Taktika e Berishës për protestën e madhe finale në sheshin para kryeministrisë
Nga Lindita Kokoli-
U premtua protesta në shtator. Edhe tetori hyri, por nuk duket datë finale për protestë para kryeministrisë. Ndërkohë Berisha po vazhdon çdo ditë e në çdo cep të Shqipërisë takim-kuvendime me demokratët, por edhe me njerëz jashtë opozitës, të cilët shkojnë në takimet e tij.
Nga brenda stafi të tij thuhet se ai po shkon kudo për ti takuar demokratët dhe opozitarët jo vetëm për të biseduar me ta, por edhe për ti karikuar për ditën e protestës finale.
Pra taktikisht duket ide brilante kjo e liderit të opozitës, sepse po bën edhe sondazh se sa veta mund ti vijnë kur ti thërrasë për përballjen finale me kryeministrin.
I njëjti burim tha për KJ se synimi është që të kemi mbi 150 mijë veta në Bulevardin kryesor dhe në sheshin “Nënë Tereza”.
Nëse kjo mbetet synim i Berishës, atëhere duhet pritur e nuk duhet nxituar për të bërë formalisht një protestë në Bulevardin e Tiranës si dikur kur ishte Basha që vinin me hov e iknin të zhgënjyer.
Sot nga Libohova kryetari i PD-së, Berisha tha ndër të tjera se “po shohim se si po tretemi, se si po na ikën e ardhmja, rinia. Do e nis nga të rinjtë. Në këtë betejë, ju bëj thirrje të dilni në krye të përpjekjes, qoftë për një fushatë model, qoftë për protesta të fuqishme. Kemi detyrim të madh ndaj njëri-tjetrit, ndaj trashëgimisë sonë atdhetare, që të ndalojmë rrokullisjen e madhe.”, tha Berisha.