Saimir Tahiri akuzon rëndë: Ambasada e SHBA të mos kthehet si klubi i palaçove analistë
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar pas deklaratës së ambasadës amerikane në Tiranë ku përmendej dhe emri i tij. Tahiri thotë se ambasada Amerikane ka folur me shumë se vet ai për hetimet. Ndërsa shton se “nuk besonte se kurrë se Ambasada Amerikane është kthyer në Prokurori a Gjykatë”.
Në reagim, Tahiri sulmon dhe gazetarët dhe analistët që kanë kritikuar qëndrimet e tij.
Postimi i plotë i Saimir Tahirit në Facebook:
“Siç nuk duhet të ndodhte në një vend normal, për fat të keq ka ndodhur që Ambasada Amerikane ka folur për hetimin ndaj meje më shumë se ç’kam folur unë vet. Ndodhi sërisht edhe sot!
Ndërsa ky lapsprishuri, e gjeti rastin e radhës të vjelli banakut duke më bërë mua simbolin e dështimit të reformës në drejtësi. Reformës në drejtësi në Itali e ka fjalën ky? Atje ku u hetova jo politikisht, por profesionalisht dhe përfundimi ishte se nuk kam asnjë lidhje me gjithë llumin që e ka mbushur opinionin publik soji këtyre këtu.
Se ç’lidhje ka reforma në drejtësi këtu tek ne me hetimet nga Prokuroria Antimafia e Italisë prej nga ku mora drejtësinë që më takonte, këtë nuk e gjen dot as ky analisti në kulm të ligësisë së vet.
Por është motiv i bollshëm për të hedhur balten e radhës, siç kanë bërë me pash deri sot.
Unë nuk besoj kurrë se Ambasada Amerikane është kthyer në Prokurori a Gjykatë mu si ky klubi i analistëve palaço që ka me kile në vendin tonë, ndaj e përshëndes prononcimin me besimin se duam e presim të njëjtën gjë; drejtësia të bëjë drejtësi!”.
Ambasada e SHBA: Presim zbatimin e ligjit dhe për ish-ministrin Samir Tahiri