Syrja bej Vlora: Ismail Qemalit i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare…qëllime jo serioze në politikë

Syrja bej Vlora është një ndër personalitetet e njohura të familjeve të mëdha shqiptare, që ka bërë shumë për Shqipërinë.

Thuhet madje se nga austriakët, ishte planifikuar pikërisht ai që të shpallte pavarësinë e Shqipërisë, gjë që u bë më pas nga Ismail bej Vlora.

Por çfarë shkruan për këtë të fundit në librin e tij “Kujtime-Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës”, i cili dëshmon për ngjarje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që nga shpallja e pavarësisë, ardhja e princ Vidit, kryengritjet, marrëdhëniet me Italinë, deri në “hedhjen në det” të këtyre të fundit në vitin 1920?

Më poshtë po iu sjellim mendimin e tij për njeriun që i zuri vendin në histori, por dhe për Haxhi Qamilin.

Për Ismail bejl Vlorën

Në personalitetin e Ismail Qemal Beut, në sjelljen e tij kishte seriozitet dhe fisnikëri. Për kërkesat ndaj vetes së tij të detyronte ta nderoje.

Tregonte shumë kujdes të kishte nën kontroll dhe të kujtonte secilin. Në çdo situatë shihej si kryetar dhe mund ta ruante vazhdimisht ekuilibrin. Rrugën e jetës së tij e kaloi me shumë probleme, por nuk tregoi dobësi.

Nuk ishte i lumtur, por nuk e tregonte veten të pashpresë dhe të mërzitur. Të ardhurat i shpenzonte në vende të panevojshme. Në këtë periudhë gjithmonë gjendej në vështirësi të tmerrshme.

Por i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare. Fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte të metë se kishte aftësi të mashtronte me fjalë.

Kur kërkonte të zotëronte situatën, vendoste autoritetin, bëhej tahmaqar dhe i shkonte fjala; kundërshtonte, thërriste, por qëndronte larg nga zëniet dhe konfliktet (Në kohën që caktohej kufiri i Shqipërisë, me qëllim që të sigurohej përkrahja e Francës, u pa e nevojshme t’i dërgohej një telegram zotit Raymond Poincare.

Kur po bisedohej për mënyrën e shkrimit të këtij telegrami me Këshillin Ministror, nisën të marrin pjesë në bisedime dhe një turmë xhahilësh, të cilët nuk druanin dhe hynin përherë pranë Ismail Qemalit. Ismail Beu, pa treguar asnjë shenjë mërzie ose zemërimi, vazhdoi të shkruante telegramin në fjalë duke i dëgjuar e duruar gjithë budallallëqet e tyre).

Nuk e prishte qetësinë nëse nuk ishte i detyruar; nuk kërkonte të ngatërrohej me fjalë; ishte i pasur në ndjenjat e tij; ishte i ditur dhe nuk i shikonte gjërat në mënyrë sipërfaqësore. Rrallë kalonte në situata të padëshirueshme. Me asnjë nuk zuri marrëdhënie miqësore.

Në marrëdhëniet përballë dy personave gjatë bisedës donte të tregonte epërsinë e tij. Dukej se e donte atdheun dhe patriotët. Pas fitores së serbëve dhe bullgarëve u largua në Vlorë nga Stambolli për në Vjenë.

Duke qenë i sigurt në ndihmën e Austrisë prej andej u drejtua për lorë. Nga Shqipëria iku i vogël dhe u kthye në moshë të pjekur. Prej fëmijërisë në mendjen e tij kishte krijuar një imazh tjetër për Shqipërinë.

Ndryshimet e mëdha që vuri re me kthimin në Shqipëri, e bënë atë të vendoste të prishte imazhin e krijuar në mendje, të merrej me politikë e të punonte sa kishte fuqi. Mund të themi se rrethi shoqëror që gjeti, ishte më i përparuar. Në ballafaqim me secilin shpjegonte elementin (e administrimit publik) “kanton” dhe të mirat e tij (Ismail Beu, në Vlorë një kohë ndenji në shtëpi të Hasan Aga Sharrës, më pas në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës dhe, më së fundi caktoi si banesë ndërtesën e karantinës, që ndodhet në skelë.

Kurdoherë rrinte mbi një minder, aty flinte, aty hante bukën dhe aty i priste ata që vinin, për të treguar se vlerësonte jetën popullore. Mundonte veten, por kjo gjendje mjeruese shkaktonte te të huajt një përshtypje të keqe). Mirëpo, bashkimi i pronës nuk siguronte mbështetjen në formë të prerë. I kishin tërhequr vëmendjen se forma e ndarjes së shtetit në kantone do të kërkonte ndarje administrative.

Ai e dinte sa e rrezikshme dhe sa shumë e nevojshme ishte të merrej ende në vëmendje pjesa e punës së policit, pasi ende brenda nesh administrimi i shoqërive (komuniteteve që i bashkojnë zakonet dhe traditat) nuk kishte arritur nivelin e duhur.

Prandaj kërkimet dhe vëzhgimet ishin tepër të nevojshme. Qeveria në vite ishte civilizuar. Përparimi, civilizimi dhe bashkimi në një vend konsiderohej dhe pranohej si i shenjtë. Por gjuha dhe civilizimi nuk ishin pranuar në popull. Kjo nuk do të ishte e mundur të përvetësohej nga secili menjëherë. Mund të themi se Ismail Beu me këtë zhvillim të inteligjencës i parapriu Esat Pashës.

Në emër të “Shqipëria me dy qeveri”, Esat Pasha mori guximin të kalonte situatën dhe të formonte qeverinë e dytë, duke hapur kështu një derë të shkatërruar. Sidoqoftë, Ismail Qemal Beu nuk pati frikë dhe e kuptoi nevojën e vendit tonë që programet politike të lëvizjes duhet të bashkoheshin dhe të merreshin masa, të cilat do t’i shërbenin shoqërisë sonë.

Por ligjet e vëna nuk e garantonin këtë. Ismail Qemal beu ishte një nga ata që e njihte më mirë Kushtetutën Osmane. Që prej kohës së Mit’hat Pashës, ai e kishte treguar këtë me zgjuarsinë e të kuptuarit të situatave. Vendi ushqente shpresa të mëdha. Rreth 14-15 muaj që ishte në drejtim, kaloi gjithë kohën në udhëtim, ai ishte një udhëheqës që nuk pati nj vdekje të lumtur.

Si kryetar asnjëherë nuk përfitoi nga posti që kishte. Në një situatë ku ai lehtësoi realizimin e qëllimit të udhëtarëve, që lëviznin nga Stambolli me vaporin “Meran”, me dhënien e njoftimit se rrezikonin të shkaktonin gjendje kaotike në Shqipëri, u bë objekt i marrjes së fajit. Nëse duhet të analizojmë personalitetin e tij, mund të them se Ismail Qemal Beu asnjëherë nuk ndoqi një qëllim serioz në politikë. Profesionin e tij, politikën, mikun dhe familjen e tij nuk i mendoi më tepër se veten.

Mendoi vetëm për veten e tij. Vazhdimisht jetoi me luftë dhe kënaqësinë më të madhe të jetës e gjeti në sigurimin e dëshirave vetjake. Më së fundi, them se shpallja e pavarësisë nga Ismail Qemal Beu është shërbimi për të çuar në vend detyrën. Fitorja e saj ishte e drejtë për historinë e kombit tonë dhe e rregullt. Mëshira e Zotit qoftë mbi të!

“Haxhi Qamili, një kriminel i çmendur”

Në Shqipëri ishin të pakta ato zemra të pastra, që e ndienin pavarësinë dhe ruanin shpresën për të ardhmen kombëtare.

Turma nuk i çmonte dobitë e lirisë ose vargonjtë e skllavërisë. Ajo vetëm dëshironte një ndryshim administrate dhe priste ndonjë ngjarje të re, pa qenë në gjendje ta kuptonte si duhej bërë ky ndryshim.

Fanatikët, që atdhedashurinë e quanin si një mëkat dhe kundër fesë, duke përfituar nga verbëria e popullit dhe duke marrë si pretekst gënjeshtrën, se feja e sovranit do të zhdukë traditat myslimane, shtuan shpresën për krijimin e një qeverie myslimane, ose vazhdimin e lidhjeve me Portën e Lartë.

Dihej se realizimi i këtij qëllimi nuk ishte i mundur. Shqipëria nuk mund të rronte pa u ngritur një administratë kombëtare, që ta bashkonte popullin e të tri feve. Katolikët dhe ortodoksët e vendosur në viset kufitare nuk ishin bashkuar ende.

Ata ishin të shqetësuar nga trazirat e administratës dhe shumica nuk e kishte treguar ende prirjen kombëtare. Në sy të botës, Shqipëria shfaqej jo unike, e përbërë prej fisesh të ndryshme. Në terren nuk shihej gjë tjetër, veçse mbeturina e shkatërrime.

Por, krerët e rebelëve, që me pasionin e reaksionit nuk lanë dy gurë bashkë, nuk deshën t’i shihnin këto rreziqe, madje do të ishte më e drejtë të themi se nuk deshën t’i pranonin ato…

Haxhi Qamili, shërbëtori i Refik Beut (Toptanit) nga Tirana, me gjithë kuptimin e fjalës ishte njeriu që në vetvete personifikonte egërsinë, ishte armik i edukatës shoqërore dhe i zhveshur nga ndjenjat kombëtare.

Ai ishte si një i çmendur, i arratisur prej çmendine. Çmenduria dhe kriminaliteti i tij dihej nga çdo njeri. Pikërisht atë e pranuan si udhëheqës dhe iu vunë pas.

Në minutën që Prind Vidi iku, karvani i rebelëve që ishin grumbulluar në qarkun e Durrësit, hyri në qytet dhe vuri dorë mbi Pallatin Mbretëror dhe mbi zyrat qeveritare.

Rebelët nuk e panë të nevojshme të formonin një qeveri qendrore. Çdo kryetar me mbështetësit e tij u shpërnda, duke djegur e shkatërruar tërë vendet që hasnin në rrugën e pushtimit. Haxhi Qamili kishte veshur një uniformë gjenerali brigade, të cilën e kishte grabitur në shtëpinë e Fadil Toptanit.

Me këtë uniformë ai ishte bërë qesharak dhe njëkohësisht maskara. Kësisoj, doli në mejdan atë ditë që populli i Tiranës, i Shijakut dhe i Kavajës, me apo pa dashje, iu nënshtrua. (TemA)

SHKARKO APP