Tatimet nuk u pranojnë firmave të ndërtimit paga poshtë kufirit….
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vendosur një dysheme të re pagash për sektorin e ndërtimit, duke përcaktuar se nga dhjetori 2025 e në vijim nuk do të lejohet deklarimi i pagave më të ulëta se 80 mijë lekë të rinj. Ky vendim synon reduktimin e informalitetit, një problem i theksuar në industrinë e ndërtimit ku shpesh pagat raportohen më të ulëta se pagesa reale e marrë nga punonjësit.
Administrata Tatimore u drejton një apel të drejtpërdrejtë të gjithë bizneseve dhe investitorëve të sektorit që të deklarojnë pagat reale, të plota dhe të sakta, për të shmangur kontrollet e thelluara dhe masat administrative që parashikon legjislacioni tatimor.
Fokusi i kontrolleve: ndërtimi, profesionet me risk dhe pagat e ulëta të deklaruara
Tatimet sqarojnë se plani sektorial i ndërtimit do të përqendrohet te subjektet që:
– Deklarojnë paga më të ulëta se pagat indikative të publikuara nga administrata tatimore;
– Ndryshojnë artificialisht profesionet e punonjësve me qëllim uljen e pagës së deklaruar.
Ky filtër risku pritet të zbulojë raste ku kompania deklaron, për shembull, një murator si punëtor krahu për të paguar më pak detyrime, apo një inxhinier si teknik.
Pagat indikative për profesionet në ndërtim
Sipas listës indikative të publikuar nga Tatimet, pagat minimale të pranueshme në sektor janë:
Sanitari: 600 mijë lekë të vjetra (60 mijë lekë të rinj)
Bojaxhiu: 850 mijë lekë të vjetra
Pllakaxhiu: 900 mijë lekë të vjetra
Ndërsa pagat më të larta u përkasin:
Arkitektëve
Menaxherëve të projekteve
Specialistëve të lartë të inxhinierisë
Vendosja e pagave indikative synon të krijojë një standard minimal nën të cilin deklarimi nuk pranohet, duke detyruar kompanitë të reflektojnë pagën reale që paguajnë punonjësve të tyre.
Analiza e riskut
Për vlerësimin e tatimpaguesve që dyshohet se shmangin deklarimin real të pagave, Administrata Tatimore do të përdorë si element krahasues pagat indikative sipas profesionit, duke kryer:
kontroll të thelluar të marrëdhënieve të punës,
verifikim të ndryshimeve të profesioneve,
krahasim me sektorë të ngjashëm,
inspektime në terren në kantieret e ndërtimit.
Ky mekanizëm synon të frenojë fenomenin e shpërndarjes “cash” të pjesës tjetër të pagës dhe uljen artificiale të detyrimeve tatimore.

KOHA JONË SONDAZH

