Taulant Balla aktin e parë si ministër, ndalon njerëzit e kandidatit të PS që kërcenuan TV e opozitës

Taulant Balla si ministër aktin e tij të parë e ka kryer sot, pasi ka urdhëruar policinë që ndalonin njerëzit e kandidatit të PS për Bashkinë e Rrogozhinës.

Policia e Rrogozhinës ka shoqëruar Arif dhe Agim Memollën, xhaxhallarët e kandidatit të Edi Ramës, Edison Memolla, sepse kanë kërcënuar grupin e xhirimit të SYRI TV.

Grupi i xhirimit të SYRI TV, nën drejtimin e gazetares Marsi Korreshi ndodheshin në Rrogozhinë për të transmetuar se si shkelet ligji, pasi kandidati i Ramës për zgjedhjet e 23 korrikut, Memolla kishte thirrur nën presion, në një drektë mësues, mjekë, administratë e zyrtare të tjerë.

Fakti që SYRI TV ndodhej në Rrogozhinë për të transmetuar këto shkelje, nuk u kanë pëlqyer familjarëve të Memollës dhe miqve të tij, duke kërcënuar më pas gazetarët e SYRI TV.

Por në fillim drejtuesit e policisë së qarkut kanë hezituar për ti ndaluar dhe për ti ardhur në ndihmë grupit të medias opozitare. Sapo Taulant Balla ka parë pamjet nga Syri.tv, tregojnë burimet nga kjo ministri, ai ka urdhëruar që të ndalohen dhe shoqerohen në polici njerëzit e PS. Një hap pozitiv ky nga ministri i ri i akuzuar nga opozita.

Policia e Rrogozhinës

Rreth orës 11:55, Policia e Rrogozhinës ka marrë një telefonatë për ndihmë, nga ekipi i xhirimit të televizionit Syri TV, pasi gjatë kohës që po realizonin një kronikë, në qytetin e Rrogozhinës, pranë një lokali, 2 shtetas i kishin kanosur dhe iu kishin kërkuar që të largoheshin dhe të mos filmonin ambientin privat.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së telefonatës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë marrë kontakt me pjesëtarët e ekipit të xhirimit dhe i kanë këshilluar për të bërë kallëzim në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, por ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim, por janë marrë dëshmitë e tyre mbi rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, për veprime të mëtejshme procedurale, 2 shtetasit e përfshirë, konkretisht shtetasit A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç, të dy banues në Rrogozhinë.

Policia e Shtetit e çmon shumë të vlefshme dhe të rëndësishme punën e gazetarëve, si dhe marrëdhënien e tyre me Policinë e Shtetit, prandaj në këtë kuadër i siguron gazetarët se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e Policisë, si dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit, ndaj kujtdo që tenton të cenojë apo pengojë gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre.

SHKARKO APP