Sulmuan barbarisht me shkopinj bejsbolli kushërinjtë e fisit Maja, dalin pamjet e 4 të shoqëruarve. Shkrihet komisariati i Krujës

Ngjarja makabre, e cila ka shokuar gjithë shoqerinë shqiptare, ka sjellë reagime të shumta. Të gjithë e kanë dënuar, kurse deputeti Rrahman Rraja, babai i njeri prej dhunuesve, ka dhënë dorëheqjen si deputet. Ndërkohë policia e shtetit është në aksion për të arrestuar djalin e deputeti Rraja, por edhe disa të tjerë të përfshirë të cilët janë në videon e transmetuar.

Pas videos së publikuar ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan barbarisht dy kushërinj të fisit Maja, deri më tani janë shoqëruar në polici gjashtë persona.

Në kërkim janë shpallur shtetasit Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç, ndërsa gjatë ditës së djeshme u shpallën në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja.

Ndërkohë autoritetet kanë bërë publike pamje nga momenti i shoqërimit në komisariat të katër persona që ishin të përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Për ngjarjen, deri më tani janë shoqëruar tetë persona, ndërsa gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim.

“Gjatë mëngjesit të sotëm u bë shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasve, L. Rr., D. Rr., H. Rr., dhe A. Rr. Po kështu, u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç. Ndërsa gjatë ditës së djeshme u shpallën në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja”, njofton policia.

Një ditë më parë, u shoqëruan Ineid Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale  “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Neglizhenca dhe vonesa e policisë në reagimin e saj për këtë ngjarje ka detyruar Policinë e Shtetit të zhbëjë të gjithë Komisariatin e Krujës. “Do të rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati”, thuhet në njoftim.

SHKARKO APP