Të pacipë dhe mashtrues!

Nga Alban Spiteni

Çështja e vrasjes së 4 viktimave me 21 Janar ka marrë një rrjedhë tjetër në Gjykatën Administrative. Familjarët e 4 viktimave që u vranë  përballë kryeministrisë në vitin 2011 kanë kërkuar dëmshpërblim nga shteti. Palë e paditur në këtë proces është Garda e Republikës. Por argumentet që ka çuar në gjykatë Garda e Republikës kalon kufijtë e së imagjinueshmes. Në dokumentin e paraqitur nga ky institucion në gjykatë thuhet se: “Garda u detyrua të përdorte armët e zjarrit pas shpërthimit të portës hyrëse”.

Në argumentin e saj, Garda fajëson policinë, e cila sipas saj nuk ishte e aftë të shpërndante turmën.  “Mendojmë se Garda e Republikës nuk mund të përgjigjet për këtë dëm, pasi nëse efektivët e policisë do të kryenin detyrën më 21 janar 2011 duke shpërndarë turmën, atëherë sigurisht nuk do të kishte qenë e nevojshme që Garda të përdorte armët, e si pasojë e këtij përdorimi të vinin viktimat. Në asnjë rast nuk duhet të harrohet tensioni, stresi dhe goditjet që kanë qenë të vazhdueshme. Përgjegjës për këtë situatë është po aq, në mos më shumë sesa Garda, Policia e Shtetit, pasi paaftësia për menaxhimin e demonstruesve solli viktimat”,- thuhet në qëndrimin e Gardës së Republikës në Gjykatë. Ditën e djeshme, Garda e Republikës sqaroi argumentet që ka përdorur në këtë proces duke deklaruar se qëndrimi i saj i referohej Gjykatës së Apelit, e cila ka dhënë vendim për këtë çështje. Ndërkohë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri reagoi mbrëmjen e djeshme duke përgënjeshtruar qëndrimin e Gardës. Ai u kërkuar ndjesë familjarëve të viktimave, duke deklaruar se 21 janari është një krim shtetëror ende i pandëshkuar.

 “Pavarësisht se Garda vetëm ka cituar vendimin e gjykatës, dua t’i kërkoj ndjesë familjarëve për sado janë lënduar nga përmendja e një vendimi haptazi të padrejtë! 21 Janari ishte dhe mbetet një krim shtetëror, ende i pandëshkuar!”,- shprehet ministri Tahiri.

Por pavarësish kësaj, qëndrimi i Gardës së Republikës lë një shije të hidhur për gjithë procesin dhe historinë e 21 Janarit. Në rast se ky qëndrim do të ishte mbajtur nga drejtuesit e Gardës para vitit 2013 do të ishte deri diku i kuptueshëm, pasi është në një linjë më qëndrimin e Partisë Demokratike, si e akuzuar direkt për këtë ngjarje. Por sot Garda e Republikës është në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë që drejtohet nga socialistët dhe Kryeministri Edi Rama.

Vetëm pak orë pas vrasjeve të 21 Janarit të pesë viteve më parë, Edi Rama dhe Saimir Taihiri do të deklaronin se protestuesit u vranë nga “pushkët e Gardës së Republikës”. Gjatë këtyre viteve gjithë debati dhe akuzat për vrasjet kanë pasur si pikënisje se kush e dha urdhrin dhe përse duhej që të përdoreshin armët ndaj protestuesve të paarmatosur. Aq më tepër që vrasjet ndodhen jashtë gardhit rrethues të kryeministrisë. Në të gjitha akuzat e Ramës dhe socialistëve të tjerë që sot janë ministra, cilësohej si shkelje keqpërdorimi kriminal i Gardës. Atëhere Garda dhe përdorimi i armëvë nga gardistët ishte “kriminale”, ndërsa sot që e kanë pushtetin dhe duhet të dëmshpërblejnë familjet e të vrarëve thonë “ duhej të përdorej arma”!

Justifikimi ligjor i Gardës lidhet me çështjen e dëmshpërblimit të familjarëve dhe jo me procesin penal. Pra Garda kërkon rrëzimin e çështjes në Gjykatën Administrative për të mos paguar disa dhjetra milionë lekë nga buxhetit i shtetit. Por duke kursyer lekët, pushteti i sotëm ka bërë një dëm të madh gjithë kauzës së 21 Janarit dhe drejtësisë në këtë vend. Institucioni i Ramës, pavarësisht se i referohet një vendimi të Gjykatës, rrëzon argumentet që vetë Rama pretendon prej pesë vjetësh për vrasjet. Dhe kjo është pak të thuash e pafalshme për një forcë politike që erdhi pushtet edhe për shkak të 21 janarit dhe me premtimin se do ta zbardhte atë.

Zhvillimet e djeshme me deklarata dhe përgënjeshtrime nuk janë goditja e vetme që ka marrë çështja e 21 janarit. Tre ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Prokurorisë për dënimin e tre gardistëve të akuzuar si ekzekutuesit e protestuesve. Kryeministri Rama deklaroi se reforma në drejtësi do të sjellë dhe drejtësinë për këtë ngjarje, duke nënkuptuar se gjykatat janë nën ndikimin e Partisë Demokratike. Por nëse gjykatat kanë ende ushtarë të Berishës në përbërjen e tyre, Garda e Republikës nuk është e PD. Ajo drejtohet nga qeveria e sotme. Të paktën formalisht të mos përdorin argumentet që i ka përdorur PD-ja për këtë çështje.

Gjatë një jave 21 Janari u varros sërish. Sipas Gjykatës nuk ka fajtorë për vrasjet dhe sipas Gardës së Republikës, që citon gjykatën, vrasjet ishin të pashmangshme. Siç duket, fajtorë kanë qenë viktimat!!

Nëse na lejohet mund të bëjmë një krahasim, që përsëri nuk është si vdekja, porse njëlloj mbetet qwndrimi sepse Avokatura e Shtetit në gjyqin me gazetën “Koha Jone” për dëmshpërblimin e saj nga shteti për djegien dhe shkatërrimin e redaksisë së saj me 3 mars 1997, thotë se “nuk e ka fajin shteti”! Pra deri dje PS-ja dhe Edi Rama thonin, siç është e verteta edhe në dosjen hetimore e në gjykatë, se “redaksinë e “Koha Jone “ e dogji SHIK-u dhe policia e Berishës”, kurse tani në gjykatën administrative e dredhin.

Qëndrim dyfytyrësh! Nuk kanë as turp ! Edhe bëjnë sikur digjen për drejtësinë, edhe mashtrojnë kur është puna të japin  qëndrim korrekt para drejtësisë !

Pra në vitin 2011 i vrau Saliu demonstruesit, kurse në prill 2016 “nuk i vrau!”. Në mars 1997 e “dogji Saliu gazetën “Koha Jone”, kurse tani që do të paguajnë lekët “nuk e dogji Shteti “!

 

SHKARKO APP