Saimir Tahiri është arratisur apo ka shkuar të dorëzojë materialet që ka për Ramën?
Saimir Tahiri është emri dhe dosja që lë pa gjumë kryeministrin Rama. Prokuroria po avancon në dokumenta dhe materiale të tjera në lidhje me akuzat. Ministria e drejtësisë po vonon përkthimin e materialëve nga italishtja në shqip të dosjes së ardhur nga Italia. Një biznesmen kapet me 860 mijë euro cash bashkë me patentat e Saimir Tahirit. Një këshilltar i kryeministrit ka udhëtuar pardje, me linjë ajrore Tiranë-Romë-Frankfurt dhe ka mbërritur dy orë pasi ish-ministri Tahiri ka shkuar në Gjermani. Nuk dihet nëse këshilltari i kryeministrit Rama dhe ish-ministri Tahiri janë takuar apo koicidencë udhëtimi dhe strehimi në të njëjtin hotel?
Informacione të rezervuara tregojnë se takimi në Gjermani është bërë si negociatë e fundit mes Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Mësohet se pala mbrojtëse e Tahirit ka aluduar se ai ka shkuar në vizitë mjeksore, por dyshimet mbeten se takimi Tahiri me njeriun e Kryeministrit ka qenë motivi kryesor i lëvizjes. Ndërkohë frika në kryeministri mbetet se mos ish-ministrit po bashkëpunon me palën gjermane dhe ka treguar gjithçka ka apo di për mafien shqiptare dhe kryeministrin.
Ndërkohë media shqiptare aludon për arratisje të Saimir Tahirit.
Të premten, Top Channel njoftoi për daljen jashtë vendit të ish-ministrit Saimir Tahiri. Për këtë, avokati i tij tha se nuk kishte dijeni. Por avokati shtoi se zoti Tahiri ishte një njeri i lirë dhe nuk kishte asnjë ndalim për të udhëtuar brenda dhe jashtë shtetit. Por pikërisht kjo është çështja. Kur prokurorët u paraqitën më 20 tetor në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të kërkuar autorizmin për arrestimin e deputetit Tahiri, prokurorët thanë se i ndruheshin largimit të tij.
Mundësia e largimit u formulua edhe nga deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj. Një ditë më vonë, mazhoranca në Këshill refuzoi kërkesën për arrestim. Dy ditë më vonë, kur Saimir Tahiri u përjashtua nga grupi parlamentar dhe Edi Rama tha se grupi refuzon në unanimitet arrestimin e deputetit, ofroi këto garanci që prokurorët të kryenin sipas tij një hetim të plotë.
Më datë 25, Parlamenti votoi vetëm autorizimin për kontroll personal dhe banese, të cilin Prokuroria e validoi në gjykatë. Kaq, asgjë më shumë. Nga ky moment, Saimir Tahiri ishte një njeri i lirë për të udhëtuar pa asnjë shqetësim, brenda dhe jashtë vendit, në Gjermani apo çdo vend tjetër të hapësirës “Schengen”.
Çfarë ndodhi mes 20 dhe 25 tetorit, dy data kyç ku mazhoranca mori vendim se çdo të bënte me deputetin e saj? Kjo është çështja! Ndërkohë që publiku me të drejtë pyet sot: Ku është Saimir Tahiri?
Largimi drejt Gjermanisë nga ana e ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri është një akt i cili bie në kundërshtim edhe me atë që vendosi kuvendi i Shqipërisë, kur miratoi mosarrestimin e tij. Është zbuluar këtë të shtunë një pjesë e dokumentit që mban firmën e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku në mënyrë të qartë shkruhet se parlamenti i jep autorizim Prokurorisë për kontrollin e banesës së Tahirit, por edhe për moslejimin e daljes së tij, jashtë territorit të Shqipërisë.