Të vdekur nga zjarret në Los Anxhelos
Autoritetet në shtetin perëndimor të Kalifornisë thonë se të paktën 10 persona kanë humbur jetën nga pasojat e zjarreve shkatërruese në Los Anxhelos.
Zyrtarët paralajmërojnë se numri mund të rritet pasi zjarret të jenë vënë nën kontroll dhe punëtorët të mund të kontrollojnë rrënojat.
Operacionet e shuarjes së zjarrit vazhduan gjatë natës, me helikopterët që hidhnin ujë duke përfituar nga një qetësim i përkohshëm i erërave.
Presidenti Joe Biden tha të enjten gjatë një takimi me anëtarët e kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë se ai ka vënë në gatishmëri burime federale dhe ka miratuar fonde shtesë për të ndihmuar Kaliforninë të luftojë zjarret shkatërruese, duke thënë se ato ishin “zjarret më të rënda që kanë goditur Los Anxhelosin.”
Fondet e reja do të mbulojnë 100 të kostos për 180 ditë, për heqjen e materialeve të rrezikshme, strehimin e përkohshëm, pagat e personelit të ndërhyrjes së shpejtë dhe masat për të mbrojtur jetën e banorëve të prekur nga zjarret, tha ai.
Nënpresidentja Kamala Harris, ish-senatore e Kalifornisë, foli gjithashtu në konferencë, duke e përshkruar situatën në Kaliforni si “apokaliptike” dhe “diçka që do të ketë ndikim për muajt dhe vitet në vijim”.
Nënpresidentja ka një shtëpi në një zonë evakuimi, por nuk ishte menjëherë e qartë nëse shtëpia e saj pësoi ndonjë dëm.
Autoritetet thanë se zjarret në dhe rreth qytetit të Los Anxhelosit kanë çuar në evakuimin e afro 180,000 banorëve, kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe kanë djegur dhjetëra mijëra hektarë tokë.
“Kjo është absolutisht një stuhi e pashembullt, historike”, tha kryebashkiakja e i Los Anxhelosit, Karen Bass./VOA/