Spektakli i orëve të vota Rama-Basha; nga pisllëku te pazari i 18 majit
Mazhoranca e Partisë Socialiste votoi dje në orën 02:00 të mëngjesit shkurtimin e pagave dhe stafit për tre institucionet e reja që do të bëjnë reformën në drejtësi. Siç ishte parashikuar u votua dhe dekreti i Presidentit për rrëzimin e ligjit për importin e mbetjeve. Votat e konsoliduara të PS bënë që çdo debat mbi rrezikun e reformës në drejtësi të mos kishte asnjë ndikim në vendimet e Kuvendit. Por ajo që ra në sy në seancën maratonë të Kuvendit ishin replikat mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Kreu i opozitës dhe kreu i mazhorancës kanë debatuar gjatë mbrëmjen e djeshme dhe orët e para të mëngjesit duke tejkaluar shpreh herë edhe etikën. Debati ka përfshirë çështje që lidhen me bandat kriminale në Elbasan, reformën në drejtësi, shkurtimet në administratë, punët në bashki, e deri të veshja me copa doku e Bashës dhe atletet e Ramës.
Fjalët “pisllëk, era qepë, era qenë, jashtëqitje” mbizotëruan në retorikën e dy kryetarëve të partive.
Kreu i PD-së i kujtoi Edi Ramës së vetëm në Bashkinë e Tiranës, kur ai mori detyrën, gjeti 8 roje që nuk justifikonin vendin e punës.
Por Edi Rama kishte hallin e zyrës së tij, që siç tha, e kishte bërë me mermer dhe Basha e bëri me laminat. Nuk harroi ti kujtonte Bashës së vendosi drita në zyrë duke e bërë si lokalet e natës në Holandë.
“Ku e keni ju problemin me të bukurën, se këtë nuk e kam kuptuar kurrë. Erdhe nga Amsterdami, gjete mermer, vure laminat. E theve mermerin, vure laminat. E kishe tavanin trashëgimi kulturore. E kam marrë tavanin kopje nga ajo vila e vjetër italiane mbas Akademisë së Arteve. I jam lutur atij zotërisë atje dhe e ka bërë ai vet. Dhe ajo zyrë s’ka kushtuar asnjë lek nga buxheti i shtetit. Çfarë i bëre tavanit? E theve tavanin. Ishte trashëgimi kulturore. Kopje ishte, por ishte një kopje e një monumenti kulture, dhe vure gips me spote diskotekash. Po them diskoteka, që të mos shkoj më thellë, aty ku shkojnë ata që dalin nga diskoteka për shërbime personale”,- tha Rama.
Ndërkohë debati vijoj deri të higjiena personale. Edi Rama akuzoi demokratët se kanë probleme serioze me të bukurën dhe u tha se çuditërisht vijnë “era qepë”.
Ndërkohë, Lulzim Basha i kujtoj sërish zyrën e Bashkisë së Tiranës, e cila sipas tij “vinte erë jashtëqitje breshkash”.
“E mbani mend atë gropën që unë e mbusha në mes të Tiranës, gropa e Hajdin Sejdisë i thonin. Qelbej e gjithë Tirana, por jo aq sa zyra jote, thonin që ishte jashtëqitja e breshkave. A s’paska qenë ajo? Unë nuk të kam përmendur ndonjëherë akuzat për higjienën personale, pavarësisht të gjithave. Ti nuk mund t’i thuash opozitës të vendit tënd se ngjan me pisllëkun”,-u shpreh Basha.
Në serinë e akuzave dhe batutave mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës nuk ka munguar as përmendja e marrëveshjes së 18 majit. Por ndryshe nga herët e tjera, kësaj teme ju shmangën duke mos nxjerrë detaje se çfarë ka ndodhur. Por nga mënyra sesi i drejtoheshin njeri-tejtrit duket se kanë jo pak gjëra për të kujtuar.
Kryeministri i bëri ftesë Bashës që të ulën sërish për të zgjidhur problemet mes tyre, siç është reforma zgjedhore, dhe jo kur t’i “vijë veza”. “Prandaj thirrja ime edhe njëherë kryetar (Basha) është: Ramë dakord me Reformën Zgjedhore, por duhet të ulemi për të bërë një proces real dialogu, që mos ta bëjmë prapë kur të vijë veza për të dalë, se pastaj prapë do ju dalë siç ju doli një vezë ku s’kishte gjë brenda”,- deklaroi Kryeministri.
Qëndrimet djeshme, pavarësisht rikthimit të retorikës së fortë të Lulzim Bashës që ishte harruar që nga koha e çadrës, ngjanin si një spektakël. Jemi ende te fjalimet, ku më shumë rëndësinë e marrin batutat dhe humori sesa thelbi i problemeve. Ajo që i duhet Bashës janë veprimet. Sepse Kryeministri Rama ka provuar se kur vjen puna te show dhe spektakli është pjesa që e zotëron më mirë.
VIDEO/REPLIKAT BASHA-RAMA:
LULZIM BASHA:
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1646035072114334/
EDI RAMA
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155181870146523/