Takimi Meta-Hahn:Reforma në drejtësi shpejt, pa vonesa dhe Kodi Zgjedhor

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili shoqërohej prej Ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Kryetari i Kuvendit, Meta shoqërohej prej Kryetares së Komisionit të Politikës së Jashtme, Arta Dade, Kryetares së Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian Majlinda Bregu dhe Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit, Albana Shtylla.

Fokusi i bisedimeve mes Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe Komisionerit të BE Johannes Hahn u vendos mbi rëndësinë e përmbylljes së fazës së ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, ku Meta rikonfirmoi se menjëherë pas dakortësisë së palëve politike në Komisionin e Posaçëm, ndryshimet e propozuara do të votohen menjëherë në Kuvend pa vonesa.

Duke theksuar rëndësinë e konsensusit për një reformë të qëndrueshme, Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e vyer të Komisionit të Venecias përgjatë këtij proces si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të Bashkimit Evropian, veçanërisht të Misionit EURALIUS në Tiranë dhe të Parlamentit Evropian në gjetjen e një kompromisi dhe për garantimin e gjithëpërfshirjes.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit Meta vuri në dukje se faza e implementimit të reformës në drejtësi është kyçe jo vetëm për efikasitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, veçanërisht në raport me investitorët.

Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn u shpreh se përmbyllja e reformës në drejtësi është faza më kyçe e këtij procesi dhe vuri në dukje se reformimi i sistemit të drejtësisë është parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Në këtë drejtim, Hahn theksoi se Komisioni Evropian do vazhdojë t’i qëndrojë pranë Shqipërisë për përshpejtuar progresin e procesit të integrimit evropian të vendit, i cili duhet trajtuar si një interes i përbashkët kombëtar.

Duke diskutuar mbi axhendën e reformave të tjera,Meta dhe Hahn theksuan më tej rëndësinë e realizimit në kohë të Reformës Zgjedhore në respekt të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Kryetari i Kuvendit, Meta dhe Komisioneri Hahn biseduan në përfundim edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, ku u evidentua roli kyç i Shqipërisë si dhe u nda bindja se Procesi i Berlinit është thelbësor për thellimin e ndërlidhjes dhe bashkëpunimit rajonal.

SHKARKO APP