Studiuesi ndërkombëtar i shkencave politike, Krastev: Europa do të ketë 9 muajt e ardhshëm më të vështirë në histori

Intelektuali i njohur europian, studiuesi bullgar, Ivan Krastev nuk mendon se lufta në Ukrainë do të marrë fund së shpejti. Kriza financiare, inflacioni e çmimet e energjisë do të shkaktojnë “turbulenca të mëdha” në BE.

Studiuesi bullgar i shkencave politike, Ivan Krastev është drejtor i Qendrës për Studimet Liberale në Sofje dhe anëtar i përhershëm i Institutit për Shkencën dhe Njeriun (IWM) në Vjenë.

Ndër të tjera ai thotë në lidhje me situatën e dimrit në BE. Parashikimet e tija janë të zymta. Krizë energjitike, krizë financiare, krizë sociale dhe tensione shoqerore të pa imagjinueshme.

Ja se çfarë thotë ai konkretisht:

“Unë druaj, se gjashtë deri nëntë muajt e ardhshëm do të jenë më të vështirat në historinë e BE. 

Tani ne paguajmë çmimin e madh të luftës, por BE është prekur që më parë nga kriza të tjera. Duke pasur parasysh këtë, lufta mua më duket si një lloj COVID-i i gjatë: Kriza e refugjatëve mbërriti sërish, nga Ukraina kanë ardhur në Europë dyfishi i refugjatëve që erdhën gjatë luftës në Siri. Kriza financiare po ashtu mbërriti, dhe ekziston rreziku i mungesës së stabilitetit dhe inflacionit.

Europa dhe Japonia duhet të paguajnë për energjinë çdo muaj rreth 100 miliardë dollarë amerikanë më shumë se një vit më parë. Kjo ngarkesë e madhe financiare shkakton probleme të mëdha. Dhe shoqëritë janë lodhur që tani. Do të ketë më shumë protesta si ato të Pragës dhe Gjermanisë, mendoj unë. Gjatë krizave të ndryshme janë krijuar grupime të ndryshme. Njerëzit që gjatë krizës financiare kanë përfunduar në skaj të shoqërisë, kundërshtarët e refugjatëve, kundërshtarët e vaksinimit janë bërë sot bashkë duke u shfaqur si kundërshtarë të establishmentit dhe kanë shtruar kërkesat e tyre. Kjo do të shkaktojë turbulenca të mëdha në BE.

Por kjo nuk është më e keqja. Në të gjitha krizat e deritanishme Gjermania ka qenë faktor stabiliteti, shkëmb graniti. Por sot Gjermania bën pjesë tek vendet që janë prekur më së shumti nga kriza ekonomike. Përveç kësaj, legjitimiteti moral i Gjermanisë vihet në diskutim sidomos nga baltët dhe polakët, por edhe nga çekët. Ky qëndrim i ndryshuar kundrejt Gjermanisë, por edhe kundrejt Francës, vështirëson edhe më shumë përpjekjet për të dalë nga kjo krizë e madhe.”

SHKARKO APP