Taktika e kryeministrit Rama për zgjedhje të parakohshme

Edi Rama ka filluar pushimet, porse nuk ndalon se menduari se si ta kalojë këtë situatë ku i ka marrë të gjitha, por realisht nuk ndjehet aspak i sigurtë.

Kur ngarkohesh shumë, rrëzohesh më lehtë. Pasi mori gjithçka kishte në Shqipëri; pushtetin ekzekutiv, parlamentar, drejtësinë, biznesin, koncensionet, tenderimet, bashkitë dhe mediat, ai tashmë po mendon se si të dalë “burrë i mirë” për të thënë se “ja mi la të gjitha opozita në dorë, por hajdeni të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”. Dhe që ti fitojë prapë, me të njëjtën mënyrë, por jo me blerje kryesisht nga bandat se ka frikë ndërkombëtarët dhe nga opozita e cila do jetë luftë dhëmbë për dhëmbë. Natyrisht disa banda do veprojnë prapë për të blerë vota, pasi janë fuqizuar kaq shumë aqsa edhe vetë kryeministri nuk ka se ç’tu bëjë atyre.

Edi Rama po mbaron punë me bashkitë, një e nga një po i përlan, derisa të shkojë dhe në Shkodër për të ngritur flamurin e Rilindjes. Sapo ti marrë të gjitha atëhere kryeministri, në raport me reagimin opozitar në vjeshtë, do të pranojë të ulet me opozitën për gjetjen e një date për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Bashkitë janë interesa lokale punësimi, tenderimesh dhe rregullime rrugësh. Dhe plot interesa komunale.

Taktika e kryeministrit është që duke marrë të gjitha bashkitë do të rrisë votat në koshin e PS-së, pasi me 30 qershor ai e pa se as 15 % nuk dolën për ta votuar edhe me një kandidat. Ai do të mundohet ta shtyjë ditën e zgjedhjeve për në maj apo qershor 2020 në mënyrë që rikuperojë nga humbja e elektoratit në mënyrë që të arrijë me koalicion të rimarrë pushtetin. Ndërkohë opozita duket radikale dhe nuk po lë asnjë shenjë tërheqje nga lufta ndaj qeverisë. Bile për t’ia rrëzuar planin e bashkive, të cilat po i merr përditë në kundërshtim me Kushtetutën, opozita ka firmosur për në KQZ që zgjedhjet të zhvillohen me datë 13 tetor sipas dekretit të Presidentit Meta. Por KQZ-ja do ta rrëzojë kërkesën dhe kjo do fus në kaos sistemin politik, sepse në vjeshtë protestat popullore do jenë si në Paris dhe nuk do pyesin shumë disa ndërkombëtarë të lidhur me interesa me Edi Ramën. Megjithatë SHBA e dha pardje një sinjal antiRama, ndonëse me nota të zbutura, por pas shumë kohe e hodhi litarin e varur për qeverinë.

Foli Palmer, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit.

Edi Rama po punon në heshtje për zgjedhjet e parakohshme vitin e ardhshëm, por ai rrëzohet tani në vjeshtë, kur akoma nuk e ka marrë veten nga goditjet e protestave, nga kuotat e ulëta në publik, siç deshmoi 30 qershori si dhe arrestimet e mundshme të vjeshtës. Opozita ka shansin këtë vjeshtë ta rrëzojë me zgjedhje, bile edhe me vetë kryeministër Edi Ramën. Për të qenë paksa realist, duhet të pranojmë se bashkitë kanë interesa lokale dhe lidhin vota përreth bashkive. Ndaj Edi Rama po pret ti marrë të gjitha dhe më pas kur të jenë lidhur zinxhirët e interesave lokale do të dalë vetë e të thotë se “jam gati për zgjedhje”.

Ndaj opozita nuk duhet të ndalojë për tu bërë gati për zgjedhje këtë vjeshtë.

Kuotat janë në favor të saj. Nëse pret se vitin e ardhshëm se do ta kemi Edi Ramën më të dërmuar, gabojnë. Ai ringrihet pa kujtuar, pasi nuk e lenë oligarkët e tij, sepse kanë prapë koncensione dhe tenderime për të gëlltitur nga buxheti i shtetit./Alban Mati/

SHKARKO APP