Të shtunën në Asamblenë e PS, Kokëdhima në vend të Gramoz Ruçit

Ditën e shtunë Asambleja e Përgjithshme e Partisë Socialiste do të mbajë mbledhjen e saj të parë pas zgjedhjeve së anëtarëve në kongresin e 19 marsit. Me ndryshimet në statutin e ri të Partisë, Asambleja do të zgjedh dhe strukturat e reja të partisë; Kryesinë e re, sekretarët dhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë. Ndërsa gjatë muajit të fundit selia rozë ishte nën ethet e debatit të referendumit dhe rivalitetit Rama-Blushi, një tjetër betejë po zhvillohet për vendin e numrit dy të partisë. Bëhet fjalë për kreun grupit parlamentar Gramoz Ruçi dhe deputetin Koço Kokëdhima, të cilët të dy synojnë që të marrin postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë.  Ruçi është “shtylla kurrizore” e PS-së dhe Koço miku më i ngushtë i kryetarit të PS-së.

Me ndryshimet e reja në statut, socialistë rikthyen postin e Sekretarit të Përgjithshëm i cili u hoq si funksion në vitin 2011. Deri në vitin 2011 këtë detyrë e ka mbajtur Gramoz Ruçi. Më pas ai u zgjodh Kryetar i Asamblesë Kombëtare dhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Në vitin 2011 posti i Sekretarit të Përgjithshëm u unifikua me atë të Kryetarit të Asamblesë Kombëtare. Por me ndryshimet e reja në statut, Kongresi i 19 marsit vendosi të risjellë në strukturat e partisë postin Sekretari i Përgjithshëm. Në statutin e ri Sekretari bëhet figura më e rëndësishëm në parti pas kreut të partisë. Një funksion i tillë në PS merr fuqi të posaçme për mbarëvajtjen e punëve, sidomos kur partia është në pushtet dhe kreu i saj është Kryeministër.

Për shkak të karrierës dhe ndikimit që ka Gramoz Ruçi në strukturat e selisë rozë, zgjedhja në postin e Sekretarit të Përgjithshëm shihet si një proces i natyrshëm. Por që me zgjedhjen e Koço Kokëdhimës deputet në vitin 2013 balanca e pushteteve politike tek selia rozë ka ndryshuar. Gjatë tre viteve të fundit, Kokëdhima ka treguar se nuk kënaqet vetëm me mandatin e deputetit dhe me këshillat që i jep Ramës dhe ministrave si një nga rreth 60 ligjvënësit e PS-së. Ai propozoi disa projekte pilote për rishikimin e strukturave të degëve të PS-së. Bëri riorganizimin e PS-së në gjithë qytetet kryesore të jugut, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, etj duke anashkaluar çdo urdhër të Asamblesë Kombëtare (nënkupto Gramoz Ruçin) dhe Kryesisë së PS. Arriti të sillte në Kongres delegatët që kishin vetëm mbështeten e tij. Madje edhe datën e Kongresit e shtyu disa herë duke dalë kundër Gramoz Ruçit dhe disa deputetëve të tjerë.

Rivaliteti mes Ruçit dhe Kokëdhimës u shfaq hapur në punimet e Kongresit. Gramoz Ruçi nuk ngurroi, si rrallë herë në stilin e tij, ta sulmonte publikisht duke kritikuar eksperimentet që po bënte me partinë. Nga ana tjetër, Kokëdhima sulmoi hapur në mbledhjen e grupit socialist “shokët e partisë”  duke i akuzuar dhe për tradhti lidhur me mandatin e tij. Prej një viti Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend dhe Gjykatën Kushtetuese kërkesën për heqjen e mandatit të Kokëdhimës, pasi akuzohet për përfitime fondesh shtetërore gjatë kohës që ka marrë mandatin e deputetit. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese që detyronte Kuvendit të dërgonte menjëherë mandatin për shqyrtim në Gjykatë, deputetët e PS-së e votuan brenda 48 orëve. Ky votim për Kokëdhimën ishte as më shumë as më pak, por një skemë e Ruçit për ta nxjerrë atë nga Partia Socialiste duke i hequr mandatin. Ndaj në Kongres edhe pse mandati i deputetit e bënte automatikisht anëtar të Asamblesë Kombëtare, Kokëdhima i parapriu më të keqes. Nuk u mjaftua vetëm me mandatin që fitonte, por jashtë rregullave të PS-së e futi emrin tek kandidatët që duhet të zgjidheshin me votë nga delegatët për në Asamble. Në këtë mënyrë ka llogaritur se edhe nëse Gjykata Kushtetuese i heq mandatin dhe largohet automatikisht nga grupi i PS-së, qëndrimin në Asamble e ka të garantuar.

Përveç kësaj një tjetër element që u pa si triumf i Kokëdhimës për marrjen e posteve kyçe në PS ishte dhe lista e fituesve të anëtarëve të Asamblesë. Mes emrave fitues bie në sy drejtorë aktualë administratës, njerëz që i përkasin “Rilindjes” tek të cilët më shumë ndikim ka Kokëdhima sesa socialistët tradicionalë si Gramoz Ruçi.

Nga ana tjetër, tentativa për të marrë postet drejtuese në PS nga Kokëdhima nuk është se e ka gjetur të papërgatitur Gramoz Ruçin. Shqetësimi i deputetit të Vlorës për heqjen e mandatit në kushtetuese nuk ka qenë i pabazë.  Ndërkohë në këtë sherr është ende i paqartë qëndrimi i kreut të PS-së, Edi Rama. Nuk dihet nëse edhe këtë herë nuk do ta frenojë mikun e tij Kokëdhima për të bërë ç’të dojë në PS, apo do të bëjë një ndarje postesh, duke kënaqur edhe Ruçin edhe ambicien e Kokëdhimës. Pra mund të gjejë një të mesme koti që Ruçit i lë kreun e grupit parlamentar deri në zgjedhjet e rradhës e më pas nuk e kandidon më dhe këtë të shtunë zgjedh Koçon sekretar të përgjithshëm të PS-së.

Gjithsesi nëse Ruçi paloset këtë të shtunë nga Kokëdhima në Asamble atëhere do të duket se ka të drejtë Blushi se PS-në e përlau “Rilindja”. Gjithsesi “ylli” i Ruçit duket në se po përëndon para kohe nga “asteroidi” Kokëdhima që duket se ka fuqi shkatërruese për këdo në PS.

Të shtunën Ruçi falet për herë të fundit si numri dy në selinë rozë, seli të cilën e rriti, e forcoi derisa ia përlanë më forcë “rilindasit”.

 

SHKARKO APP