Surpriza e radhës nga Rama-Basha: Asnjë kandidat në debat televiziv për zgjedhjet

Vendoset veto nga PD dhe PS për të mos zhvilluar ballafaqime publike me rivalët në zgjedhje. Basha harron kërkesën për Ramën për debat publik, “frikë nga kamerat”

Përveç toneve të ashpra dhe replikave në fushatë, zbulohet dhe një tjetër pakt mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Pas marrëveshjes së famshme 18 majit, PS dhe PD kanë bërë edhe një tjetër marrëveshje të fshehtë e zbuluar së fundmi. Nga burime pranë këtyre dy forcave politike mësohet se është vendosur që ato të shmangin përballjen në debatet televizive me përfaqësues apo kandidatë të partive të tjera. Ky vendim i është bërë e ditur edhe televizioneve që janë përballur papritur me këtë kusht të panegociueshëm për të mos ftuar asnjë përfaqësues të partive të tjera në panelet ku bëjnë pjesë kandidatë nga PS dhe PD.
Një vendim që duket se nxjerr në pah edhe kompleksin që kanë drejtuesit e dy partive në fjalë për t’u sfiduar publikisht me kandidatët e partive të tjera dhe për t’i bërë bisht transparencës para opinionit publik.
Kjo është një lëvizje e paprecedentë në historinë e fushatave elektorale që nuk tregon asgjë tjetër veçse frikën apo inferioritetin që kanë PS dhe PD, duke mos pasur besim as në aftësitë e kandidatëve të tyre. Janë pikërisht këta të fundit që duhet të ndihen më keq nga ky vendim i lidershipit të partisë që dashur pa dashur i ka injoruar, duke bërë figurë të keqe dhe me hijen e njerëzve të paaftë për t’u përballur në debat elektoral për platformat e tyre.
Kjo gjë duket edhe më qartë në artikulimet që ka bërë në mitingjet e ditëve të fundit Kryetari i Partisë Demokratike ku shprehja “Eja në debat” është hequr nga fjalori i tij.
Në fillim të fushatës elektorale pas arritjes së marrëveshjes së famshme të 18 majit, Basha vazhdimisht ftonte Ramën në debat publik për t’u përballur me të për programet politike, por pak ditë pas fillimit të fushatës me gaz të plotë, si Rama ashtu edhe Basha kanë shtuar edhe një pikë në marrëveshjen e tyre duke vendosur veton për këto ballafaqime publike, si ndërmjet tyre, ashtu edhe partitë e tjera rivale.

SHKARKO APP