Të enjten mazhoranca vendos për përgjigjen ndaj SPAK: Nuk ka arrest për Belinda Ballukun!
Kryeministri dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të drejtojë këtë të enjte mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku pritet të merret qëndrimi përfundimtar i mazhorancës lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Deputetët socialistë janë njoftuar të mblidhen në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave. Sipas burimeve, në këtë mbledhje do të dëgjohet relatimi i ish-ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve, mbi argumentet e paraqitura nga prokurorët në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Cili është prirja e shumicës?
Nga diskutimet e zhvilluara në Këshillin e Mandateve, deputetët socialistë kanë lënë të kuptohet se masa e pezullimit nga detyra, të cilën Balluku po e zbaton, konsiderohet e mjaftueshme dhe se nuk është e nevojshme një masë më e rëndë si arrestimi. Disa deputetë me rëndësi në PS thanë se as që flitet për masë arresti ndaj Ballukut.
Nëse ky qëndrim konfirmohet, atëherë shumica socialiste nuk do të japë autorizimin për arrestimin, duke e lënë procesin penal të vijojë pa masë shtrënguese.
Një precedent i njohur
Kjo nuk do të ishte hera e parë. Në vitin 2017, për kërkesën e ish Prokurorisë për Krime të Rënda ndaj Saimir Tahiri, Partia Socialiste votoi për heqjen e imunitetit dhe vijimin e hetimeve, por jo për arrestimin e tij.
Çfarë ndodh më pas?
Nëse Kuvendi nuk autorizon arrestimin, SPAK mund të vijojë hetimet dhe ta çojë çështjen në gjykatë pa masë sigurie, ose të kërkojë masa të tjera procedurale në përputhje me ligjin.
Në thelb, vendimi i së enjtes nuk do të përcaktojë fajësinë apo pafajësinë e Ballukut, por do të tregojë se si shumica parlamentare balancohet mes mbrojtjes politike dhe kërkesës së drejtësisë penale.
Përballja është tashmë më shumë politike sesa procedurale – dhe vendimi i grupit socialist do të jetë një sinjal i qartë për raportin mes mazhorancës dhe SPAK-ut.
Disa shenja janë dhënë me shtesa në Kodin e Procedurës Penale.
KOHA JONË SONDAZH

