Tallja dhe barsoletat e kryeministrit
Ironitë dhe sarkazma e Edi Ramës nuk njeh kufij. Përpos ironive në rrjetin social facebook, Rama nuk humbet rastin për të bërë ironi me PD-në edhe në takimet e tij elektorale. Kështu, në një ndalesë në Fishtë të Lezhës nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të listës me kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike.
“Pashë edhe një Frrok në listën e PD-së për Lezhën. Një Frrok në Bashki, një në Kuvend, tani zgjidhni dhe një në Prefekturë e pastaj bëjani Lezhës targën ‘Le Frr’. Na falni për vonesën se nuk e kishim nisur të takoheshim veç socialistët, por tani më kapin dhe demokratët. Është kënaqësi e madhe. Ne socialistët jemi destinuar të vonohemi që të presim ata, siç finalizuam dhe të shtypim procesin e zgjedhjeve. Edhe demokratët e kanë kuptuar që nuk jemi armiqtë e tyre.” – tha Rama ndër të tjera. Ironia me zonat katolike dhe emrat katolikë nga ana e kryeministrit është shenjë e një anormaliteti personal dhe kryeministror. Edhe sikur të kishte përmendur emra të tjerë nga jugu, do ishte e palejueshme, sepse sejcili ka emrin e tij, zakonet, kulturën , doket sipas zonës, të cilat duhen respektuar. Respekti për tjetrin duhet të jetë normë e një shoqerie të lirë demokratike. Ndaj tallja me emrin “Frrok” apo kushdo qoftë nuk i rrit vlerat e humorit të tij. Aq me tepër që restoranti ku ka ngrënë në Lezhë ka një “Frrok” guzhinier! Pra ushqimin e ka ngrënë nga “Frroku”, por nuk duron “frrokët”!
Si të mos mjaftohet me kaq kryeministri po bën një fushatë me batuta dhe barcaleta, kur duhet të jap llogari se çka bërë dhe çfarë nuk ka mbajtur nga premtimet. Dhe jo duke u shfajësuar se e kanë fajin drejtësia! Natyrisht që drejtësia duhen rregulluar, por qeveria cilat premtime ka mbajtur. Kjo quhet llogaridhënie e jo duke bërë ironi me emrat apo me gratë se “duhet të takojnë dhe komshiun…”!
Ironisë se kryeministrit Rama i ka kthyer një përgjigje Agron Duka. “Një burrë që del me tuta, shko e jep çertifikatat e legalizimeve a thua se i ka të shtëpisë së tij. Për më tepër që tallet me ne dhe u thotë grave kur vijnë në mitingje “dëgjo ti, shko tako burrin tënd, por mund të takosh edhe komshiun”. Kështu ka reaguar Agron Duka, duke i kërkuar kryeministrit te jetë më i përgjegjshëm.
Kryeministri ka nevojë të jetë më serioz dhe korrekt me votuesit.