Të gjithë në radhë për ti bërë qejfin Kryeministrit Edi Rama
Partia Socialiste prej disa javësh ka nisur përgatitjet për kongresin e 19 Marsit. Takimet në bazë, në Vlorë, Berat dhe sot në Durrës janë organizuar për anëtarësimet e reja. Veç dhënies së kartave të për të rinjtë që hyjnë në parti, drejtuesit e PS i kanë shfrytëzuar këto aktivitet për të bërë dhe një bilanc të qeverisjes së deritanishme.
Ajo që bie në sy është retorika gati servile e drejtuesve lokalë të PS, deputetëve, ministrave dhe kryebashkikatëve socialist ndaj kreut të Qeverisë dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Më shumë se bilance dhe vënia në dukje e problemeve të reformave, socialistë që kanë folur në këto takime janë kujdesur t’i thurin lavde kreut të partisë.
Në Vlorë, deputetit Koço Kokëdhima e mbylli fjalimin me fjalët “rroftë Edi Rama”. Sot në Durrës ishte radha e kreut të Bashkisë, Vangjush Dako, i cili është dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Në fjalën e tij, Dako ka lëshuar thagmën e radhës duke thënë se është me Edi Ramën se di të bëjë shtet.
“Vij me Edi Ramën dhe PS se këta bëjnë shtet. Është detyrë e jona për të hapur sa më shumë partinë dhe kjo realisht ka ndodhur në qytetin e Durrësit, por të hapim partinë dhe të fusim në radhët e saj njerëz që duan të kontribuojnë në Durrësin tonë të bukur. Që këta bëjnë shtet, ne e ndiejmë dhe në sajë të reformave që janë ndërmarrë në qytetin tonë të Durrësit. Ndryshimi i madh që ka ndodhur në Durrës, kanë bërë që turistët të rikthehen në këtë qytet”,- tha Dako.
Siç duket, elozhet e ndaj Kryetarit janë dhe një mënyrë për t’i garantuar publikisht besnikërinë në kongres, pas debateve që ka hapur në PS Ben Blushi me kandidimin e tij për kreun e partisë. Duket sikur gjithë socialistët janë vënë në radhë se kush të mburrë më shumë Kryetarin.