Takimi u bë, ngërçi vazhdon
Për herë të parë kryetarët e gjithë partive parlamentare janë mbledhur në një takim të veçantë për të diskutuar rrugët e daljes nga ngërçi politik. Palët kanë hedhur në tavolinë të gjitha opsionet e mundshme. Duket se të gjitha partitë, përveç PS dhe Kryeministrit Edi Rama, kanë qenë dakord me zbatimin e paketës “McAllister Plus”. Paketa parashikon zgjidhjen e gjithë problemeve që ngre opozita, përveç Kryeministrit teknik dhe numërimit elektronik, si dhe votimin e Vetingut pa asnjë kusht. Kjo paketë jep dhe një zgjidhje për datën e re të zgjedhjeve. Sipas këtij dokumenti data më e mundshme është 16 korriku. Por pikërisht data e zgjedhjeve është dhe thelbi i debatit mes PS dhe PD. Kryeministri Edi Rama nuk e pranon, të paktën deri dje, shtyrjen e datës së zgjedhjeve nga 18 qershori. Në takimin e pasdites në Elbasan, Rama u shpreh se 18 qershori nuk do të shtyhej. Por në takimin me krerët e 11 partive parlamentare, Rama ka pasur një tjetër variant. Në tavolinën e diskutimeve Kryeministri ka sjellë opsionin e zhvillimit të zgjedhjeve dy javë më pas 18 qershorit, pra datën 2 korrik. Ndërkohë që, 10 kryetarët e partive të tjera parlamentare kanë mbështetur idenë e zbatimit pikë për pikë të paketës “McAllister Plus”, e cila përcakton datën 16 korrik. Një fakt i tillë u konfirmua mbrëmë vonë edhe nga kreu i LSI-së, Petrit Vasili. “Paketa McAllistër ka një datë, 16 korrik. Është një datë normale. Bëhet fjalë për një datë jo më shumë se katër javë nga ajo ekzistuesja”,- tha kreu i LSI-së, Petrit Vasili. Të këtij mendimi janë të gjitha partitë, përveç Edi Ramës.
Në tryezën e 11 partive nuk është arritur një vendimmarrje e saktë për shtyrjen e zgjedhjeve. Kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar të lëshojë më shumë se dy javë. Ndërkohë që, negociatat nuk janë ndalur vetëm me takimin e krerëve të partive parlamentare. Kryeministri Rama ka kërkuar në mbledhje një takim “kokë më kokë” me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Pas dy orësh takim me krerët e partive, Rama dhe Basha kanë zhvilluar takimin me vete në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Mesa duket dy forcat kryesore kanë vendosur që të sheshojnë mosmarrëveshjet duke realizuar pakte jo më të gjitha forcat parlamentare. Ndërkohë takimi duket se i shërben një tjetër mënyrë sesi mund të zgjidhet kriza. Edhe nëse palët bien dakord sot për shtyrjen e zgjedhjeve, duhen disa ndërhyrje ligjore të rëndësishme për të bërë të pavlefshëm ligjërisht 18 qershorin. E vetmja mënyrë që i nxjerr të gjitha palët në mënyrë të shpejtë nga situata është Kolegji Zgjedhor. Ditën e sotme Kolegji Zgjedhor do të marrë në shqyrtim një padi të bërë nga Partia Agrare Ambientaliste për shpalljen të paligjshme të vendimeve të KQZ-së për regjistrimin e partive ekzistuese. Padia kërkon shpalljen të pavlefshme të gjithë procesit zgjedhor dhe automatikisht detyron Parlamentin dhe Presidentin të vendosin një datë të re zgjedhjesh. Vendimi i sotëm i Kolegjit është më i rëndësishmi. Pesë gjyqtarët, mes të cilëve ka dhe emra që janë akuzuar shpesh për afërsi me partitë politike, do të kenë në dorë fatin e zgjedhjeve. Ndaj marrëveshja e kokë me kokë Basha-Rama ka pasur edhe këtë pikë që Kolegji Zgjedhor ta rrëzojë KQZ-në në mënyrë që të jepet preteksti ligjor për rrëzimin e 18 qershorit.
Nesër Kolegji Zgjedhor mund të bëjë atë që nuk e bënë dot as negociatat e eurodeputetit David Mc Allister dhe as diplomatit të DASH, Hoyt Brian Leee, duke zgjidhur ligjërisht gjithë sherrin politik. Nëse Kolegji rrëzon vendimet e KQZ-së si të paligjshme, zgjedhjet automatikisht shtyhen. Datën e re e vendos KQZ ose Presidenti. Mundet të kërkojë ndërhyrje urgjente në Kodin Zgjedhor për datën e re të zgjedhjeve.
Kishin gjithë këto muaj në dispozicion Rama-Basha, por nuk përdorën kohën. Tashmë janë ngërthyer nga mungesa e kohës, kohë, të cilën ua kujtoj disa herë Ilir Meta dhe ndërkombëtarët se duhet të uleshin të dy bashkë për të gjetur marrëveshje.
Nesër Kolegji Zgjedhor mund t’i japë zgjidhje marrëveshjes së pa firmosur të mbrëmshme.
Qamil Xhani