Tensione te “Unaza e Re”, mbi 200 forca policie rrethojnë zonën
Mbrëmjen e sotme, situata te “Unaza e Re” paraqitet e tensionuar. Pas arrestimeve të shumta gjatë dy ditëve të fundit, banorët deklarojnë se do të vijojnë protestat kundër ndërtimit të projektit që u shkatërron shtëpitë. Ndërkohë ditën e sotme forca të shtuara policore kanë rrethuar zonën ku çdo mbrëmje mbahet protesta qytetare. Sipas qytetarëve që ndodhen në zonë janë më qindra forca policie që janë të pranishme në zonë.
Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu i cili ndodhej pranë banorëve tha për mediat se policia po sillet në mënyrë brutale dhe po keqtrajton banorët e “Unazës së Re”. Ai deklaroi se protestat nuk do të ndalen, pavarësisht qëndrimit të Policisë së Shtetit. Protesta nisi në orën 18:30 dhe zgjati për rreth 2 orë pa incidente. Ndërkohë banorët thonë se edhe pas përfundimit të tubimit forcat e policisë kanë vijuar të qëndrojnë në zonë.
Paraditen e sotme PD depozitoi në Prokurori kallzim penal për drejtuesit e Policisë së Tiranës, të cilët urdhëruan arrestimin dhe ndalimin e banorëve.
“Partia Demokratike ka dorëzuar sot pranë prokurorisë një padi kundër Policisë së Shtetit e cila prej 350 ditësh po sillet si një bandë, që nuk e meriton uniformën, me banorët e Unazës së Re. Prej 350 ditësh, e vetmja gjë e paligjshme që po ndodh tek “Unaza e Re”, është një projekt i cili është mirëmenduar dhe papërgatitur, për të grabitur shqiptarët me një kosto prej 20 milion eurosh, për km, ashtu sikurse është programuar në mënyrë të pashpirtë, për të grabitur banorët e Unazës së Re, për t’i shveshur ata nga gjëja më e shtrenjtë që ka njeriu, nga shtëpitë e tyre, bizneset e tyre, apo çdo tullë apo pëllëmbë toke që kanë kultivuar me djersën e ballit”,- deklaroi ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.