Tahiri sulmon Prokurorinë dhe median: Nuk jam unë “Saimiri” i përgjimeve

Një ditë para se Kuvendi të mblidhet në një seancë të posaçme për të venosur mbi fatin e deputetit Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm ka vendosur të flasë edhe njëherë publikisht.

Në një konferencë për shtyp në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, deputeti Tahiri po shpreh edhe njëherë qëndrimin e tij për kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e tij.

Në kritikat e ish-ministrit veç prokurorisë, këtë herë sulmoi dhe media dhe analistët që sipas tij po i bëjnë gjyqin publik. Tahiri tha se është gati të përballojë çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi të pa të drejtë. Ish-ministri tha se nuk ka asnjë provë që e lidh Saimir Tahiri me “Saimirin” që përmendet në përgjimet e disa kriminelëve në Itali.

“Nga njëra anë është gjyqi juridik dhe kërkesa e prokurorisë që kërkon arrestimin tim, dhe nga ana tjetër gjyqi politik e publik nga njerëz që hedhin baltë mbi mua. Nëse politikës i ka ardhur rasti që llumin e 25 viteve ta hedhë mbi mua, nga ata që s’kanë kursyer as vrasjet për të kursyer vjedhjet, u them rrini pa merak se do e përballoj edhe këtë”,- tha Tahiri.

Teksa ka nxjerrë një dokument të Prokurorisë së Katanias, ai thotë se nuk ka hetim në Itali për të, për këtë çështje. Teksa thotë se këto akuza janë trillim, Tahiri thekson se do t’i shkojë deri në fund së vërtetës.

“Prokuroria e Katanias që ka hetuar 4 vite këtë grup kriminal, ku sipas Prokurorisë shqiptare bëj pjesë unë, nuk ka gjetur një lidhje të vetme qoftë edhe të largët për të nisur procedim ndaj meje. Duke qenë se siç thotë Prokuroria e Katanias nuk është hetuar ndaj meje, si ka mundësi që prokuroria shqiptare me letra të bëra publike në media ka kërkuar dhe kërkon arrestimin tim. Si ka mundësi që prokuroria nuk dinte fare që unë personalisht kisha kërkuar hetim që në 2015 edhe për makinën time, edhe për Habilajt, dhe gjithçka tjetër u tha në publik. Në këtë fletë të Katanias ku hyn lufta kundër drogës, që kam dëgjuar të përbetohet ajo lloj klase politike, ku Luli dhe Monika janë kukullat kryesore të drejtuesve të tyre”,- tha Tahiri.

Ish-ministri tha se ai ka luftuar krimin dhe do ta luftojë edhe në vazhdim. “Ku hyj unë në gjithë këtë, dhe si nuk mori kush mundimin të bëjë një verifikim minimal; si ky që bëra unë, po shthurin fantazinë në mënyrë që edhe filmat do ja kishin mangët. Unë kam luftuar nga dita e parë e do luftoj deri në të fundit që krimi të goditet. Banda më e rrezikshme është amatore krahasuar me bandën që ka gatuar këtë histori. Unë nuk do bëj asnjë ditë politike krahasuar me këtë çështje”,- tha Tahiri.

Në seancën e nesërme Kuvendi do të diskutojë dy raportet e paraqitura nga mazhoranca dhe opozita, të cilat shprehin qëndrime të ndryshme për këtë çështje, pas diskutimeve në Këshillin e Mandateve.

Dokumenti i Prokurorisë së Katanias për Saimir Tahirin

Deklarata e ish-ministrit:

Me poshte letra e Prokurorise Katania ku pranon se nuk ka asnje hetim ndaj meje. Po Prokuroria jone si donte te me arrestonte me 48 ore letra gazetash????

Une do bej luften time edhe ndaj gjyqit juridik dhe ndaj gjyqit politik e publik. Banda e krimineleve te arrestuar, eshte amatore krahasuar me banden politike qe ka sajuar gjithe kete.

Ka disa ditë që ndaj meje bëhet paralelisht, gjyqi juridik me një kërkesë të prokuroisë që ka për qëllim arrestimin tim, dhe gjyqi politik e publik, ku politikanë, deputetë, analistë, gazetarë, ka marrë një pushkë e hëdh baltë mbi mua duke më bërë herë fajtor ose herë viktimë.

Mua nuk më intereson asgjë nga këto, e as nuk dua të përfshihem në asnjë debat politik e publik.

Nqs politikës i ka ardhur rasti të hedhi llumin e 25 viteve të fundit mbi mua, për ata që nuk kanë lënë gjë pa vjedhur nga xhepat e qytetarëve, nuk kanë lënë famlijar pa pasuruar, nuk kanë kursyer as vrasjet për të mbrojtur vjedhjet, u them pa merak, do e mbaj e përballoj pa asnjë problem këtë barrë.

Nqs analistëve që bëjnë xhiron e mediave e portaleve, që nuk kanë lënë krah e sqetull pa u futur, politikan pa u paguar dhe eksemplarët më të fortë të shembullit se si mund të bësh para duke shitur moral, u kam dalë unë në shteg për të shfryrë mbi mua hesapet e 25 viteve politikë të mbrapshtë, vulgare, të paprinciptë e të pisët deri në fyt, u them pa merak, une do e përballoj sido të jetë.

Por nqs ka qoftë edhe një shteg të vetëm për të gjetur të drejtën, një dritare fare të vogël për tua thënë njerëzve, është e sigurtë se aq do më mjaftojë për ti treguar të gjithëve të vërtetën time, jo me fjalë, por me prova.

Sepse për mua sot, nuk ka rëndësi asnjë debat politik i cfarëdolloj. Për mua ka rëndësi vetëm një gjë, e vërteta.

E për çmimin e të vërtetës, jam i gatshëm të paguaj gjithçka jam e kam. As dua të ma fali kush të drejtën time, as dua të jem peng i kërkujt për të vërtetën që dua ta gjej vetë pa ndihmë e pa mbështetje politike të cilitdo lloj.

Unë tashmë jam një qytetar pa asnjë pushtet. E si i tillë, brenda 48 orëve sigurova këtë përgjigje nga Prokuroria e Katania.

Prokuroria e Katania, që ka hetuar 4 vjet një grup kriminal, e thotë shumë qartë që nuk ka asnjë lidhje me mua.

E kur është kështu, si ka mundësi që prokuroria jonë, brenda 48 orëve, me letra që i morën në redaksi gazetash, kërkuan arrestimin tim.

A nuk iu thanë prokurorët shqipëtarë publikut se prisnin letra nga italia? Kaq të vështirë e kishin të merrnin këtë informacion që mora unë brenda 48 orëve?

Kaq të vështirë e kanë të kuptonin se “saimiri” që përmendet me kamion, me linjë kamionesh, që ngarkon edhe thasë droge, nuk jam e as mund të jem unë?

Si ka mundësi prokuroria nuk dinte fare që unë vetë, personalisht, kisha kërkuar hetim që në 2015 edhe për makinën time, edhe për habilajt, edhe -ër gjithcka tjetër thuhej në publik me akuza që atëherë për përfshirjen time në tradik droge?

Në këtë fletë të bardhë të prokurorisë së katania, ku hyn lufta kundër krimit e kundër drogës që kam dëgjuar të përbetohet cdolloj rrace politike, luli e monika më të parët si kukullat e shefave të tyre.

Ku hyjnë pallavrat e analistëve për shërbime të huaja, parashikimet se po vjen tërmet nga amerika, nga shërbimet sekrete, nga nato e nga lloj lloj corapesh që kam dëgjuar të nxjerrin nga goja.

Ku hyj unë në të gjithë këtë? E si nuk mori kërkush mundimin të bënte një verifikim minimal, por shthurin të gjithë fantazinë e thashethemeve duke mbarsur publikun me tmerre që edhe filmat do ua kishin zili?

Mua nuk më intereson kush arrrestohet për drogë, kush arrestohet për trafik, kam luftuar vetë e do luftoj deri në fund që kjo luftë të vazhdojë.

Por ju siguroj se cilado bandë kriminelësh qoftë, jo më kjo për të cilën flasim, ngjan tërësisht amatore krahasuar me bandën që ka orkestruar këtë histori, duke hedhur nga zyra partie e redaksi lajmesh bomba për publikun, fijet e së cilën sigurisht lëvizin edhe leva të tëra institucionesh që sot nuk janë betuar para ligjit por para pushtetit politik.

Unë i kuptoj qëllimet e gjithësecilit, por unë nuk do bëj asnjë ditë luftë politike për këtë çështje.

Kam kërkuar mos fshihen as psa partisë, as pas imunitetit tim, as pas pushtetit, as pas ndereve e karrveshjeve politike të cioitdo lloj.

Unë kam kërkuar të bëj betejën time për të drejtën dhe të vërtetën. Vetëm kaq.

Kush mendon se qytetarët harrojnë, e kanë gabim. Ata do na gjykojnë më mirë se kushdo.

Deri atëherë, unë kam punë me drejtësinë dhe të vërtetën.

Gjithashtu, i kam kërkuar sot prokrorisë së krimeve të rënda të zhvillojë intensivisht e pa ndërprerje hetimin tim. Rruga jonë për tek e vërteta, nuk mudn të jetë as me pushime në mes, as me terezi se kohën para e kemi.

Unë nuk kam kohë për të humbur në zbardhjen e së vërtetës, e as pres të bëhet tërkuzë kjo histori, për të vonuar të vërtetën e për të lënë llumin e politikës të bëjë politikë.

Dhe do bëj gjithçka që kjo të mos ngecë në kanalet e ndryshkura të drejtësisë, që sot mbeten në këmbë vetëm nga kanalet e pista të politikës, që nga drejtësia e korruptuar janë ende në politikë, e që sot kanë detyrim të mbështesin drejtësinë e korruptuar si shpërblim.

 VIDEO E KONFERENCES SË ISH-MINISTRIT 

https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1109984425793345/

SHKARKO APP