Stuhi dhe rrufe po vijnë vrullshëm mbi kryeministrinë dhe më pas uragani me 16 shkurt
-Skadon ultimatumi i pedagogëve: “Grevë në të gjithë vendin”. Opozita nis mitingjet në rrethe për të kulmuar në protestën e madhe më 16 shkurt, ku ka premtuar protestuesve se do ta rrëzojnë atë ditë me të gjitha format demokratike.
-Ndërkohë Edi Rama është shprehur se nuk don t’ia dijë aspak për 16 shkurtin dhe se qeveria e tij do të shkojë e qetë në zgjedhjet e 30 qershorit. Por kjo duket paksa e vështirë duke parë se opozita me 16 shkurt ka skenarin e përballjes frontale duke synuar detyrimin për tu dorëhequr kryeministri e krijimin e një Qeveria Tranzitore e cila të çojë vendin drejt marrjes së statusit kandidat për në BE dhe zgjedhje të parakohshme.
Në ditët dhe javët që vijnë fjala më e përdorur do të jetë protesta dhe rrethim kryeministrisë. Studentët, pedagogët dhe opozita praktikisht dje kanë shpallur nisjen e tubimeve dhe reagimit ndaj qeverisë. Kërkesat e studentëve dhe pedagogëve janë të ndryshme nga ato të opozitës, por kanë një pikëtakimi të përbashkët, Qeverinë. Të gjitha palët problemin e kanë me mazhorancën që drejton vendin dhe zgjidhja e problemeve të tyre vjen nga largimi i qeverisë. Edhe pse mes palëve që protestojnë nuk ka axhendë të njëjtë, qëndrimi i deritanishëm i qeverisë i ka bashkuar edhe duke protestuar më vete.
Të parët që i nisën protestat janë studentët. Pas gati dy muajsh në rrugë me tentativa të përditshme të qeverisë për t’i përçarë, bojkoti i tyre vazhdon në fakultetet kryesore. Këshilli i Ministrave dhe ministrja e re e Arsimit kanë prezantuar një Pakt për Universitetin, që sipas tyre plotëson gjithë kërkesat e protestuesve dhe bojkotuesve. Studentët kanë kohë që e kanë “hedhur në kosh” këtë projekt, ndërsa dje atyre iu bashkuan dhe pedagogët. Asambleja e Pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale shpalli dje grevën e përgjithshme dhe bojkotin e mësimit. Vendimi erdhi pas një ultimatumi të bërë disa ditë më parë ku veç kërkesave të studentëve, Qeverisë i kërkohej anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë dhe rritja e buxhetit për universitetet dhe gjithë arsimin në vend. Në 10 ditë ultimatum, qeveria refuzoi të negocionte me pedagogët dhe profesorët e njohur të fakultetit më të madh në vend. Dje paradite ministrja e re e Arsimit, Besa Shahini tentoi të negocionte, por bisedimet përfunduan me justifikime të qeverisë dhe me vendimin për të mos ndryshuar ligjin e Arsimit të Lartë. Në këtë situatë, pedagogët deklaruan dje grevën e përgjithshme si hapin e radhës kundër qeverisë. Vendimi i pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Shoqërorë është mbështetur nga gjithë studentët, që kanë muaj që bojkotojnë. Pas këtij fakulteti greva universitare pritet të nis në gjithë Fakultetet e Tiranës dhe universitet e gjithë vendit. Efekti i vendimit të akademikëve në Tiranë dha rezultatin e parë në Shkodër. Pasditen e djeshme, ministrja Besa Shahini ndodhej në universitetin e këtij qyteti për të diskutuar me studentët për projektet e qeverisë. Takimi dështoi që në nisje. Studentët nuk pranuan asnjë negociatë më përfaqësuesit e qeverisë duke këmbëngulur në plotësimin e kushteve. Ndërsa pritet që edhe universitetet e tjera të shpallin bojkotin, studentët dhe pedagogët deklarojnë se nëse qeveria nuk reflekton do të dali në protesta para Kryeministrisë.
Situatës që po vlon prej muajsh në universitete i janë shtuar dhe protestat e opozitës. Partitë e Frontit Opozitar kanë paralajmëruar një protestë të madhe më 16 shkurt. Por duket se tubimet të tjera do ti paraprijnë kësaj proteste. Kreu i PD-së, Lulzim Basha ishte dje në Durrës në një takim të zakonshëm me elektoratin e PD. Si rrallë herë në takimet e fundit të PD, një aktivitet partie u kthye në protestë masive në qytetin e Durrësit. Pas Durrësit, të dielën në Elbasan është paralajmëruar një tjetër protestë e madhe opozitare. Këtë herë janë qytetarët ata që po dalin para partive duke kërkuar protesta dhe tubime në gjithë vendin. Jo rastësisht, në takimet e krerëve të PD janë militantët dhe qytetarët që kërkojnë reagim më të fortë dhe jo vetëm protesta dekorative.
Nisja e protesta në shumë qytete të vendit pritet ti paraprijë mitingu që opozita ka paralajmëruar më 16 shkurt. Sipas opozitës ky do të jetë tubimi më masiv i viteve të fundit, që nuk do të ketë vetëm fjalime, por aksion konkret kundër qeverisë. Ndryshe nga studentët, opozita nuk kërkon ndryshimin e ligjit për Arsimin, por largimin gjithë qeverisë “Rama”.
Ndërkohë Edi Rama është shprehur se nuk don t’ia dijë aspak për 16 shkurtin dhe se qeveria e tij do të shkojë e qetë në zgjedhjet e 30 qershorit. Por kjo duket paksa e vështirë duke parë se opozita me 16 shkurt ka skenarin e përballjes frontale duke synuar detyrimin për tu dorëhequr kryeministri e krijimin e një Qeveria Tranzitore e cila të çojë vendin drejt marrjes së statusit kandidat për në BE dhe zgjedhje të parakohshme.
Stuhi dhe rrufe po vijnë vrullshëm mbi kryeministrinë dhe më pas uragani me 16 shkurt.