Të pandehurit,kreut Muslimanëve, Skënder Bruçaj:”Spiun i amerikanëve!”
Kreu i Komunitetit Musliman, Skënder Bruçaj u paraqit si dëshitar në procesin, ku po gjykohen imamët e vetëshpallur dhe personat që rekrutonin xhihadistë për luftën në Siri. Bruçaj tha se kishte dhënë informacion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për xhamitë që nuk ishin në juridiksionin e Komunitetit Musliman. Këto xhami ishin quajtur “problematike” pasi nuk kishte informacion se si predikohej feja islame. Të pandehurit i drejtuan disa pyetje kreut te Komunitetit Musliman, kryesisht për konceptet fetare. Imamët e vetëshpallur e pyetën Skënder Bruçajn për domethënien e Kuranit, për Xhihadin dhe për elemtentë të tjerë fetarë. Por trupi Gjykues nuk e lejoi Bruçajn të përgjigjet. Informacioni që iu kërkua nuk kishte të bënte me objektin e gjykimit. Për Bruçajn nuk munguan etiketimet në sallë. Të pandehurit e quajtën “spiun të amerikanëve” dhe sipas tyre ai ishte mësuar si të fliste në sallë nga amerikanët.
Familjarët e të pandehurve kërkuan që Bruçaj të përgjigjej për pyetjet mbi Islamin. Ata nisën të bërtasin kundër vendimit të trupit gjykues. Për këtë shkak, trupi gjykues nxori jashtë disa prej tyre. Pavarësisht kontestimit që iu bë në sallë, kreu i Komunitetit Musliman, Skënder Bruçaj shpërndau për mediat një letër, në të cilën kërkohej që të pandehurit të mos diskriminohen.
“Komuniteti Musliman e ndjek me shqetësim ecurinë e këtij procesi” shkruhet në letër. “Kushdo është i pafajshëm përderisa nuk është provuar e kundërta me vendim të formës së prerë. Parimi i shtetit të së drejtës dhe i gjykimit të drejtë, I kontribuon sigurisë personale të njeriut, ashtu siç garanton se askush nuk do të persekutohet ose dënohet në mënyrë arbitrare, për arsye të gjinisë, racës apo bindjeve të tij qofshin fetare ose politike. Ne shpresojmë se ky proces gjyqësor do të përfundojë në kohën sa më të shpejtë të mundshme, dhe në themel të tij të prevalojë e drejta dhe ligji, duke pasur besimin e plotë se askujt nuk do t’i bëhet padrejtësia më e vogël”, thuhet në këtë letër.