Tahiri: Presidenti Nishani, mos u merr me lodrat, fol për gjyqtarin Aliaj !
Vazhdojnë akuzat e Tahirit. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli para medias në Ministrinë e Brendshme për të sulmuar sërish Gjykatën e Tiranës në lidhje me vendimin që gjyqtari Arjan Aliaj dha për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Pas dy konferencave të djeshme për shtyp, në këtë të sotmen Tahiri tha se Aliaj është përzgjedhur jashtë shortit dhe jashtë ligjit, me justifikimin se gjyqtari i përzgjedhur me short kishte probleme shëndetësore. Me akuza të forta ndaj gjyqësorit, kryesisht gjykatës së Tiranës, ministri i Brendshëm e lidhi përzgjedhjen e gjyqtarit Aliaj me kreun e gjykatës së Tiranës, Fatri Islami, për të cilin tha se ka lidhje jo vetëm nga vendlindja me ish –kryeministrin Sali Berisha, por ka shërbyer edhe si asistent personal i Argita Berishës.
Ministri i Brendshëm i kërkoi Presidentit të Republikës, në rolin e kryetarit të KLD, të përgjigjet se për cilat arsye u përzgjodh ky gjyqtar që ka liruar persona të dënuar për vepra të rënda penale, për të dhënë një vendim, që sipas tij është i paligjshëm.
Tahiri: Pas denoncimit tim dje të skandalit në gjykatën e tiranës për përcaktimit jashtë ligjit dhe jashtë shortit të gjyqtarit Arjan Aliaj, dje fatkeqësisht gjykata pranoi se skandali qëndron, duke thënë se gjyqtari kishte probleme shëndetësore. Kjo është hera e dytë që dëgjoj justifikime të këtij tipi, pas jusftifikimeve me raporte shëndetësore të Lulzim Bashës. Por është hera e parë kur gjykata e Tiranës pranon një skandal të caktimit të një gjyqtari pa respektuar shortin, duke zgjedhur një gjyqtar të disponueshëm për të dhënë një vendim haptas joligjor. Unë duhet të pyes presidentin, për cilën arsye u përzgjodh gjyqtari Arjan Aliaj, i cili është shkarkuar nga detyra, pasi me vendimin 1999 ka liruar një person të dënuar me 14 vjet për marrëdhënie seksuale me dhunë, ka liruar një person të dënuar për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, ka dhënë të paktën 4 vendime të tjera për lirim nga burgu për të dënuar që kanë kryer vepra të rënda penale? Për cilën arsye u përzgjodh një gjyqtar që ka liruar vrasës e përdhunues, për cilën arsye u shkel ligji dhe rreguli dhe u zgjodh jashtë shortit një gjyqtar i tillë?
Të thotë për cilën arsye, kryetari i Gjykatës së Tiranës, Fatri Islami, i lidhur me Berishën, asistent personal i Argita Berishës, ka përzgjedhur pikërisht jashtë ligjit jashtë rregullit jashtë shortit gjyqtarin Arjan Aliaj? Për cilën arsye duhej ky shërbim politik? Për cilën arsye duhej përzgjedhur një ushtar?
Duhej përzgjedhur pikërisht ky me një cështje që nuk ka lidhje me të vërtetën dhe asnjë lidhje me drejtësinë. Këto janë pyetjet që duhet të përgjigjet Presidenti i Republikës, në rolin e kryetari të KLD, i cili, nëse gjen kohë për lojërat e kalamajve duhet të përgjigjet për skandalet në gjykatën e Tiranës.