Media gjermane: A mund të mbahet në Shqipëri një qeveri e lidhur me krimin?

Rrjeti publik gjerman, ZDF, zbarkoi në Tiranë si shumë media të tjera perëndimore, të shqetësuara për situatën gjatë ditëve të fundit. Kronikën e tyre nga Tirana, gjermanët e kanë titulluar: Protesta kundër korrupsionit në Shqipëri.

Gazetarja e nis menjëherë kronikën me rastin e Unazës së Re. Ajo thotë se pavarësisht se do ndërtohet një rrugë, njerëzve që do u prishen banesat nuk do u shkojë asgjë.

Jo vetëm gjenerata ime, por edhe fëmijët e mi kanë punuar për këtë shtëpi. Janë rreth 1 mijë familje që preken”,- thotë një banor protestues.

Ky është një nga shumë raste të korrupsionit në Shqipëri”,- vijon kronika.

Më pas, ZDF interviston gazetaren Klodiana Lala, që publikoi përgjimet për blerjen e votave, ku del edhe emri i kryebashkiakut të Durrësit. ‘Klodiana Lala ka publikuar përgjimet që tregojnë se si njerëzit e qeverisë blejnë vota me ndihmën e kriminelëve,’ thuhet në kronikë.

Kurse Lala shpjegon: ‘Një personi i kërkohet që të kthejë mbrapsht paratë pasi nuk ka votuar siç duhej. Kjo tregon se këto zgjedhje nuk ishin as të lira dhe as të fshehta’.

Analisti Enton Abilekaj thotë për ZDF se ‘Shqipëria po bën hapa të mëdhenj mbrapa’. Në mbyllje të kronikës, ZDF bën një konstatim. “Për Brukselin, Edi Rama quhet si e keqja më e vogël në politikën shqiptare. Prandaj ata po i kërkojnë opozitës që të tregohet e matur. Pyetja është nëse mund të mbahet një qeveri, anëtarët e së cilës kanë kontakte të ngushta me kriminelët”?

Kronika në median gjermane: Protests against corruption in Albania  

Kronika e plotë:

Shtëpitë e tyre dhe gjithçka kanë duhet t’i lënë vendin një autostrade. Për këtë, ata duhet të dëmshpërblehen nga qeveria shqiptare. Por, siç ndodh shpesh, milionat duket se janë tretur diku rrugës, sepse tek njerëzit nuk mbërrin, pothuajse asgjë.

Ku do të shkojmë ne? Ata thonë se do të na paguajnë 2 vjet qera dhe, pastaj, ne do të përfundojmë në rrugë të madhe. Une jam 63 vjeç. Jo vetem brezi im, por edhe femijët tanë kanë punuar për këto shtëpi. Qeveria mban përgjegjësi për më shumë se 1000 familje.

Pronarët e shtëpive protestojnë çdo ditë. Ky është një nga shumë rastet e korrupsionit të shfrenuar në Shqipëri. Gazetarja për çështjet e drejtësisë Lala ka publikuar protokolle përgjimi që zbulojnë sesi anëtarë të qeverisë kanë blere vota në zgjedhjet e fundit nga pjesëtarë të bandave mafioze.

Une kam 6 njerëz. Ok, thuaji Kryetarit të Bashkisë, Vangjushit, t’u japë atyre lekët që të votojnë siç duhet. Në një bisedë tjetër thuhet se një person duhet të kthejë lekët mbrapsht, sepse nuk ka votuar siç duhet. Kjo provon se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të fshehta.

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama, të cilin, këtu e gjuajnë me vezë. Në shenjë proteste ndaj qeverisjes së tij, 56 opozitarë dorëzuan mandatet e tyre parlamentare. Aktualisht, Shqipëria nuk po bën perparim përsa i përket demokracisë dhe mirëqenies së njerëzve, përkundrazi, po bën hapa të mëdhenj mbrapa.

Njerëzit po largohen masivisht nga vendi. Megjithatë, për BE, kryeministri Rama duket, ende, si e keqja më e vogël në politikën e Shqipërisë. Prandaj, Brukseli kërkon nga opozita dhe njerëzit që protestojnë prej javësh, të vetëpërmbahen.

Por pyetja është: sa mund të mbahet akoma në këmbë një qeveri, anëtarët e së cilës, mbajnë lidhje të ngushta me kriminelët?!

SHKARKO APP