë që nga 24 korriku i këtij viti shoh vetëm përpara të paktën për pesë vitet e ardhshme dhe në këtë drejtim për mua interes ka pasur dhe ka që ky institucion të përmbushë sa më mirë detyrën e tij, që padyshim mund ta kishte përmbushur edhe shumë më mirë se deri tani, aq më tepër kur vendi është vendosur në një pozicion jo të favorshëm për çështjen e trafiqeve dhe sidomos të trafikut të kanabisit apo të drogës.
Nuk mendoj se lufta kundër këtij fenomeni është një luftë që nuk ka pasur një angazhim dhe një përkushtim të SHISH-it, patjetër. Por të gjithë ata që mendojnë, meqenëse ju iu referuat burimeve mediatike, që ka qenë ky angazhim që mund të ketë sjellë këtë situatë, është gabim. Sepse të gjithë e dimë që këto probleme janë bërë të ditura në mediat më të njohura ndërkombëtare në BBC, në ARD, në televizionet e njohura franceze. Nuk po flasim për ato italiane dhe padyshim që është një problem që mendoj se ekzagjerohet në këtë rast.
Pra nuk ju ka shqetësuar ideja se mund të jeni përgjuar nga z. Ajazi?
Mua më jep kënaqësi çdo lloj ideje e këtyre përgjimeve aq më tepër kur bëhet fjalë për rastin konkret, në rast se ju do t’i konsideronit bisedat me Narin si përgjime shqetësuese.
U shprehët pak më parë se para një jave ish-shefi i SHISH-it ka qenë në zyrën tuaj dhe i keni garantuar mbështetje të plotë….
Ai ka pasur mbështetjen që nga momenti i parë që ne jemi takuar, për arsye se kur takohesh me një drejtues institucioni do t’i shprehësh një mbështetje, por para një jave e ka pasur të konfirmuar edhe më shumë për arsye sepse qarkullonin shumë biseda apo thashetheme siç ndodh rëndomtë, që do të ndërrohet apo nuk do të ndërrohet, dhe për t’i dhënë këtë mesazh mbështetjeje dhe sigurie që të vazhdonte punën.
A ju la të kuptonte z. Ajazi se do të jepte dorëheqjen?
Jo, asnjëherë nuk më ka lënë këtë përshtypje.
Dorëheqja e tij ka qenë një surprizë për ju?
Dorëheqja e tij ka qenë e papritur për shkak të bisedës së zhvilluar një javë më parë. Nuk ka rëndësi, por nuk më çudit shumë. Janë gjëra që ndodhin. Unë e respektoj vullnetin e cilitdo.
Sipas informacionit që kemi, arsyeja që Kryeministri Rama i ka bërë presion shefit të SHISH-it për të dhënë dorëheqjen është se, me ndryshimet e reja në kodin e procedurës penale, informacionet e SHISH-it mund të administrohen si provë në gjykatë. Nuk ka qenë më parë kjo praktikë. Kjo është arsyeja sipas meje që z. Rama i ka kërkuar me do kusht largimin…
Unë nuk mund të konfirmoj, sepse dorëheqja e z. Ajazi është paraqitur si rezultat i vullnetit të tij. Nëse ju doni të nënkuptoni që ekziston një vullnet për të manipuluar SHISH-in, që ai gjithashtu të manipulojë prova apo të dhëna të cilat keqpërdoren, mendoj që kjo është shumë e gabuar.
Pse e dekretuat dorëheqjen e tij pa e takuar më parë z. Ajazi për ta pyetur se çfarë ndryshoi brenda një jave?
E kam takuar dje z. Ajazi, para se vinte Kryeministri Rama në zyrën time.
A e pyetët se çfarë ndryshoi për një javë?
Jo, nuk kam dashur të hyj në detaje, ka qenë vullneti i tij, unë do të respektoj vullnetin e tij dhe cilitdo që mendon që nuk mund të përmbushë apo nuk ka më dëshirën për të qëndruar në atë detyrë. Askush nuk është i përjetshëm në funksione.
Pas largimi të z. Ajazi, opozita po akuzon se Kryeministrin Rama tashmë ka kapur çdo institucion. A ndjehet i shqetësuar Presidenti i Republikës?
Nuk jam këtu për të komentuar qëndrimet e opozitës e as të mazhorancës për çështje të caktuara. Nuk mund të komentoj dhe të bëhem pjesë e hamendjeve, supozimeve as e interpretimeve apo paragjykimeve të ndryshme. Unë jam për të mbështetur forcimin e institucioneve, pavarësinë e tyre dhe natyrisht që secila palë duhet të përmbushë detyrat e saj si qeveria dhe mazhoranca ashtu edhe opozita.
Kryeministri Rama ju ka lënë një emër në tryezë, ka propozuar Zv.Drejtorin e deritanishëm të SHISH-it për të zënë vendin e Visho Ajazit. Por në fakt mediat kanë raportuar se ky zyrtar ka qenë një besimtar mysliman praktikant i rekrutuar në SHISH nga Bashkim Gazidede, më pas është larguar drejt Greqisë për disa vite, ka ndërruar emrin, është kthyer në Shqipëri. Është një propozim gjithmonë sipas medias, i ish-numrit dy të qeverisë, Niko Peleshi për të qenë në krye të SHISH-it. A është investuar Presidenti i Republikës për të investiguar mbi të shkuarën dhe CV-në e atij personi që do të jetë drejtuesi i Shërbimit Informativ?
Për të shuar kuriozitetin tuaj, nuk kam pasur mundësi as të lexoj këtë CV, që ju si gazetar pretendoni dhe nuk ka as ndonjë urgjencë për këtë çështje. Fakti që zotëria mban postin e Zv.Drejtorit tregon që është gjykuar i përshtatshëm nga autoritetet që e kanë propozuar dhe e kanë emëruar në këtë detyrë. Dhe njëkohësisht fakti që ky shërbim ka Zv.Drejtor është fakt pozitiv, sepse tregon që mund të vazhdojë të funksionojë. Sa i takon çështjes së dekretimit, sigurisht që nëse nuk mund të mbash dikë përtej vullnetit të tij asnjë minutë më shumë në një detyrë nuk ka asnjë arsye për t’u nxituar për të nënshkruar një dekret mendoj të rëndësishëm.
A ju paraqiti z. Rama një argumentim të propozimit të tij apo thjesht ua la emrin në tavolinë z. Meta?
Mendoj që ka bërë një propozim të arsyeshëm sipas detyrës dhe pozicionit të tij.
Po sipas Presidentit Meta?
Sigurisht që është tepër herët.
Ish-Presidenti Nishani është shprehur se në takimin e thirrur prej tij të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Kryetari i Kuvendit asokohe z. Meta ka mbajtur një qëndrim dinjitoz gjithmonë së i përket problemeve të hashashit dhe ju ka bërë thirrje publikisht të deklasifikohet ky informacion dhe që ju të publikoni fjalimin e ish-kryeparlamentarit Meta në këtë takim. A keni ndërmend ta bëni dhe cila ishte përmbajtja e fjalimit tuaj nëse nuk është një sekret kaq i klasifikuar?
Nuk kam ndërmend të hyj në komente të rastit konkret. Mbaj mend që është bërë një mbledhje e rëndësishme për këtë çështje. Qëndrimi im për fenomenin, nuk po merrem me rastin konkret, që nga momenti i rënies së avionit në Ishëm, ka qenë tepër i qartë. Fillimisht kam qenë tepër i sinqertë për atë historinë e mushkonjave, nuk ka qenë një shaka, rasti i Divjakës.
Nuk ka qenë ironi për ta ndihmuar z. Rama? Nuk e keni besuar vërtetë?
Nuk e kam besuar vërtetë kurrë që mund të vinin avionë, të rrezikonin, të zbrisnin në fushë apo në vende të caktuara. Më është dukur një gjë e pamendueshme, e paimagjinueshme, dhe kur ndodhi herën e parë, kuptohet që ndoshta ishte si rastësi, por kur ndodhi herën e dytë qëndrimi im ka qenë tepër i qartë, që ky është një problem i madh, problem serioz, dhe i sigurisë kombëtare veç të tjerave.
Të rrëzohet një avion 5-6 km në vijë ajrore mbi Aeroportin e Rinasit është diçka jashtë imagjinate, dhe akoma më tej më pas kur Kreu i Antimafies italiane, z. Franko Roberti bëri vlerësime mjaft shqetësuese dhe kritike për trafikun e kanabisit nga Shqipëria në Itali duke dhënë dhe përmasa tepër shqetësuese të rritjes së tij, sigurisht që qëndrimi im ka qetën tepër i qartë dhe parimor.
Kështu që nuk kam ndonjë arsye për t’iu rikthyer se kam thënë diçka të tillë. Kam thënë, kam qenë dhe jam një mbështetës i fortë i luftës kundër krimit të organizuar sepse e konsideroj si sfidën dhe problemin më të madh që ka siguria jonë kombëtare, por dhe e ardhmja ekonomike e Shqipërisë.
A ka Ilir Meta të njëjtin qëndrim si President me qëndrimin që ka mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare si Kryeparlamentar? Mbledhje e thirrur nga ish-Presidenti Nishani…
Nuk e mbaj mend saktësisht se cili ka qenë qëndrimi, por në thelb ka qenë ky qëndrim. Përsa i takon publikimit që ju po përmendni, një kërkesë e tillë është drejtuar edhe nga gazetarë Institucionit të Presidencës. Nuk ka ndodhur, të paktën në dijeninë time, por edhe të stafit të institucionit që në të kaluarën të jenë bërë publikime të traskripteve të mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Por, edhe nuk ka pasur kërkesa të tilla.
Ndoshta dhe kjo.
Një gjë e tillë po kërkohet nga paraardhësi juaj…
Dakord, patjetër. Por, një gjë e tillë duhet të vlerësohet me shumë përgjegjshmëri dhe kujdes, pasi mund të kthehet në precedent për çdo mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe kjo më pas mund të dëmtonte seriozitetin e këtij këshilli për të ardhmen. Unë e kuptoj, kërkesa është normale, por dhe qëndrimi duhet të jetë mjaft i studiuar, sepse ka të bëjë me traditën e Institucionit dhe me vazhdimësinë e tij.
- President tashmë keni të drejtën e çështjes së sigurisë kombëtare që lidhet drejtpërdrejtë me Institucionin Tuaj. Keni qenë aktiv te media të cilës po i referohemi ne, por gjithsesi Ilir Meta si President i Republikës pas shpërthimit të skandalit Habilaj-Tahiri me mijëra faqe përgjimi ku përmendet sistematikisht ish-Ministri i Brendshëm, deri në këtë moment nuk ka bërë asnjë përpjekje për të thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Madje jo vetëm kaq, por është hera e parë që në këto përgjime duket qartë që radarët që kontrolloheshin nga Ministria e Mbrojtjes dhe që ka të bëjë direkt me sigurinë kombëtare, kanë qenë që të gjitha jashtë funksionit. Çfarë e pengon Ilir Metën, President, të thërrasë një mbledhje të KSK-së dhe të informohet për këtë gjë.
Së pari, dua t’ju siguroj që çështja e kufijve dhe e kontrollit të tyre kanë qenë për mua prioritete dhe në detyrën dhe pozicionet e mëparshme dhe pa dyshim ka qenë dhe një shqetësim deri sa ka qenë një prioritet.
Madje, me insistimin tim ka ardhur dhe Ndihmës Sekretari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve në atë kohë, Alan Bersin për të finalizuar një marrëveshje për forcimin e kufijve të Shqipërisë, pasi eksperiencat që ai si personalitet, por dhe institucioni që drejtonte kishte sidomos tek kontrolli i kufijve me Meksikën ishte e jashtëzakonshme.
Megjithatë ajo që mund të them, sot është një prioritet shumë i rëndësishëm për mua në detyrën e Presidentit, për shkak të sigurisë kombëtare, sepse nga kufij të dobët ose inekzistentë në qoftë se ndërtohen rrjetet e trafikut, sot transportohet kanabis, nesër mund të transportohen droga të forta, që dhe këto s’kanë munguar, pasnesër armë, pak më vonë gjëra dhe më të rënda.
Sapo është publikuar raporti i anti-mafias së Katanias ku pretendohet që janë trafikuar armë, 20 milionë euro nga grupi i Habilajve. Janë përgjime të zbardhura nga mediat italiane. Janë trafikuar edhe armë z. President…
Trafikantët trafikojnë çdo gjë, sepse ata kanë vetëm një qëllim, fitimin. Nuk ndalen aq më tepër trafikantët e drogave normalisht janë dhe përdorues, që do të thotë që nuk kontrollojnë dot as ambiciet dhe as limitet e tyre, kështu që forcimi i kufijve është një prioritet shumë i rëndësishëm.
Ka patur disa probleme vazhdimisht në media. Janë të hershme të fundit të verës, mos gaboj. Janë disa institucione që po merren me këtë çështje edhe ne si Institucion po punojmë dhe po e studiojmë. Presidenti nuk është ai që flet i pari, por pa dyshim që do të flasim në kohën e duhur, por edhe pa këtë informacion, pra të mosfunksionimit të radarëve, këtë pretendim apo këtë debat. Shqetësimi im për forcimin e kontrollit të kufijve të Shqipërisë ka qenë mjaft i lartë.
Shqetësimi ka qenë mjaft i lartë, megjithatë kemi rastin e fundit, skandalin Tahiri. Është hera e parë në politikën e pluralizmit në Shqipëri që institucioni, i cili përfaqëson shtetin i kërkon leje Parlamentit për të arrestuar një ish-zyrtar të lartë me dosje të ardhur nga partnerët italianë dhe Parlamenti shqiptar e refuzon këtë kërkesë. A keni koment për rastin Tahiri duke qenë se edhe ju ka akuzuar direkt si një armik të tij?
Së pari, unë nuk dëshiroj të hyj në debate absurde dhe qesharake. Së dyti, në këtë pozicion që kam unë, kam vetëm një kundërshtar që është krimi i organizuar dhe kam një qëllim, që t’i shërbejë forcimit të sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Në këtë drejtim mbështes punën e institucioneve të drejtësisë për të luftuar me profesionalizëm dhe me kurajë krimin e organizuar, trafiqet dhe çdo rast të veçantë për të ecur drejt të vërtetave në mënyrë profesionale, ligjore dhe me vendosmëri pavarësisht nga presionet apo tensionet politike, të cilat kur bëhet fjalë për përfshirje të politikanëve janë normale, janë të natyrshme.
Sepse dikush mund të të bëjë palë për të mbrojtur, sepse mendon se dikush mund të jetë i paragjykuar apo sepse dëmtohet politikisht forca përkatëse. Pala tjetër, opozita bën presion, sepse mendon se është një moment i favorshëm për të treguar që ata kanë pasur të drejtë dhe për të përfituar politikisht. Unë mbështes prokurorët, gjykatësit, Policinë e Shtetit, të gjithë ata që kanë vullnetin dhe përgjegjshmërinë për të bërë detyrën që të ecin me profesionalizëm në këto çështje.
Nuk hyj në raste dhe emra konkretë, sepse jo vetëm që është pozicioni i tillë, por ky është një hetim, një proces. Prokuroria ka paraqitur provat e saj me të cilat unë nuk jam i njohur dhe nuk jam në gjendje të bëj vlerësimin e duhur. Anëtarët e Komisionit Parlamentar nga të dy palët kanë qenë të pranishëm në instancat publike, dhe jo publike, kanë dhënë mendimet e tyre.
Duke qenë se kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. A e keni thirrur në takim Prokurorin e Përgjithshëm. A është i informuar Presidenti se çfarë po ndodh?
Jo. Prokurori i Përgjithshëm nuk më ka informuar dhe as nuk kam dashur të informohem për çështjen konkrete, pra për çështjen Habilaj dhe për gjithçka që mund të përfshihet në këtë hetim.
Pse s’keni dashur të informoheni z. President?
E para, kjo është një çështje me të cilën po merret Prokuroria.
Është një çështje që ka të bëjë direkt me sigurinë kombëtare…
Patjetër.
A ndiheni pak i kompleksuar nga akuza që ju ka bërë ish-ministri i akuzuar për trafik droge?
Unë nuk kam asnjë kompleks nga asnjë lloj akuze. Lëkura ime është mësuar dhe i ka përballuar të gjitha akuzat dhe sot është këtu ku është dhe për shkak të këtyre eksperiencave nuk mundet të bëjë veprime të cilat mund të mos i ndihmojnë këto procese.
Në rast se një prokuror do të kishte shprehur një shqetësim se ai po intimidohej për shkak të detyrës së tij për një çështje që ka të bëjë me një kryebandit apo me një politikan, kushdo qoftë ky. Dhe për këtë arsye kërkon mbështetjen e Presidentit të Republikës, pa asnjë diskutim që Presidenti i Republikës do të jepte mbështetjen më të fortë dhe më të madhe.
A i keni ofruar mbështetje Prokurorit të Përgjithshëm njëlloj si ish-Shefit të Shërbimit Informativ?
Kjo nuk është një çështje që ka vend për një paralelizëm të tillë, por unë besoj që mesazhet e mia publike kanë qenë në drejtim të të gjithë institucioneve për të forcuar pavarësinë e tyre, për të luftuar krimin e organizuar, të cilin e kam theksuar vazhdimisht në të gjitha rastet edhe në fjalimet e mia si President i Republikës dhe absolutisht që Presidenti do të mbështesë këdo edhe një ministër që bën detyrën me përkushtim dhe mund të ketë presion, apo një zyrtar tjetër brenda mundësive.
- President, pak më parë u shprehët se këto janë deklarata të opozitës dhe që Presidentit nuk i takon të merret…
Mua nuk më takon të bëhem pjesë e një debati as të ndërhyjë në një proces i cili është në një hetim. Ajo që mund t’ju them është, mbështetje totale.
Dakord, po parimisht ka një problem z. President. Një prej dy figurave kryesore të opozitës, pra Kryetarja e partisë së dytë opozitare është znj. Monika Kryemadhi, bashkëshortja juaj dhe është në shtëpi me ju z. President. A mendoni se mund ta besojë publiku që deklaratat e Kryetares së LSI-së, znj. Kryemadhi, bashkëshortes suaj, janë tërësisht të pandikuar prej Presidentit Meta, pavarësisht se ajo ju ka akuzuar dhe Ju?
Përsëri nuk dëshiroj të përfshihem në debate apo polemika të tilla. Megjithatë mund të jap një sqarim për rastin konkret.
Unë në shtëpi nuk jam President, jam bashkëshort, jam prind, ashtu sikurse në lagje meqenëse prej më shumë se një viti jemi bashkë në një lagje, nuk jam President dhe nuk sillem si i tillë, por si një banor i zakonshëm i lagjes.
Unë besoj te të drejtat e njeriut, sepse e di që ajo pak që do të donin apo do të dëshironin të interpretonin, keqinterpretonin apo të paragjykonin faktin që bashkëshortja e Presidentit është edhe Kryetare e një force politike, që ndikohet nga ajo, apo ndikon tek ajo.
Dua t’ju siguroj se që nga 24 korriku raportet e mia janë krejtësisht të qarta edhe me partinë që kam drejtuar edhe me skenën politike në vend. Unë jam përkushtuar një detyre, një Institucioni. Do përpiqem ta bëj këtë punë, dhe ta përmbush këtë detyrim kushtetues me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri maksimale. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi se çfarë bën forca politike që kam drejtuar apo kam aderuar deri më 24 korrik dhe aq më tepër Kryetarja e saj. Nëse ajo mendon se, duke theksuar herë pas herë defekte dhe të meta tek ish-drejtuesi i LSI-së rrit profilin e saj politik, kjo është një zgjedhje e saj.
Dakord. Ju mendoni se ka të bëjë me individualitete dhe arritje të profilit të saj politik, por në fakt ka një akuzë konkrete të Monika Kryemadhit ndaj jush z. President…
Për çdo akuzë konkrete të Kryetares së LSI-së ndaj meje, për çështje konkrete, sepse e kam dëgjuar disa herë, Kryetarja e LSI-së mund të pyesë Kryetarin e Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Vasili sepse ai ka qenë, jo vetëm krahu i djathtë i imi gjatë drejtimit tim të LSI-së sidomos në katër vitet e fundit, por ka qenë prezent në çdo takim, çdo bisedë, çdo tryezë ku janë diskutuar çështje të tilla. Madje dhe në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka qenë z. Vasili sepse ka qenë në pozicionin e Ministrit të Drejtësisë.
Nuk ka nevojë t’i bjerë kaq gjatë znj. Kryemadhi, mund t’ju pyes direkt. Fakti që ju ka pyetur dhe ju ka mbajtur atë qëndrim, ajo duhet ta ketë shqetësim…
Është një shqetësim i saj, është e drejtë e saj.
Akuza është konkrete. Ju jeni përgjegjës njëlloj si Edi Rama për kanabizimin e Shqipërisë për arsye se partia juaj ka mbajtur në pushtet Edi Ramën si Kryeministër.
Është vlerësimi i saj. S’kam asnjë polemikë për këtë çështje.
Po vlerësimi juaj? A ndiheni përgjegjës që e mbajtët z. Rama Kryeministër për katër vite?
Unë mendoj se cilido ka përgjegjësitë e tij. Dhe natyrisht që unë kam përgjegjësitë e mia, por nuk është koha këtu për të bërë analiza për të kaluarën, sepse thashë që e kam një ndarje për të kaluarën, edhe për arsye etike, edhe për arsye të Institucionit që përfaqësoj. Është koha që të gjithë të punojmë për të pastruar njëherë e mirë Shqipërinë nga ky fenomen dhe nga çdo derivat tjetër dhe nga krimi i organizuar, sepse është një krim i organizuar jo thjesht shqiptar. Është një krim i organizuar transnacional, ndërkombëtar dhe për një vend me kapacitete modeste si Shqipëria është mjaft shqetësues, pasi mund të jetë shumë ndikues për të ardhmen e vendit në drejtimin e gabuar.
- Meta, me sa di unë, vizita dje e z. Rama në Zyrën tuaj është e para e tij pasi është bërë kryeministër.
Nuk e kam vënë re këtë gjë.
Cili është raporti i Presidentit Meta me Kryeministrin Rama? Retorika e fushatës ka lënë shenja në raportet mes dy kryetarëve të institucioneve në vend?
Kam harruar çdo gjë para 24 korrikut në kuptimin e ndikimeve të zhvillimeve para asaj periudhe dhe jam i hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet. Me Kryeministrin Rama, me qeverinë, me opozitën dhe me të gjithë faktorët e tjerë politikë dhe institucionalë në vend në përputhje me detyrën time.
Një tjetër figurë politike e rëndësishme është kryetari i opozitës, i cili edhe ai ka replikuar ashpër me ju gjatë fushatës. A e keni ftuar deri më sot Lulzim Bashën si kryetar opozite në Presidencë, z. Meta? Si Kryetar i Shtetit sigurisht që takoni të gjithë faktorët politikë, ose jeni takuar jashtë Zyrës?
Kemi pasur raste të takohemi në aktivitete të ndryshme. Ai ka qenë në ceremoninë e betimit tim, në Presidencë, dhe në çdo rast që do ta gjykoj të arsyeshme, do ta kërkoj për ta takuar. Edhe ai në çdo rast është i mirëpritur për të ngritur shqetësime apo ide apo angazhim që ka për çështje, të cilat Presidenti mund të kontribuojë pozitivisht.
Gjithsesi ai ishte i ftuar në ceremoninë tuaj. Mori pjesë në mes të disa qindrave që ishin, por ajo që vura re ishte se në atë ceremoni, ishte ndoshta i vetmi që iku pa shtrënguar dorën e Presidentit të Republikës. Cilat janë raportet e Presidentit Meta me Kryetarin e Opozitës?
Këtë detaj nuk e kam vënë re. Dhe nuk mund të thuhet që Kryetari i Opozitës ishte një në mes të qindra të ftuarve. Unë nuk jam dakord.
Ndoshta ishte edhe i entuziazmuar nga fitorja përballë Eduard Selamit, sepse ishte vetëm dy ditë pas. Por që z. Basha iku pa takuar, pa uruar Presidentin, kjo ishte evidente për çdo gazetar…
Nuk e kam vënë re këtë çështje, por z. Basha është absolutisht gjithmonë i mirëpritur me Presidentin. Jo vetëm z. Basha, por edhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike, të opozitës, të çdo faktori politik.
- Meta, sot të paktën mediat kanë raportuar se Kryeministri Rama i ka ofruar ish-shefit të Shërbimit postin e ambasadorit në njërin prej vendeve të Bashkimit Evropian. A do të ishte i gatshëm Presidenti Meta të dekretonte si ambasador ish-shefin e Shërbimit Informativ, Visho Ajazi?
Nuk kam asnjë informacion dhe nuk kam asnjë paragjykim për këtë çështje.
A ndiheni i zhgënjyer nga ish-shefi i SHISH-it? I ofruat mbështetjen për vazhdimësi dhe ai dha dorëheqjen…
Nuk ndihem i zhgënjyer, sepse në qoftë se unë i kam konfirmuar përkrahjen apo vazhdimësinë, këtë e kam bërë për të ndihmuar institucionin që të vazhdojë, larg këtyre pasigurive që “po hiqet drejtori sot, po hiqet drejtori nesër”. Sepse ai është institucion i sigurisë kombëtare dhe natyrisht që unë kam qenë shumë i qartë, parimor dhe i ndershëm me të.
Pastaj ajo ka qenë një zgjedhje e tij dhe përderisa ka qenë një zgjedhje e tij, nuk kam pse të jem i shqetësuar apo qejfmbetur. Aq më tepër që nuk ka qenë një propozim apo mbështetja e imja në të kaluarën. Ka qenë në këtë detyrë. Unë i kam bërë një vlerësim në drejtim të angazhimit dhe luftës që SHISH-i ka bërë kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, edhe për kontributin që ka pasur për sa i takon stabilitetit në rajonin tonë dhe marrëdhënieve në tërësi me shërbimet kryesore partnere, por për mua nuk ndryshon asgjë.
Përflitet, të paktën në qarqet e opinionbërjes në vend të paktën, se ju dënuan President. Pra, ju degdisën në një farë forme për t’ju larguar nga politika aktive. Duke parë edhe aktivitetet tuaj jashtë funksionit të Presidentit, duket sikur keni një rifreskim fizik, një rifreskim qetësie, një dashuri të madhe për malet, për Alpet. Çfarë është gjithë ky pasion pas vajtjes suaj në Presidencë për ecjen? Çdo fundjavë ose ndoshta edhe çdo ditë ju shikoj që vetëm ecni.
Në fakt unë po përpiqem të angazhohem më shumë me mediat sociale dhe ndoshta publikimi i disa aktiviteteve, që ndoshta edhe në të kaluarën mund t’i kem bërë, por të cilat nuk janë bërë të njohura për publikun mund të kenë ndihmuar në krijimin e këtij perceptimi. Do të vazhdoj në këtë drejtim, por…
A do të vazhdoni me mediat sociale apo do të vazhdoni edhe me ecjen?
Me të dyja bashkë, por me qetësi, pa nxitim për arsye se mendoj që duhet të japim mesazhe për të rinjtë, por jo vetëm për ta, për të gjithë qytetarët përsa i takon nxitjes së aktiviteteve sportive, luftës kundër obezitetit, të promovimit gjithashtu të shumë bukurive të vendit tonë që ne nuk i dimë. Duke filluar nga unë vetë, që për herë të parë para dy javësh edhe pse kanë qenë të shumtë ata që më kanë folur me shumë pasion për Luginën e Valbonës, sepse në Theth kam qenë – apo për rrugën nga Qafë Valbona për në Theth etj., etj.
Pra, nuk e kisha përjetuar një mrekulli të tillë, të cilën e them me bindje jo se jam President i Shqipërisë, dhe jo për të bërë politikë, nuk e kam ndeshur as në Tirol të Austrisë ku kam pasur rastin herë pas here të shkoj. Dhe është një pasuri shumë e madhe e vendit tonë, që duhet ruajtur e që duhet promovuar. Nuk është vetëm Valbona e Thethi, por janë edhe shumë destinacione të tjera, të cilat mund t’u japim një promovim më të mirë dhe me një mbështetje minimale infrastrukturore sidomos në drejtim të energjisë elektrike apo të rrugëve, mund t’i japim edhe një ndryshim të jashtëzakonshëm cilësor dhe sasior turizmit, jo vetëm për të huajt, por sidomos turizmit të brendshëm, sepse ndodh që ka më shumë çekë e polakë që i njohin Alpet tona se sa qytetarë shqiptarë. Dhe mendoj se ky do të jetë një angazhim afatgjatë jo thjesht i karakterit sportiv, por edhe promovues i Alpeve dhe i maleve e i bukurive të tilla, të cilat kërkojnë edhe pak energji, edhe pak sforcim.
Nganjëherë kur bëhesh dembel përfundon te deti, sepse është më i thjeshtë, më i arritshëm, por bukuri të tilla hyjnore do të thosha, natyrore sigurisht që kanë një çmim. E kërkojnë një sakrificë, një angazhim…
Sigurisht që do të ketë një ecje me karakter edhe promovues, edhe…
…Edhe socializues.
…Edhe socializues. Por gjithsesi, z. Meta, keni 27 vite në politikë. Jeni mësuar me përplasjet politike. Ndoshta jeni politikani që, nuk e di, ndoshta më pak se Sali Berisha, por që jeni rritur në luftë politike. A ju duket roli i ri si një pension i parakohshëm? Jeni më i ri se z. Rama, jeni pak më shumë se z. Basha…
Absolutisht që nuk e shoh kështu, përkundrazi. Së pari jam shumë i nderuar në këtë detyrë, është një privilegj i veçantë. Së dyti do të bëj gjithçka për të përmbushur me përgjegjshmëri këtë detyrë në respekt të Kushtetutës, në respekt të frymës së saj dhe do ta bëjë këtë edhe me përgjegjësi, edhe me kurajo kur duhet edhe me shumë dashuri për vendin dhe për qytetarët shqiptarë. Jam i sigurt se pas 5 vitesh do të dal nga Presidenca shumë më i ri se sa kam hyrë.
Do të jeni sërish aktiv në politikë z. Meta?
Nuk jam këtu për të marrë angazhime se çfarë do të ndodhë pas vitesh, sepse realisht është mjaft herët për të marrë angazhime të tilla. Së dyti, në politikë kam mësuar që kurrë mos thuaj kurrë, në mënyrë që të mos akuzohesh nga gazetarët për mosmbajtje të fjalës. Absolutisht për mua është e rëndësishme që pas 5 vitesh Shqipëria të jetë një vend më i sigurt të jetë një vend më i qëndrueshëm, të jetë një vend që jep shpresë për të rinjtë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Në fushatën e kaluar më bëri vërejtje një pensionist, i cili më tha: kemi dëgjuar që ti flet vetëm për të rinjtë, po për ne pse nuk thua asnjë fjalë? Për pensionet tona?
Dhe unë i përgjigja: shiko, flas për të rinjtë jo thjesht vetëm për të rinjtë, por flas për vendin, flas edhe për ju, sepse nëse të rinjtë do të vazhdojnë të aspirojnë të largohen nga Shqipëria nuk do të ketë kontribuues këtu më për pensionet tuaja.
Kështu që duhet të luftojmë t’i mbajmë të rinjtë këtu, të shohin mundësitë këtu, ta ndërtojnë të ardhmen këtu në mënyrë që e gjithë Shqipëria të jetë më e mirë. Besoj që ky duhet të jetë objektiv i përbashkët i të gjithëve pavarësisht pastaj nga interesat apo nga dallimet politike e partiake.